PersonazheSport

Historia e Mino Raiola nga Angri

I mitizuar apo i përqeshur, shumë ja kanë zilinë. Kush është vërtet Mino Raiola, mbreti i merkatos futbollistike

Nuk kuptohet pse-ja apo ndoshta kuptohet shumë mirë, por shumë pretendojnë ta shikojnë akoma Mino Raiola nga lart poshtë. Prej CV-së, prej pamjes. Domethënë, të renditura, do të dëgjoni dhe do të lexoni gjithmonë, gjithmonë, dy gjëra. E para: “Kamarieri që u bë milioner”. Që mund të jetë historia e shumë njerëzve, por me të është një klishé që ushqehet vazhdimisht. Shërben për të ruajtur distancën dhe një nivel të caktuar përçmimi, i maskuar me admirim për ngjitjen sociale dhe ekonomike. Pastaj pak rëndësi ka nëse realisht është djali i pronarit të një restoranti – picerie që ndihmonte prindërit. Mino kontribuon në mitologjinë: “Kur shkruani se bëja picabërësin, gaboni. Bëja kamarierin”. E dyta: “Flet 8 gjuhë, të gjitha keq”. Gjë që nuk është e vërtetë apo aq më pak asnjë prej atyre që e kanë shkruar, e shkruajnë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë, nuk mund ta dijë drejtpërsëdrejti, pasi nuk është parë kurrë një bisedë individuale apo e përzemërt që të zhvillohet si një provim gjuhësh apo letërsishë të huaja. Thjesht është kapur një shprehje e vërtetë e tij dhe i është zgjeruar kuptimi: “Flas shumë gjuhë, më e keqja është italishtja”.

Ja, kjo nuk mungon kurrë. Çdo gjë me një dimension të caktuar, e shkruar apo e thënë për Mino Raiola, niset nga këtu dhe shpesh mbërrin këtu. Sepse edhe ka më shumë se 20 vjet që shëtit midis zyrave të presidentëve e të drejtorëve sportivë të klubeve më të mëdha futbollistike europiane dhe prej 10 vitesh është në fakt protagonist kryesor (apo njëri nga dy) i traktativave më të rëndësishme të merkatos futbollistike, pika një dhe pika dy janë kripa e historisë së tij. Që tregohet gjithmonë, pa përjashtim, me atë ton habie që u kushtohet ndodhive sureale apo gjysmëreale. Si të thuash: ja e pabesueshmja që materializohet. Sa më shumë afera milionere bën, aq më shumë rritet habia. Sepse është një regjistër komunikimi e lehtë dhe menjëherë e kuptueshme, sidomos në ekstraktet e leximit të hallakatur: njeriu që nuk kishte asgjë dhe që ka gjithçka, emigrant Italian inteligjent, por i paedukatë, që çon shtëpi shifra monstruoze. Pjesa e fundit, ajo e shifrave, është e padyshimtë: këtë vit udhëton në 50 milion eurot. Gjysma (25 milion) èështë baza vjetore që ka realizuar mesatarisht në sezonet e fundit, kusuri, domethënë gjysma tjetër, është efekti i shitjes së Paul Pogba tek Juventus. Gjë që mundëson të arrihet në pikën e tretë fikse të narrativës raiolane: komisionet. Provoni të lexoni apo të dëgjoni: edhe në këtë rast nuk ka një rrëfim që të mos kalojë nëpërmjet fenomenologjisë së “përqindjeve” që kap çdo herë që një futbollist i tij spostohet nga një skuadër në tjetrën. Tema është më e vështirë dhe më teknike respektivisht asaj të kamarierit dhe asaj të gjuhëve. Për këtë është i treti në klasifikim. Por e bashkuar me të dy të tjerat krijon një efekt gjigantesk zilie sociale që është shifra e vërtetë e rrëfimit që i bëjnë të tjerët. Ekuacioni është pakashumë ky: ishte kamarier, nuk di të flasë, por fiton sa një shumëkombëshe.

