Motivuese

Historia e një babai dhe një djali, mbi vlerën e jetës, që do t’ju emocionojë pamasë…

Një ditë, një djalë i vogël e pyeti të atin se çfarë vlere kishte jeta e tij. Në vend që t’i përgjigjej, i ati i dha djalit një gur të çmuar dhe i tha të shkonte ta shiste në një market. Ai i la porosi të birit se nëse dikush do të pyeste për çmimin, të ngrinte dy gishta e të mos thoshte asgjë.

Kështu që djali shkoi në një market dhe një grua e pyeti: “Sa kushton ky gur? Dua ta kem në kopshtin tim”. Djali nuk tha asgjë, por thjesht ngriti dy gishta. Gruaja e pyeti: “Dy dollarë? Po e ble”. Djali shkoi me nxitim në shtëpi t’ia thoshte të atit të tij. “Një grua do ta blejë këtë gur për dy dollarë”.

Babai, i qetë, i tha të birit: “Biri im, dua që ta çosh këtë gur në një muze dhe nëse dikush të pyet se sa kushton, thjesht ngri dy gishta dhe mos thuaj asnjë fjalë”. Djali shkoi në një muze dhe një burrë u interesua për ta blerë atë gur. Ai nuk tha asgjë, por thjesht ngriti dy gishta dhe burri tha: “200 dollarë? Do ta ble”. Djali u shokua nga gjithë kjo diferencë në dollarë, saqë shkoi menjëherë në shtëpi dhe i tha të atit se dikush donte ta blinte atë gur për 200 dollarë.

I ati vazhdoi: “Biri im, vendi i fundit se ku dua të shkosh, është në një dyqan për gurët e çmuar. Tregoja këtë gur pronarit dhe mos i thuaj asgjë. Nëse ai të pyet çmimin, thjesht tregoji dy gishta”. Djali shkoi në një dyqan bizhuterish të shtrenjta dhe ia tregoi gurin pronarit të atij dyqani. Pronari e pyeti: “Ku e gjete këtë gur? Është një nga më të rrallët në botë dhe unë dua ta kem pjesë të koleksionit tim. Sa ma shet?”.

Djali thjesht i tregoi dy gishta dhe pronari vazhdoi: “200.000 dollarë? Do ta ble që tani”. Djali nuk dinte çfarë të thoshte, thjesht vrapoi për në shtëpi dhe i tregoi menjëherë të atit se kishte takuar dikë që donte ta blinte gurin e çmuar për 200.000 dollarë.

Babai e pa drejt e në sy, duke i thënë: “Biri im, a e kuptove tashmë vlerën e jetës tënde? Nuk ka rëndësi se nga vjen, ku ke lindur, çfarë ngjyre lëkure ke, apo nëse ke lindur në një familje të pasur apo jo. Ajo që ka rëndësi, është se ku kërkon ti ta vendosësh veten tënde, se cilët njerëz kërkon të mbash pranë dhe se si vendos ta motivosh veten tënde. Ti mund ta jetosh jetën duke e menduar të vlefshme sa një gur me vlerë dy dollarë, apo të rrethuar nga njerëz që do të bënin të mendoje se jeta jote kishte aq vlerë. Por çdokush ka një diamant brenda vetes së tij. Jemi ne që e vendosim për ta rrethuar veten tonë me njerëz që arrijnë ta shohin diamantin brenda nesh. Jemi ne që e vendosim nëse kemi vlerën e gurit në market, apo të gurit në dyqanin e gureve të çmuar. Jemi ne që gjithashtu e vendosim për të parë vlerat e njerëzve të tjerë, si dhe për t’i ndihmuar ata të shohim diamantin brenda vetes së tyre. Zgjidhi njerëzit, me të cilët e rrethon veten tënde me vlera. Vetëm kjo gjë ka për ta bërë gjithë diferencën në jetën tënde”.

Leave a Reply

Back to top button