
Nga Robert Satloff
Në shumë drejtime, Presidenti Donald Trump ka thyer modelin tradicional të udhëheqësve amerikanë. Por duke ndërthurur përdorimin e forcës amerikane me thirrje të përsëritura që iranianët të ndryshojnë regjimin e tyre, ai është presidenti i katërt në një shekull që ngre flamurin e “lirisë” në Lindjen e Mesme. Mbetet vetëm të shpresohet që kjo histori të përfundojë më mirë për qytetarët e Iranit sesa për ata në tre episodet e mëparshme.
Presidenti i parë që u premtoi popujve të Lindjes së Mesme se fuqia amerikane do t’i çlironte nga tirania ishte Franklin D. Roosevelt. Konteksti ishte Operacioni Torch, kur forcat amerikane dhe britanike zbarkuan në Marok dhe Algjeri në nëntor 1942, ofensiva e parë e madhe aleate e Luftës së Dytë Botërore dhe, deri atëherë, operacioni amfib më i madh në histori.
Për të plotësuar pushtimin, në emër të Roosevelt-it u shpërnda një mesazh në arabisht për popullsinë e zonës, atëherë nën kontrollin e Francës së Vichy-t, bashkëpunëtore fashiste e Gjermanisë naziste. Deklarata e quante zbarkimin aleat një “Xhihad i madh i Lirisë” dhe u kërkonte myslimanëve vendas të bashkoheshin për të mposhtur armiqtë e përbashkët: “Ne kemi ardhur për t’ju çliruar. … Na pritni si vëllezër, ashtu siç do t’ju presim ne, dhe na ndihmoni. Nëse kemi etje, na tregoni rrugën për tek uji. Nëse humbasim rrugën, na udhëhiqni drejt kampeve tona. … Na ndihmoni, ashtu siç kemi ardhur t’ju ndihmojmë.”
Trupat aleate mposhtën forcat e Vichy-t në vetëm tre ditë. Por premtimet për “liri” mbetën të papërmbushura. Roosevelt preferoi të arrinte një marrëveshje oportuniste me një admiral të Vichy-t, për të ruajtur status quo-në në rajon, nën një udhëheqje të re.
Do të kalonin pothuajse dhjetë vjet para se ndonjë vend i Afrikës së Veriut të gëzonte lirinë nga kontrolli i huaj.
Duhet të kalojmë gati 50 vjet përpara për të gjetur shembullin e dytë të një presidenti amerikan që inkurajon popujt e Lindjes së Mesme, të marrin lirinë në duart e tyre. Ishte shkurti i vitit 1991, pas bombardimeve që hapën Luftën e Gjirit të udhëhequr nga SHBA, por përpara ofensivës tokësore që detyroi trupat e Saddam Husseinit të largoheshin nga Kuvajti. Në një fjalim televiziv, Presidenti George H.W. Bush u bëri thirrje irakianëve të ngriheshin dhe “t’i merrnin gjërat në duart e tyre”. “Ne nuk kemi asnjë mosmarrëveshje me popullin e Irakut,” tha ai. “Mosmarrëveshjet tona janë me atë diktator brutal në Bagdad.”
Pasi ushtria amerikane i shtyu forcat e Husseinit mbrapsht në Irak, populli irakian iu përgjigj thirrjes së Bush-it. Kryengritje shpërthyen si në jugun shiit të Irakut ashtu edhe në veriun kurd. Të inkurajuar nga thirrja për veprim, irakianët pritën me ankth që Amerika t’i mbështeste në përpjekjen për liri. Por ndihma nuk erdhi kurrë. Husseini shtypi revoltat me egërsi, duke përdorur helikopterë luftarakë për të masakruar mijëra njerëz.
Në vitin 2003, Presidenti George W. Bush ndoqi një qasje tjetër për të sjellë lirinë në Irak. Në prag të luftës, ai mbajti një fjalim ku theksoi se ndryshimi i regjimit ishte qëllimi i fushatës: “Të ndihmojmë irakianët të arrijnë një vend të bashkuar, të qëndrueshëm dhe të lirë. Kjo do të kërkojë angazhimin tonë të vazhdueshëm… Ne nuk kemi ambicie në Irak, përveçse të largojmë një kërcënim dhe t’ia rikthejmë kontrollin e atij vendi popullit të vet… Ne do t’u sjellim liri të tjerëve dhe do të triumfojmë.”
Në retrospektivë, ky ishte rasti klasik i një ndryshimi regjimi që doli jashtë kontrollit. Operacioni “Iraqi Freedom” zgjati nëntë vite të përgjakshme. Tre vjet pas përfundimit të tij, forcat amerikane u rikthyen në Irak për të luftuar Shtetin Islamik, i lindur nga pakënaqësia dhe përbuzja e krijuar gjatë okupimit amerikan, pas rrëzimit të Hussein-it. Edhe pse sot irakianët gëzojnë më shumë liri sesa nën regjimin e tij, Iraku mbetet një shtet i thyer dhe i përçarë, dhe si populli irakian ashtu edhe ai amerikan paguan një çmim të rëndë.
Pastaj vjen Trumpi. Një nga intuitat e tij të hershme politike ishte të kuptonte fuqinë emocionale të trashëgimisë katastrofike të Irakut. Ai e bëri denoncimin e ndryshimit të regjimeve një thirrje mobilizuese për lëvizjen e tij MAGA, një temë kyçe e politikës së tij “America First”. Siç tha vitin e kaluar në Arabinë Saudite, “të ashtuquajturit ndërtues kombesh shkatërruan shumë më tepër kombe sesa ndërtuan, dhe ndërhyrësit po ndërhynin në shoqëri komplekse, që as vetë nuk i kuptonin.”
Prandaj, nuk është pak befasuese që Trumpi e përcaktoi shprehimisht ndryshimin e regjimit si një qëllim të Operacionit “Epic Fury”. Me një jehonë të zbehtë të Roosevelt-it dhe dy Bush-ëve, Trumpi deklaroi: “Popullit të madh dhe krenar të Iranit i them sonte se ora e lirisë suaj ka ardhur. … Tani është koha të merrni në dorë fatin tuaj dhe të çlironi të ardhmen e begatë dhe të lavdishme që është pranë jush. Ky është momenti për veprim. Mos e lini të kalojë.”
Nga pikëpamja operative, pyetja thelbësore është sa i përkushtuar është Trumpi ndaj këtij vizioni.
Në njërin skaj të spektrit, a do të veprojë si Roosevelt-i, duke gjetur një figurë të re iraniane dhe duke lënë strukturën e regjimit të paprekur nën një udhëheqës më të bindur? Apo si Bushi i parë, duke u mjaftuar me dëmtimin masiv të kapaciteteve ushtarake sulmuese të Iranit, dhe duke zgjedhur një rrugë të shpejtë për t’i dhënë fund luftës?
Apo, në skajin tjetër, do të përfshihet si Bushi i dytë në baltovinën e ndërtimit të kombit në Iran, duke shkaktuar probleme që sot as nuk mund t’i imagjinojmë?
Apo, duke shpreusar më shumë, a do të gjejë Trumpi, i pari nga të katërtit që mbështetet kryesisht në fuqinë ajrore për të arritur fitoren, një zgjidhje që fuqizon popullin iranian me kosto të moderuar për jetët dhe burimet amerikane?
Për popullin e shumëvuajtur të Iranit dhe për amerikanët që i frikësohen përfshirjeve të gjata e të largëta, pak pyetje janë më vendimtare se kjo.
- Robert Satloff është Drejtor Ekzekutiv i Washington Institute