Donald Trump po i vë armën në kokë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke kërkuar pagesa gjigante reparacionesh dhe duke pretenduar gjysmën e burimeve të naftës, gazit dhe hidrokarbureve të Ukrainës, si dhe pothuajse të gjithë sektorin e metaleve dhe një pjesë të madhe të infrastrukturës.
Versioni më i fundit i të ashtuquajturës “marrëveshje për mineralet”, i siguruar nga The Telegraph, është i paprecedentë në historinë e diplomacisë moderne dhe marrëdhënieve ndërmjet shteteve.
“Është një dokument shpronësimi,” tha Alan Riley, ekspert i së drejtës energjetike në Atlantic Council. “Nuk ka garanci, as klauzola mbrojtjeje – SHBA nuk jep asgjë. Amerikanët mund të tërhiqen kur të duan, ukrainasit jo. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë”.
Teksti nuk lë dyshime: qëllimi kryesor i Trumpit është ta përfshijë Ukrainën si provincë të industrisë amerikane të naftës, gazit dhe burimeve natyrore.
Ai lidhet ngushtë me bisedimet paralele SHBA-Rusi për një partneritet të gjerë energjetik, përfshirë planet për rivendosjen e rrjedhave të gazit nga Siberia Perëndimore drejt Evropës, ku kompani amerikane dhe financues të lidhur me Trumpin do të marrin pjesë me aksione të mëdha.
Gazi do të kalojë fillimisht nëpërmjet rrjetit ukrainas, e më vonë nëpërmjet Balltikut, kur të rihapet tubacioni i dëmtuar Nord Stream.
Sipas draftit të ri, Fondi Amerikan për Investime në Rindërtimin e Ukrainës do të kontrollojë mineralet kritike dhe të tjera, naftën, gazin natyror (përfshirë edhe gazin natyror të lëngëzuar), hidrokarburet dhe të gjitha materialet e nxjerrshme.
Lista përfshin të gjitha materialet kritike të përcaktuara në Aktin e Energjisë së SHBA, përfshirë mineralet e rralla dhe mbi 50 elementë të tjerë si litiumi, titani, kobalti, alumini dhe zinku.
SHBA gjithashtu do të kontrollojë infrastrukturën që lidhet me burimet natyrore, rrugët, hekurudhat, tubacionet, portet, terminalet, rafineritë, fabrikat e përpunimit dhe objektet e gazifikimit.
Tre nga pesë anëtarët e bordit të fondit do të emërohen nga SHBA-ja.
SHBA do të ketë aksione “A” dhe aksione të arta, që i japin fuqi vendimmarrëse absolute.
Amerika do të marrë të gjitha të ardhurat nga burimet e Ukrainës derisa vendi të ketë shlyer të paktën 100 miliardë dollarë borxh lufte, me interes 4% – më pak se 350 miliardët që Trump kishte përmendur më parë, por gjithsesi përbëjnë gjysmën e PBB-së së Ukrainës dhe janë praktikisht të papagueshme.
Ukraina do të ketë vetëm aksione “B” dhe do të përfitojë 50% të të ardhurave vetëm pasi të shlyejë të gjitha detyrimet.
Fondi është i regjistruar në Delaware, por nën juridiksionin e shtetit të Nju Jorkut. SHBA do të ketë të drejtën e parë të refuzimit për çdo projekt. Po ashtu, mund të kontrollojë librat dhe dokumentet e çdo ministrie apo agjencie ukrainase në çdo kohë gjatë orarit zyrtar.
SHBA mund të vendosë veto për shitjen e burimeve të Ukrainës ndaj vendeve të tjera, gjë që mund të ndalojë eksportet drejt Kinës ose Evropës.
“Nuk është e përputhshme me anëtarësimin në BE,” thotë Prof. Riley. “Dhe ndoshta kjo është pjesë e synimit. Mendoj se qëllimi i vërtetë është që ta detyrojnë Zelensky-n ta refuzojë.”
SHBA nuk investon asnjë kapital. Kontributi amerikan konsiderohet ndihma ushtarake e kaluar. Nuk ofrohet asnjë garanci sigurie për Ukrainën.
Traktat në stilin e shekullit XIX
Marrëveshja përmban disa deklarata retorike si: “Populli amerikan dëshiron të investojë përkrah popullit ukrainas në një Ukrainë të lirë, sovrane dhe të sigurt.” Ajo njeh rolin e Ukrainës në paqe, duke përmendur dorëzimin vullnetar të arsenalit të tretë më të madh bërthamor në botë në vitin 1994 (Memorandumi i Budapestit).
Por termat e marrëveshjes janë madje edhe më të ashpra sesa versionet e mëparshme, të cilat ishin cilësuar nga juristët ndërkombëtarë si grabitqare dhe neo-koloniale.
