Bota

I forti i Kremlinit

putini

Vladimir Putin, njeriu i fortë i Kremlinit, ka qenë Kryeministër i Federatës Ruse nga 8 gushti 1999 deri në 7 maj 2000. I paracaktuar nga Boris Jelsini, ai u zgjodh president i Federatës Ruse nga viti 2000, dhe më pas u rikonfirmua në zgjedhjet e 14 marsit 2004. Në pamundësi për të marrë një mandat të tretë, për shkak të kufizimeve të Kushtetutës Ruse, ka favorizuar fitoren e delfinit të tij, Dmitri Medvedev, i cili në këmbim e emëroi Kryeministër po atë ditë që u ul në karriken e presidentit, në maj 2008.

Në 4 mars 2012, u zgjodh për herë të tretë president i Federatës Ruse duke pasuar Medvedevin. Ngjitja e tij në pushtet, e ndërtuar me një luftë në Çeçeni, grushtin e hekurt ndaj terroristëve, vënien në resht të oligarkëve, një demokraci e kontrolluar nga lart, shfaq të çarat e para. Por ai vazhdon të paraqitet si i vetmi udhëheqës që mund të garantojë stabilitetin dhe mbrojtjen e vendit, nga ndërhyrjet e huaja si dhe kundërshtarët e përshkruar si “çakej”, tradhëtarë, majmunë.

Bir i klasës punëtore, i prirur për një të folur me zhargon, i pëlqen shumë që të kultivojë përpara telekamerave imazhin e tij prej maçoje dhe sportiv, duke u vënë vetë në komandë të anijeve, avionëve, traktorëve, duke u bërë protagonist në ndeshje xhudoje (me rrip të zi), kalërimeve gjysmë i zhveshur, takimeve nga afër me arinj, tigra, balena, leopardë.

Jeta e tij private mbetet një tabu. Sipas një studimi të një think tanku që punon për Pentagonin, presidenti rus mund të ketë sindromën e Aspergerit. Putini, thuhet në raportin e përfatitur nga Kolegji i Marinës i SHBA në Njuport të Rhode Island, është i prekur nga “një mosfunksionim i gamës autiste që ndikon në të gjithë vendimet e tij”. Raporti është siguruar nga e përditshmja amerikane “Usa Today”, duke përdorur Ligjin për Lirinë e Informimit. Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, e ka hedhur poshtë në distancë diagnozën, duke e quajtur “një marrëzi që nuk meriton as një koment”./Ansa

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button