Kritikët e presidentit Donald Trump e cilësuan atë fashist qëkur garoi në vitin 2016. Ky epitet vazhdoi të përdorej edhe pas Ditës së Zgjedhjeve, teksa Trump përsëriti pretendimet e rreme për manipulimin e madh të procesit,dhe e akuzoi pabazë presidentin e zgjedhur Joe Biden se ishte përpjekur të vidhte zgjedhjet.
Por historiania Ruth Ben-Ghiat, që ka analizuar për rreth një shekull udhëheqjet autoritare në librin e saj të ri “Udhëheqësit autoritarë: Nga Mussolini deri në ditët e sotme”, mendon se termi “fashizëm”, duhet të përdoret vetëm për të përshkruar diktatorët dhe shtetet njëpartiake në vitet 1920-1930, dhe konkretisht filozofinë e pushtimit territorial që nisi me diktatorin italian Benito Mussolini pas Luftës së Parë Botërore .
Në një intervistë për revistën “Time”, ajo argumenton se Trump përfaqëson bashkë me politikanë si Vladimir Putin i Rusisë dhe Viktor Orban i Hungarisë, një racë të re udhëheqësish, të cilët punojnë brenda sistemeve demokratike, por i drejtojnë ato në mënyra jodemokratike.
Nga ndryshon përkufizimi juaj i ri mbi udhëheqësite fortë,nga përkufizimet e mëparshme?
Në libër unë tregoj se këta autoritarë të rinj – gjërat që ata bëjnë, janë të reja për shkak të mediave sociale; ka më pak gjenocid, më shumë burgime; ata përdorin mjetet e sundimit në një mënyrë tjetër – mbeten të ankoruar në traditën e madhe autoritare.
Liderët me dorë të hekurt, janë një nëngrup autoritarësh që kërkojnë besnikëri totale, e dëmtojnë demokracinë për nevojat e tyre, dhe përdorin forma të ndryshme të dhunës për të bashkëvepruar me njerëzit e tyre dhe me sundimtarët e tjerë. Kur Putini heq këmishën dhe zbulon gjoksin, ky akt nuk ka të bëjë vetëm me vanitet ose narcisizëm. Është një mjet i legjitimitetit politik.
Çfarë priret të ndodhë në botë kur në pushtet ngjiten të fortët?
Kur ka pasur periudha të një progresi të madh shoqëror -si barazia gjinore, shekullarizmi, barazia racore -kjo gjë krijon një klimë të një ankthi dhe zemërimi ekstrem tek njerëzit e tjerë që nuk u pëlqen ky progres. Të gjitha këto frikëra ishin shumë aktive në vitet 1920-1930. Dhe tek këta gjejnë mbështetje këto figura autoritare.
Ata janë në gjendje të hyjnë në aleancë me elitat konservatore, sepse kjo gjë është shumë e rëndësishme. Ata duhet të futen nga dikush në rrjedhën kryesore politike. Edhe në një situatë të një grushti shteti ushtarak, kemi sërish të njëjtën dinamikë, pasi arsyeja pse grushti i shtetit pranohet nga elitat konservatore, është për të njëjtat arsye të frikës nga ndryshimi, frikës nga emancipimi i njerëzve të gabuar.
A shpresoni që studimi juaj të ndryshojë narrativën, mbi ndonjërin prej të fortëve që keni studiuar?
Njëri prej tyre ishte Musolini, që ishte për 3 vjet kryeministër i një demokracie. Gjatë asaj kohe, ai e degradoi demokracinë në mënyra që sot janë shumë të njohura. Pastaj ai shpalli diktaturën për t’i shpëtuar një hetimi të veçantë kundër tij që mund ta kishte futur në burg.
Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi, ishte shumë i rëndësishme pasi u fut në këtë klimë të re politike të krahut të djathtë.
