Histori

Historia në sytë e dëshmitarëve: Roma, shembja e një perandorie

E kush do ta besonte? Si mund të rrëfehet denjësisht e gjithë kjo histori? Si ka luftuar Roma brenda vetvetes jo për lavdi, por për të qëndruar në këmbë – madje jo, Roma as që nuk ka luftuar, por me flori dhe me gjithë sendet e tjerë të shtrenjtë ka paguar haraç për jetën e saj… Kush do ta besonte se Roma, e ndërtuar me pushtimin e të gjithë botës, do të shembej përtokë? Se vetë mëma do të shndërrohej në varrin e të gjithë popujve?

Screen Shot 2015-07-28 at 10.41.21

Në kulmin e saj, kufijtë e perandorisë romake shtriheshin që nga veriu i Anglisë, nëpër Detin e Veriut, përgjatë lumenjve Rind he Danub drejt Detit Kaspik, në jug të Egjiptit, përgjatë bregut të Afrikës deri në Spanjë. Rënia dhe më pas shembja e kësaj perandorie shumë të madhe ndodhi përgjatë një periudhe prej shumë vitesh, përpara se të pësonte fundin e hidhur në shekullin e pestë. Rënia e perandorisë ndoqi një model, në të cilin periudha të zgjatura dobësie shoqëroheshin nga shpërthime të paqëndrueshëm force, që pashmangshmërisht shkaktonin rënie të mëtejshme. Forca që motivuan shkatërrimin e saj erdhën nga “kalbja” e brendshme e strukturës së saj ekonomike, politike dhe sociale, e kombinuar kjo me sulmet e pareshtura të barbarëve nga jashtë.

Hunët u shfaqën për herë të parë në atë që është sot Evropa Lindore aty rreth vitit 370. Duke vërshuar nga stepat e Azisë Qendrore, mbërritja e tyre i shtyu tributë vendase si vandalët dhe visigotët në drejtim të perëndimit, duke shkaktuar një përplasje me perandorinë romake. Në vitin 376, visigotët kaluan Danubin – një kufi tradicional i perandorisë romake – dhe u turrën në mizëri drejt perëndimit. Dy vite më vonë, visigotët mposhtën romakët në betejën e Adrianoppojës, duke dobësuar edhe më tej perandorinë.

Më në perëndim, vandalët kapërcyen Rinin – një tjetër kufi tradicional i perandorisë – në vitin 406. Ata vazhduan sulmet e tyre më në jug në Spanjë, duke kapërcyer pirenejtë në vitin 409. Një vit më vonë, visigotët pushtuan Romën dhe vazhduan më tej drejt Spanjës.

Në 429, vandalët kapërcyen Ngushticën e Gjibraltarit dhe mbërritën në brigjet e Afrikës. Ata vazhduan sulmet e tyre drejt lindjes përgjatë bregut dhe rikapërcyen Mesdheun për të zbritur sërish në Itali. Në vitin 455, ata ndoqën gjurmët e visigotëve dhe pushtuan Romën. Tashmë, Perandoria Romake Perëndimore kish marrë fund. Megjithatë, një gjurmë e Romës vazhdoi të jetojë. Pjesa Lindore e saj, me kryeqytet Kostandinoppojën, vazhdoi të qëndrojë në këmbë edhe për 1000 vite të tjerë, deri kur ra në duart e myslimanëve në vitin 1453.

“KUSH MUND TA BESONTE KËTË GJËMË?”

Shën Zheromi kish lindur diku rreth vitit 430. Ai erdhi në Romë dhe u pagëzua aty rreth vitit 360. Pjesën e mbetur të jetës ai ia kushtoi studimeve akademike dhe përkthimit të Biblës në latinisht. Vdiq në vitin 420. Shën Zheromi ka hedhur në letër këto shënime, si dëshmitar i shkatërrimit të perandorisë, në vitin 406:

“Kombe të panumërt dhe më të egër kanë pushtuar Golin. I gjithë rajoni ndërmjet Alpeve dhe Pirenejve, oqeani dhe Rini, janë shkatërruar prej Kaditëve, Vandalëve, Sarmatëve, Alanëve, Gepidaëve, Herulëve armiqësorë, Saksonëve, Burgundianëve, Alemanëve dhe Panonioanëve. Perandoria jonë e gjorë! Maiens (Mainc, Gjermani), dikur një qytet kaq fisnik, është pushtuar dhe rrënuar, dhe brenda në kishë, mijëra burra janë masakruar. Vorms (Gjermania) është shkatërruar pas një rrethimi të gjatë. Reims, ai qytet i fuqishëm, Amiens, Arras, Spajer (Gjermani), Strasburg – të gjithë kanë parë qytetarët e tyre të marrin arratinë. Akuatin dhe provincat e Lionit dhe Narbonës, të gjithë përveç disa pak qyteteve, janë shpopulluar; dhe këtyre, shpata u kanoset nga jashtë, dhe uria nga brenda.

Nuk mund të flas pa më vërshuar lotët për Tuluzën, të cilën vetëm merita e Peshkopit të Shenjtë Eksuper e ka shpëtuar deri tani nga shkatërrimi. Madje edhe Spanja përjeton terrorin e përditshëm nga frika e zhdukjes, duke kujtuar pushtimin e Cimbrit; dhe çfarëdo që provincat e tjera kanë vuajtur një herë, vazhdojnë ta vuajnë në makthet e tyre.

Do të mbaj heshtje për pjesën tjetër, se mos dukem shumë i dëshëpruar në mëshirën e Perëndisë. Për një kohë të gjatë, që nga Deti i Zi e deri në Alpet Juliane, ato gjëra që janë tonat nuk kanë qenë tonat; dhe për tridhjetë vjet, që kur u thye kufiri i Danubit, lufta është zhvilluar mu në mes të Perandorisë Romake. Lotët na janë tharë nga mosha. Përveç disa të moshuarve, të gjithë të tjerët kanë lindur në robëri dhe rrethim, dhe nuk e duan lirinë, të cilën nuk e njohën asnjëherë.

E kush do ta besonte? Si mund të rrëfehet denjësisht e gjithë kjo histori? Si ka luftuar Roma brenda vetvetes jo për lavdi, por për të qëndruar në këmbë – madje jo, Roma as që nuk ka luftuar, por me flori dhe me gjithë sendet e tjerë të shtrenjtë ka paguar haraç për jetën e saj…

Kush do ta besonte se Roma, e ndërtuar me pushtimin e të gjithë botës, do të shembej përtokë? Se vetë mëma do të shndërrohej në varrin e të gjithë popujve? Se të gjithë rajonet e Lindjes, Afrikës dhe Egjiptit, dikur të sunduar nga qyteti mbretëreshë, do të mbusheshin me trupa skllevërish dhe shërbëtorësh? Që sot, Bethelemi i shenjtë duhet të strehojë burra dhe gra të lindur fisnikë, që dikur ishin të zhytur në bollëk e pasuri dhe sot janë lypës?”

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button