Në thelb, sinteza prodhon dy efekte: Raiola ose mitizohet, ose përqeshet. Nuk ekzistojnë shkallë që të çojnë nga njëra pikë tek tjetra. Lart ose poshtë, kurrë lart e poshtë bashkë. Në fakt është pikërisht aty që qëndron Raiola. I cili nuk rrëfehet praktikisht kurrë. Një prej herëve të rralla në të cilën e ka bërë ka qenë kohët e fundit për “GQ”. Ka dalë një intervistë prej atyre për t’u mbajtur menjanë: “Futbollistët i pyes: “Do të bëhesh më i paguari apo më i miri?”. Nëqoftëse përgjigjen “Më i paguari”, i tregoj derën. Piktori që pikturon një një kuadër për para dhe për passion, nuk e shet. Paratë janë shumë të rëndësishme, por, nëqoftëse i ndjek, nuk do të vijnë kurrë dhe, me kohë, përfundon për të kuptuar se është dikush më i pasur se ti”. Shprehje kështu në vulgatën e Raiola që askush nuk i njeh dhe që të gjithë shtiren sikur i dinë nuk i atribuohen kurrë. Më shumë të vjen të mendosh se thotë të kundërtën. Sepse paragjykimi bën skllevër shumë prej atyre që afrohen me historinë e tij. Sikur të mos jetë ideja që ta tregojë, por ajo që të zbulojë se çfarë mendojnë të tjerët për të. Domethënë se është produkti i gotës i degjeneruar, pa kufizime dhe pa rregulla. Megjithatë kufizimet dhe rregullat ekzistojnë, ashtu si në jetën dhe punën e Raiola. Një që ka kaluar një jetë përkrah atij që gjithmonë për të njëjtën vulgatë duhet të jetë armiku më i madh i tij, domethënë Zdenek Zeman. Janë njohur tek Foggia, qyteti i gruas së Mino. Gjithsesi, ndërmjetësi i miqësisë së tyre qe një futbollist, hollandezi Bryan Roy. “E gjeti veten duke u stërviture në parkim: “Po ku dreqin më ke sjellë?”. Pastaj ka ndryshuar ide. E adhuronin, i kushtonin koret: “Kemi një engjëllush bjond / tani është bërë i zi / do të shënoj shpejt për ne / quhet Bryan Roy”. Tek Foggia u transferova për një vit. Me atë gjeniun Casillo dhe me Zeman u bëmë miq. Tymosnim, bënim shaka: “Zdenek, ti nga futbolli nuk kupton vërtet asgjë”. Një ditë, me kampionatin pushim prej kombëtares, nisen të gjithë dhe nisem edhe unë. Qëndroj dy ditë në Angri dhe pastaj kthehem tek Zeman: “Përshëndetje mister, çkemi?”. Heshtje. I ofroj një cigare. Ai është shumë kurnac dhe pranon, por nuk më thotë asnjë fjalë: “Ej, çfarë dreqin ke?”. “Ku ke qenë? Nëqoftëse largohesh nga Foggia duhet të më njoftosh, nuk i njeh rregullat e ligjit?”. “Ke pirë mbrëmë, mister? Unë nuk jam futbollist dhe ti nuk je Zoti, bëj si të më dojë qejfi”. “Ose je në grup dhe respekton rregullat, ose je jashtë dhe largohesh”, u përgjigj. E mendova. Kishte të drejtë. I kërkova falje. E kam dashur vërtet shumë. Për një kohë jemi shkëputur dhe kurrë më nuk e ripatën shoqërinë e dikurshme. Vite me parë, me një goditje të çmendur, mora prokurën e Nedved. Vajtja ja thashë dhe u zbardh në fytyrë. E brente fakti që kisha gjetur një lojtar çek dhe kishte frikë se ndonjë mund të thoshte “Zeman fiton”. Më tha: “Duhet ta lësh të largohet”, ju përgjigja se nuk e mendoja dhe i premtova që t’ia sillja tek Lazio. Një ditë Zdenek më telefonoi në kulmin e traktativës: “Ti je ndyrësirë, nuk ke mbajtur fjalën”. Prej një ekuivoku me ndërmjetësin, Nedved rrezikonte të shkonte tek PSV-ja. E zgjidha problemin dhe Pavel erdhi në Romë. Zeman ja vendosi abritrarisht rrogën: “200 milion për djalin janë më shumë se të mjaftueshëm”. Pjesa tjetër e skuadrës merrte këtrfishin, u zimë dhe nuk folëm për muaj të tërë. Padrejtësinë e rregulloi Zoff. Një zotëri i vërtetë. Njëlloj si Cragnotti. Një njeri që nuk më bënte të dëgjoja të thoshte se ai ishte mbreti dhe unë ndyrësira”.