Ai kishte një kult të vërtetë personaliteti, që askush nuk e kishte pasur në Itali që nga Musolini. Ai është kundër emigrantëve dhe myslimanëve. Shumë nga axhenda e të fortëve të sotëm – nga Orban te Putini dhe Trumpi në Amerikë – ishte paralajmëruar nga ajo që bëri Berlusconi. Berlusconi nuk e hoqi kurrë qafe demokracinë, por ai arriti ta “mbështjellë” rreth gishtit të tij.
Në librin tuaj, ju citoni Hannah Arendt:”Subjekti ideal i sundimit totalitar, nuk është nazisti ose komunisti i bindur, por njerëzit, për të cilët dallimi midis faktit dhe trillimit, dhe midis së vërtetës dhe së gabuarës nuk ekziston më”. Si përshtatet kjo me keqinformimin që ndodh sot?
Në vitin 2015, kur Trump tha se duhet të “kuptojmë se çfarë po ndodh”(në lidhje me emigracionit e myslimanëve në SHBA), unë mendova se ai po përpiqej të na bënte të pasigurt për këtë gjë. Dhe kjo nuk është ajo që bënë fashistët, as Hitleri dhe Musolini.
Ajo që thanë ishte ligj. Ndalohej interpretimi alternativ i realitetit.
Një gjë që ka ndryshuar në shekullin XX, është “manuali” që vjen nga Putini, që nuk ka të bëjë vetëm me censurimin e njerëzve. Putin përpiqet që t’i hutojë që të gjithë, duke e përmbytur vendin me zhurmë. Pra, ky është një ndryshim i madh në këtë shekull, dhe ai është bërë i mundur nga shpejtësia e përhapjes së informacionit dhe mediave sociale.
Çfarë ndodh me një shoqëri pasi një udhëheqës autoritar largohet nga pushteti?
Viktimat kanë shenja në trupat e tyre, trauma familjare, dhe trauma shoqërore. Por ka edhe një mori mënyrash të menduari mbi botën dhe ritualet që trashëgohen. Institucionet dobësohen, ekspertët dëbohen. Ideologët gjejnë vend në burokracinë shtetërore.
Dhe kjo i lë shoqëritë e dobësuara. Brezat të tërë duhet të ri-kualifikohen. Kjo ndodhi pas rënies së komunizmit. Amerikanët kanë qenë të ekspozuar ndaj këtyre proceseve vetëm në miniaturë. Këto janë gjëra që mund të ndodhin edhe nëse nuk jeni në një diktaturë.
Presidenti Trump është një nga politikanët, tek i cili përqendroheni në librin tuaj. A vëreni paralele historike për sjelljen e tij rreth zgjedhjeve?
Unë mendoj se ajo që po shohim është tipike për autoritarët e rinj, që sot vijnë në pushtet me zgjedhje. Ata shfrytëzojnë boshllëqet ligjore, dobësitë në sistemet rregullatore dhe sistemet ligjore, për të konsoliduar pushtetin e tyre. Parregullsitë zgjedhore janë një tipar i autoritaristëve sot, pasi ata nuk mund t’i zhdukin zgjedhjet si procedurë. Ky është një ndryshim me shekullin e XX-të. Pra, nëse u duhet të mbajnë zgjedhjet, ata janë të sigurt se
do t’i manipulojnë ato.
Cilat janë mënyrat të tjera, që mund t’u tregojnë qytetarëve, nëse një njeri autoritar po kandidon për një post të lartë?
Nëse dikush flet se sa i dhunshëm është në një mënyrë pozitive, ne mund të jemi të sigurt
se ai nuk do ta respektojnë sistemin demokratik. A e lidhin ata veten me dhunën që në fushatë? Zhair Bolsonaro e bëri këtë. Ai tha nëse do të zgjidhej president, Brazili do të kishte spastrimin më të madh që ishte parë ndonjëherë. Kur Trump tha në vitin 2016:“Unë mund të qëndroja në mes të bulevardit Fifth Avenue të qëlloja dikë me armë, dhe të mos humbja asnjë votues”, unë thashë “O Zot, ja ku kemi mbërritur!”. / Time