Bota

Hollande në Moskë. A po lind një epokë e re?

Screen Shot 2015-11-26 at 22.10.21

Nga Hugh Schofield

Vizita e presidentit francez, Francois Hollande në Moskë, vjen në një moment kur reshtimet diplomatike dhe prioritetet ndryshojnë me shpejtësi, të nxitura prej terrorit të SHtetit Islamik.

Disa shohin tek kjo një potencial për një epokë të re në marrëdhëniet ruso-franceze. Ndoshta jo aleancë strategjike si një herë e një kohë, por me siguri një fund i ngricës së kohëve moderne.

Ngjarjet kanë ecur me shpejtësi. Një vit më parë, Franca ishte në mesin e një grindjeje të madhe mbi luftanijet që refuzonte t’ia shiste Putinit. Për Francën, udhëheqësi rus ishte një prani destabilizuese në kufijtë lindorë të Europës. Sanksionet e BE-së – që duhej të frenonin ambiciet e Rusisë në Krime dhe Ukrainë – kishin mbështetjen e plotë të Francës.

Rusia, një “aktor madhor”

Sot ka probleme më urgjentë. Pas sulmeve në Paris, presidenti Hollande pati vizionin e një koalicioni unik ndërkombëtar – vendet e botës që punojnë së bashku për të çrrënjosur ISIS-in.

Realiteti e ka ulur disi atë ambicie. Amerikanët dhe rusët nuk do të punojnë së bashku, së afërmi. Dhe kriza turko-siriane për rrëzimin e avionit Sukhoi është një ndërlikim i mëtejshëm.

Por sërish, francezët duan sa më shumë vende në anën e tyre, që të jetë e mundur. Dhe rusët, për shkak të pranisë ushtarake në Siri, janë një aktor i madh. Siç tha një diplomat për Le Monde: “Në këtë moment, jemi ndoshta më të përgatitur për të punuar e rusët, nga sa është Barack Obama”.

Presidenti Hollande ka dy objektiva në bisedimet e tij me Putinin. Së pari, ai dëshiron të bindë Rusinë që të drejtojë sulmet ajrore nga opozita e moderuar siriane, në drejtim të objektivave që i përkasin ISIS-it.

Së dyti, ai dëshiron një mirëkuptim që Rusia nuk do të qëndrojë pafundësisht në mbështetje të Assadit. Francezët ndiejnë se kanë bërë një ndryshim domethënës në politikë, duke hequr si prioritet largimin e udhëheqësit sirian.

Perceptime të goditura

U desh që të kapërdijë krenarinë për ta bërë atë lëshim, sepse deri dy javë më parë, Parisi ishte fshikulluesi më i madh i presidentit Assad. Por francezët nuk mund të shkojnë më larg në këtë linjë. Dhe ata mendojnë që edhe Rusia duhet të bëjë ndonjë lëshim.

Ka një numër faktorësh në favor të një afrimi. Së pari, Rusia tashmë gjendet vetë ballë për ballë me terrorizmin e Shtetit Islamik – me shkatërrimin e avionit të turistëve që nisej nga Sharm el Sheik. Kjo gjë i ka ndryshuar perceptimet në Moskë, teksa tani ISIS është armiku. Së dyti, Rusia ka shumë interes ta kultivojë Parisin si një mik të ri.

Interes i përbashkët

Menjëherë pas sulmeve të Parisit, Putini urdhëroi ushtrinë e tij që të koordinojë me francezët në fushatën kundër ISIS – një akt i paprecedentë, duke patur parasysh se NATO është në NATO. Udhëheqësi rus ishte i shfrenuar në dhembshurinë e tij, e madje dërgoi edhe një qen – Dobrynyan – për të zëvendësuar Dieselin, qenin alsasian të forcave speciale që u vra gjatë sulmit në Saint Denis.

Ishte gjithçka e mirëmenduar, sepse nuk ka asgjë që rusët do ta donin më shumë se sa të joshnin francezët, duke i larguar nga orbita amerikano-perëndimore.

Në departamentet e gjeopolitikës në universitetet ruse – si dhe në disa franceze – kjo konsiderohet një domosdoshmëri e diktuar prej historisë.

Franca dhe Rusia, në fund të fundit, janë dy kombe të mëdhenj që qëndrojnë në secilin skaj të kontinentit – me një interes të përbashkët në moslejimin e dominimit të tij qoftë nga të huajt (SHBA), qoftë të brendshmit (Gjermania).

Përgjatë tre shekujve të fundit, të dy vendet kanë qenë aleatë periodikë – sidomos para Luftës së Parë. Por edhe vetë presidenti Charles De Gaulle – ndonëse ishte antikomunist – mbante distancë me amerikanët, duke flirtuar me Bashkimin Sovjetik. E çfarë mund të jetë më e natyrshme, thonë në Kremlin, se sa që Franca të marrë rolin e vet të natyrshëm, duke krijuar një trekëndësh me Uashingtonin dhe Moskën?

Por sado joshëse mund të tingëllojë kjo për disa në Francë, nuk është se po ndodh një ndryshim gjeostrategjik.

Së pari, francezët nuk i besojnë Vladimir Putinit.

Së dyti, dy vendet kanë ende pikëpamje të kundërta për shumë çështje kyçe.

Franca nuk do ta braktisë asnjëherë Ukrainën. Dhe në Lindjen e Mesme, aleatët e Francës janë shtetet e Gjirit dhe Arabia Saudite – dhe jo boshti i shiitëve që mbështet Rusia.

Ka një bashkërendim interesash që afron Parisin dhe Moskën. Me pak fat, mund të ndihmojë në betejën kundër ISIS.

Por nuk ka një aleancë të re. /BBC

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button