Nedved ka qenë kthesa, por nuk është se më përpara ishte i fundit i të aftëve. Historia lind në Hollandë, dihet. Dhe lidhet shumë me pikën një të rrëfimit që të tjerët bëjnë për të dhe që në fakt Mino, nga Angri duke kaluar nëpër Haarlem, tregon kështu: “Nga Angri, kryeqyteti botëror i domates së qëruar, të mijtë qenë spostuar në Hollandë, në Haarlem, në kërkim të fatit. Annunziata Canavacciuolo, ime më, ishte ambicia dhe krenaria. Im atë Mario idealizmi. Kompensoheshin. Jetonim me një dajë bukëpjekës dhe, nëse hiqet pjesa kriminale, kaseta dukej si seti i “Kumbarit”. Ragù, sallame, spektakle të vogla. Periudha më e lumtur e jetës time. Të mitë hapin restorantin “Napoli”, i hapur 24/24. Donin të riedkuonin hollandezët: “Ushqimi ta shpif, le t’i mësojmë sesi të hanë”. Babai kthehej në 4 të mëngjesit, nuk e shikoja kurrë, vendosa ti jap një dorë. Shërbeja në tavolina dhe pastroja. Një ditë paraqitet një klient. Është i veshur keq dhe duket pis. Nuk lëviz. Dëgjoj zërin e babait: “Mino”. Nuk lëviz. E përsërit. Lëviza. Ishte më mirë të mos e kundërshtoja. Ishte i ëmbël, porn ë punë transformohej. Gjëra të caktuara mbesnin midis nesh. Nëse fluturonte ndonjë shpullë, më paralajmëronte: “Nëqoftëse ankohesh tek mamaja, të jap kusurin”. Kuptoj që ku klient ka zgjedhur shishen më të kushtueshme dhe i them babait: “Je i sigurtë se mund të paguajë?”. Nuk ngre as sytë nga gazeta: ‘Mino ekzistojnë dy lloj klientësh. Klienti është klient. Hiqi tapën Sassicaia dhe mbathja”. Leckamani ishte shumë i pasur. Qe një mësim. Nuk gjykoj kurrë nga pamja, nuk vishem me kostum e kolare siç më mësoi mësuesi im i Historisë. Në restorant rritesh shpejt. Mëson që të mbash përgjegjësitë tua. Sot, kur një punë dështon, nuk mendoj kurrë “është për faj të të tjerëve”, por gjithmonë “është për fajin tim””.

Mino do të kishte dashur të bëhej futbollist. Hollanda ishte një vend i bukur ku të bëhej: “Tani jam i shëndoshë, por isha i fortë. E lashë dhe mendova të bëhesha avokat. Disa provime në Juridik edhe i kam dhënë. Në aspekte të caktuara ligjore sot nuk dëgjoj njeri. E megjithatë Hollanda qëndron shumë me këtë histori dhe me suksesin e tij, për shumë arësye. Njëra prej tyre është është një vend ku ndodhin gjëra që tjetërkund nuk mund të ndodhi, si për motive historike e kulturore, ashtu edhe për faktin që në thelb numerikisht është një vend i vogël që ka pasur nevojë për inteligjencën e të tjerëve. Kështu Mino, me ta mbyllur me fushën, u bë përgjegjësi i parë i të rinjve të Haarlem (skuadra më e vjetër e Hollandës), pastaj Drejtor Sportiv i ekipit të parë, pasi ka bindur Presidentin. Legjenda dhe tregime të kryqëzuara tregojnë se çdo të premte Presidenti shkonte për drekë në restorantin e familjes Raiola dhe se Mino, midis seriozes dhe gjysmëseriozes, i thoshte pakashumë kështu: “Nga futbolli nuk kupton asgjë”. Një herë përgjigja qe: “Atëhere provoje ti, pot ë besoj skuadrën”.

