
Në një vend ku politika ka prodhuar tribuna, skandale dhe figura teatrale, Giulio Andreotti ishte përjashtimi absolut. I vogël në shtat, me shpinë paksa të përkulur, zë të ulët dhe ironi therëse, ai arriti diçka që pak politikanë në Evropën e pasluftës e kanë bërë: të sundojë pa u dukur.
Ish Kryeministri italian nuk premtonte dhe nuk i entuziazmoi kurrë turmat. Dhe megjithatë, për dekada të tëra në Itali, asgjë e rëndësishme nuk lëvizte pa kaluar, në një mënyrë a tjetër, përmes tij. Kështu lindi nofka Il Divo. Jo për madhështinë morale, por për paprekshmërinë.
Giulio Andreotti nuk ishte produkt i karizmës, por i institucioneve. Ai u formua në zemër të Demokracisë Kristiane, partisë që qeverisi Italinë pothuajse pa ndërprerje pas Luftës së Dytë Botërore. Në një sistem të ndërtuar mbi ekuilibra të brishtë, ai u bë njeriu i stabilitetit.
Ndërsa të tjerët grindeshin në ekranet televizive, Andreotti negocionte në korridore. Ndërsa të tjerët kërkonin duartrokitje, ai kërkonte kohë. Ishte politikë pa spektakël, por me kujtesë të gjatë.
Realpolitikë italiane
Për Andreottin, politika nuk ishte një betejë mes së mirës dhe së keqes. Ishte menaxhim frike.
Frikë nga komunizmi. Frikë nga kaosi social. Frikë nga prishja e ekuilibrit ndërkombëtar.
Në kontekstin e Luftës së Ftohtë, Italia ishte një pikë nevralgjike: një vend perëndimor me një parti komuniste të madhe. Dhe Giulio Andreotti u bë arkitekti i një vije të qartë që duhej ndjekur: Perëndimi, NATO, SHBA-ja. Jo si deklaratë ideologjike, por si garanci mbijetese për sistemin. Në këtë logjikë, kompromisi nuk ishte tradhti, por domosdoshmëri.
Heshtja si metodë
Giulio Andreotti fliste pak pikërisht sepse dinte shumë. Kur akuzat për lidhje me mafian nisën të dalin në dritë, ai nuk reagoi me zemërim. Nuk kërkoi rehabilitim moral publik. Ai bëri atë që dinte më mirë: priti.
Proceset gjyqësore u zvarritën. Dosjet u trashën. Opinioni publik u lodh. Dhe ndërkohë, Andreotti mbeti po aty. Jo sepse u shpall hero, por sepse sistemi nuk dinte si ta rrëzonte plotësisht. Në fund, drejtësia juridike foli ndryshe nga ajo morale.
Asnjë analizë e Giulio Andreottit nuk është e plotë pa Vatikanin. Ai ishte ura e padukshme mes politikës laike dhe diplomacisë fetare. Në një Itali ku Kisha mbetej autoritet moral, Andreotti e kuptoi se legjitimiteti nuk fitohet vetëm me vota.
Këto lidhje nuk ishin thjesht ideologjike. Ato ishin mbi të gjitha strategjike. Vatikani ofronte heshtje, ndikim dhe stabilitet. Andreotti, nga ana tjetër, ofronte mbrojtje institucionale.
“Pushteti konsumon ata që nuk e kanë”
Aforizmat e Andreottit janë më shumë se batuta. Ato janë manual i vërtetë për mënyrën se si duhet të sillesh me pushtetin.
Ai besonte se ata që kërkojnë pushtetin me pasion, zakonisht nuk janë të denjë për të. Ndërsa ata që e trajtojnë si barrë, janë pikërisht ata që e mbajnë më gjatë.
Giulio Andreotti nuk kishte iluzione për natyrën njerëzore dhe ai nuk besonte te transparenca absolute. Për të, morali ishte luks që sistemi e përballon vetëm në kohë paqeje.
Tangentopoli dhe fundi i botës së vjetër
Skandalet e viteve ’90 nuk rrëzuan vetëm individë. Ato rrëzuan një epokë. Republika e Parë italiane u shemb dhe bashkë me të, edhe terreni ku Andreotti kishte operuar me mjeshtëri. Ai nuk u rrëzua si një tiran. U tërhoq si një figurë e vjetër, që i kishte mbijetuar kohës së vet, por jo në botën e re mediatike, të shpejtë, të zhurmshme.
Giulio Andreotti nuk është figurë për përmendore e as për rehabilitim sentimental. Ai është pasqyrë.
Eshtë pasqyra e një Italie që zgjodhi stabilitetin mbi idealizmin, heshtjen mbi përballjen, strukturën mbi moralin. Il Divo na kujton se pushteti më i fortë nuk është ai që bërtet, por ai që nuk ka nevojë të shpjegohet. / bota.al