Ky dokument kujton traktatet e pabarabarta që fuqitë evropiane i imponuan Kinës në shekullin XIX. “Është një mënyrë mizore për të trajtuar një aleat demokratik që po lufton për ekzistencën e vet politike dhe për të mbrojtur vijën e jashtme të Perëndimit ndaj imperializmit rus.”
Shtëpia e Bardhë e Trump thotë se Putini nuk do të guxonte të sulmonte nëse SHBA ka interesa tregtare në terren. Por kjo bie poshtë, duke pasur parasysh që administrata është duke negociuar edhe marrëveshje energjetike të favorshme me Kremlinin dhe me Kirill Dmitriev, kreun e fondit rus të pasurisë sovrane, i trajnuar nga McKinsey.
Mediat ruse flasin për kthimin e kompanive amerikane të naftës në Arktik, por edhe për shkëmbim teknologjie fracking.
Gazeta gjermane Bild raportoi se bisedimet për rihapjen e Nord Stream 2 janë zhvilluar në fshehtësi në Zvicër, me pjesëmarrjen e agjentit të dikurshëm të Stasit, Matthias Warnig, dhe të dërguarit të Trump-it, Richard Grenell – i njohur për afërsinë me Kremlinin.
Këto kushte do t’i jepnin kompanive amerikane kontroll operacional dhe përfitime të mëdha, një “dhuratë ligjore” për rrethin e Trump-it, siç e përshkruan një kritik. “Po flitet për Nord Stream. Do të ishte interesante nëse amerikanët do t’i shtynin evropianët të heqin dorë nga refuzimi i gazit rus,” tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.
Katastrofë diplomatike për Perëndimin
Ukrainës i kërkohet të pranojë këtë marrëveshje nën petkun e investimeve, ndërsa Steve Witkoff, negociatori i Trump, përsërit propagandën e Kremlinit, duke legjitimuar referendumet e rreme në Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, dhe duke i dhënë Rusisë paraprakisht territore që ende nuk i ka pushtuar plotësisht.
Por në një dëgjesë të fundit në Senatin amerikan, gjenerali Jeff Kruse, kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, dëshmoi se Rusia është në vështirësi të mëdha dhe mund të shterojë plotësisht brenda vitit, nëse Perëndimi qëndron i bashkuar.
Putin ka harxhuar fondet emergjente dhe po dëmton ekonominë e vet. Dronët ukrainas po shkatërrojnë kapacitetet e tij të eksportit të naftës – ndaj ai ka më shumë nevojë për armëpushim energjetik sesa Ukraina. “Trump po shkatërron një dorë fituese,” tha Tim Ash nga Chatham House.
Ndërkohë, Trump ka rënë dakord të ndihmojë Rusinë të rikthehet në tregjet ndërkombëtare bujqësore dhe të plehrave kimike, të ulë kostot e sigurimeve detare, si dhe të lehtësojë qasjen në portet dhe sistemet e pagesave.
Putin kërkon gjithashtu rikthimin e bankës Rosselkhozbank në sistemin SWIFT dhe heqjen e embargos ndaj pajisjeve bujqësore, të cilat mund të përdoren për qëllime ushtarake. Dhe është shumë pranë arritjes së këtyre qëllimeve.
Sistemi i sanksioneve të BE-së është në prag të shpërbërjes. Hungaria dhe Sllovakia kanë deklaruar se nuk do të votojnë për zgjatjen e sanksioneve ekzistuese – që do të thotë se ato do të skadojnë automatikisht në korrik, së bashku me kontrollin mbi 200 miliardë eurove të Bankës Qendrore Ruse të bllokuara në Evropë.
“Nëse edhe vetëm një shtet anëtar i BE-së voton kundër zgjatjes së ngrirjes së aseteve, ajo përfundon. Banka Qendrore Ruse mund të tërheqë menjëherë fondet e saj nga Euroclear,” shpjegojnë ekspertët, Anton Moiseienko dhe Yuliya Ziskina.
Për gjithë fjalët mbi reparacionet dhe drejtësinë, BE do të gjendej duke i dorëzuar 200 miliardë euro regjimit që nisi luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – një moment në stilin e Afganistanit për politikën e jashtme evropiane.
Ky është drejtimi ku po shkon Evropa, me hezitimet e saj “të kalibruara me kujdes”. Në fund, Evropa dhe Britania do të duhet të paguajnë për rindërtimin e asaj që do të mbetet nga Ukraina pas kësaj tradhtie, ndërsa Trumpi përfiton ekonominë e saj dhe Putini merr 200 miliardët e tij mbrapsht.
John Ratcliffe, drejtor i CIA-s, tha në Senat këtë javë se Trumpi e di që do të ishte e rrezikshme nëse Putini arrin qëllimet e tij maksimale. Por gjithë provat deri tani tregojnë të kundërtën. / The Telegraph – Bota.al