Ideja për të prokurorin sportive tashmë i kishte ardhur. Kishte themeluar një kompani ndërmjetësimi, “Intermezzo”, emër jo shumë i bukur, por mjaft efikas. Për pak kohë arriti t’i mbante në këmbë gjërat, derikur një marrëveshje me sindikatën e futbollistëve hollandezë përcaktoi se Intermezzo ishte subjekti i vetëm i autorizuar për transferimin e futbollistëve hollandezë jashtë vendit. Në Vendet e Ulëta ndodhte tashmë kështu prej kohësh. Përpara Mino, siç ka kujtuar Fulvio Paglialunga, ishin Coster Cor dhe Apollonius Konijnenburg, që “me Piet Keizer (futbollisti i parë hollandez i historisë që kish siguruar një kontratë si profesionst meAjax) kishin Interpro, kompaninë që kishte shitur Van Basten tek Fiorentina – sipas prapaskenave me të guximshme – në 1986 (por vjollcët e skaduan opsionin prej përçarjeve të brendshme dhe përfundoi tek Milan një vit më pas). Dhe Coster Cor nuk ishte njeri dokudo, por një ish tregtar mjaft i pasur diamantesh dhe vjehërri i Cruijff, duke qenë babai i fotomodeles Danny. Raiola nis t’i dalë përpara, nuhat mundësinë e bërjes biznes: atëhere Ajax merrte lojtarë nga të rinjtë e skuadrave të tjera me një parametër shumë të ulët dhe më pas i shiste jashtë vendit, Mino fillimisht i propozon Corrado Ferlaino që të blejë skuadrën Haarlem nga Napoli, për të bërë të njëjtin operacion, por më pas ka parë të perëndojë gjithçka dhe ka nisur të lëvizë vetëm, deri në marrëveshjen me sindikatën”. Operacioni i parë i vërtetë në Itali qe pikërisht ai që çoi Roy tek Foggia, pasuar pak kohë më pas nga transferimi i parë i rëndësishëm, ai i Bergkamp dhe Wim Jonk tek Inter. Pastaj hapja me jashtë me Nedved, më pas goditja e vërtetë, domethënë prokura e Zlatan Ibrahimoviç. Që e ka treguar kështu takimin e tyre: “Kishim një tavolinë të preontuar aty, por nuk e dija se çfarë tip njeriu të kërkoja, imagjinoja një tip të ngrirë në kostum me një orë më të trashë se timen. Por çfarë dreq individi ishte ai që hyri pas meje? Me xhinse, një bluze Nike dhe me atë bark të madh, dukej si një nga Sopranot. Duhet të bënte agjentin ky lloj barkaleci? Dhe kur porositëm, çfarë mendoni se erdhi? Një pjatë sushi me avocado dhe karkaleca? Jo, erdhi një mal me gjëra, ushqim sa për pesë veta dhe ai përlau gjithçka si i babëzitur”.

Përreth Ibra vërtitet shumë nga fati dhe mitologjia e Raiola. Çdo ndryshim skuadre ka qenë një goditje për futbollistin dhe për agjentin. Dhe Zlatan ka ndryshuar 7 të tilla. Njëri prej këtyre, ai nga Inter tek Barcelona ka qenë themelor edhe për ndërtimin e personazhit dhe mitologjinë mbi pikën e tretë të biografisë së tij që nuk mund të mungojë: komisionet. Në marrëveshjen që mundësoi arritjen e Ibra tek Barça, klubi impenjohej që t’i derdhte agjentit një shpërblim prej 1 milion e 200 mijë eurosh në vit deri në skadimin e kontratës së futbollistit me klubin. Ndodh prej vitesh që skuadrat u paguajnë komisione prokurorëve, e megjithatë duket sikur i ka shpikur Raiola, me gjithçka që kjo nënkupton. Sepse mbi komisionet ngrihet edhe superstruktura e negativitetit që rrethon futbollin global. E vërteta është se, për futbollin, Raiola është personazhi i dekadës. Ka qenë ai që e ka transformuar përfundimisht prokurorin në protagonist. E ka kapur rolin e tij dhe e ka bërë të dalë nga errësira e dhomave në të cilan pryhen punët dhe e ka nxjerrë përpara telekamerës. Një Don King pa flokët e ngritur e me syze, ama me të njëjtën aftësi për të bërë shou në çdo deklarim.

Është mbreti i tavolinës: ul dhe ngre postin e lojës. Me skuadrën nga vjen dhe me atë që është e interesuar për lojtarin e tij. Në thelb, zanati është ky: të veprosh në mënyrë të tillë që i asistuari yt të paguhet më shumë, në mënyrë që edhe agjenti të rrisë komisionet e tij. Thjeshtësia e të natyrshmes që për paradox komplikon verën edhe dimrin e tifozëve, trainerëve, shokëve, kundërshtarëve. Sepse prokurorët ushqejnë pasione dhe tensione, entuzazmojnë dhe deprimojnë. “Çdo zgjidhje është e mundur”, u thotë Raiola djemve të tij. Nuk ka siguri, “Puna ime nuk është që t’i çoj të gjithë këtu apo atje. Nuk jam taksixhi. Menaxhoj njerëz për të cilët jam shumë krenar që nuk kanë dalë kurrë nga province. Zanati im është që të ndihmoj njerëzit të gjejnë dimensionin e tyre. Me djemtë nuk ka kontrata. Mjafton një shtrëngim duarsh. Takohemi dhe kuptohemi, por, më pas, nëse nuk kuptohemi më, të lirë të gjithë. Tani e pyesin të gjithë: si e ke bindur Pogba? “Ma kërkoi ai. Në fillim nuk kisha shkuar as edhe ta takoja pasi më dukej një humbje kohe. Më zgjoi një mik: “Mino, po gabon”. I dhashë të drejtë. E pashë të luante dhe u dashurova. Nuk po gaboja, po kryeja një krim”. 100 milion e më tepër për Juventus, 13 në vit për 5 vjet futbollistit, 25 për të. Masa e krimit sot është kjo. Ama është dimensioni i asaj që shumë e kanë mbajtur të fshehur. Sepse problem nuk është Raiola sesa të mos besosh në atë që ka. Pogba ishte i United me kosto zero.

Sot është investimi më i shtrenjtë i historisë së tij dhe njëkohësisht i historisë së futbollit. Për paradoks, Raiola është zgjidhja: pa të, ndoshta Pogba i larguar nga Manchester United në moshën 19 vjeçare do të kishte përfunduar në gjysmëharresë. Atëhere kush ka të drejtë? I thonë dhe do t’i thonë gjithmonë se nuk ka asnjeri në botë që një monument si Alex Ferguson ta urrejë më shumë se të. Sepse duke çuar Pogba tek Juve, Mino demonstroi se edhe monumentet gabojnë: “Ferguson thotë se nuk ka urryer kurrë asnjeri përveç meje. Është një kompliment i madh. Nëqoftëse nuk ke armiq, nuk ke punar mirë. Gjërat normale i bëjnë të gjithë. Unë lëviz ajrin. Lëviz ëndërrat. Dhe herëpasëhere zemëroj ndokënd”. / Përgatiti: ARMIN TIRANA

(nga La Stampa) / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button