
Nga Vietnami te Afganistani, deri te Irani dhe Ukraina. Kur konfliktet, të nënvlerësuara, përgënjeshtrojnë parashikimet
Massimo Nava
“Fitorja e Pirros” është një shprehje e njohur për të përshkruar një sukses në betejë, i arritur me një kosto aq të lartë, saqë në pak kohë shndërrohet në humbje. Historia është plot me shembuj luftërash që nisën me beteja fitimtare, por përfunduan keq, si dhe konfliktesh të fituara, kostoja ekonomike dhe njerëzore e të cilave u pagua më pas nga breza të tërë.
Në shkollë studiohen luftërat napoleonike dhe fushata katastrofike e Rusisë, rezistenca e gjatë dhe e paparashikuar e Trojës, luftërat pushtuese të Aleksandrit të Madh, të përfunduara keq pas vdekjes së papritur të heroit. Në kohë më të afërta, mund të kujtojmë operacionet e dështuara ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Vietnam, Afganistan dhe Irak, të cilave me shumë gjasë do t’u duhet shtuar edhe Irani. Të njëjtat konsiderata vlejnë edhe për pushtimin rus të Ukrainës, i menduar katër vjet më parë si një shëtitje e sigurt drejt ndryshimit të regjimit në Kiev, por që u shndërrua në një luftë të pafund pozicionesh, me qindra mijëra të vrarë.
Morali është mjaft i thjeshtë, dhe të habit fakti që politikanët dhe strategët ushtarakë vazhdojnë ta marrin kaq pak parasysh. A thua siguria në epërsinë e vet ushtarake dhe “fisnikëria” politike apo ideologjike e motiveve ofrojnë automatikisht çelësat e suksesit, mundësisht të shpejtë.
Në të vërtetë, asnjë luftë nuk vazhdon dhe nuk përfundon sipas skenarit me të cilin është konceptuar dhe nisur. Variablat, mjetet dhe format e rezistencës së armikut, aftësia e popullsisë së sulmuar për t’u përshtatur, kushtet meteorologjike, reagimi i opinionit publik të brendshëm, nënvlerësimi i arsenalit kundërshtar, mund të jenë të pafundme. Ato përmbysin strategjitë dhe detyrojnë ndryshime gjatë rrugës, të cilat ndonjëherë e ndërlikojnë edhe më shumë situatën.
Në Iran, Uashingtoni dhe Tel Avivi mendojnë se po luftojnë një shtet, një ushtri dhe një regjim që, në njëfarë mënyre, e kanë goditur tashmë në kokë. Në të vërtetë, ata përballen me milicinë paralele më të madhe në botë, të stërvitur nga dekada konfliktesh të jashtme dhe të brendshme për një rezistencë të pafund. Edhe kësaj here, mësimi i luftës kundër terrorizmit pas 11 shtatorit, që përfundoi në katastrofat e Afganistanit dhe Irakut, duket se nuk ka shërbyer.
Koalicioni i udhëhequr nga amerikanët në vitin 2003 e rrëzoi për pak javë regjimin e Saddam Husseinit, por më pas u zhyt në kënetën terroriste që tronditi Irakun dhe u shtri edhe në Siri. Ndryshimi i regjimit në Kabul përfundoi me rikthimin e talebanëve dhe me tërheqjen katastrofike të forcave amerikane, të urdhëruar nga presidenti Joe Biden. Sot, në Iran, Donald Trump është tërhequr në një dështim strategjik nga Izraeli, i cili ndjek objektiva të ndryshëm dhe në kundërshtim me Uashingtonin. Bombardimet masive dhe vrasjet e figurave të regjimit e kanë dobësuar pa dyshim vendin, por mbetet iluzion të flitet për dorëzim. Kjo sepse është nënvlerësuar pesha e “milicisë së shtetit”, Pasdaranëve, ushtarakisht më të dobët, por të stërvitur për rezistencë dhe të aftë, siç është parë, të paralizojnë tregun botëror të energjisë.
Për më tepër, ata kontrollojnë tregun e brendshëm energjetik, aparatet ushtarake dhe trafikun që lind nga sanksionet. Një kryengritje e brendshme ndoshta mbetet ende e mundur, por përballë rrjetit të Pasdaranëve rreziku i një lufte civile katastrofike është jashtëzakonisht i madh.
Në frontin ukrainas, lufta ka hyrë në vitin e pestë dhe ende nuk ka një rrugëdalje të mundshme. Edhe këtu vlen reflektimi se cilët faktorë, përtej forcës ushtarake, mund të ndikojnë në përfundimin e një lufte.
Në Ukrainë, jo vetëm presidenti rus Vladimir Putin, por shumica dërrmuese e politikanëve, analistëve dhe komentatorëve e mbivlerësuan fuqinë ushtarake ruse dhe nënvlerësuan atë të Ukrainës. Nga llogaritja e rreziqeve për nisjen e një konflikti shpesh lihen jashtë faktorët socio-politikë. Si rrjedhojë, Rusia, e konsideruar si fuqi e madhe, duhej ta kishte mposhtur shpejt fuqinë më të vogël ukrainase. Në realitet, u pa se Ukraina, me mbështetjen e armëve perëndimore, ndoshta jo të parashikuar nga Kremlini, zhvilloi një kapacitet të madh rezistence dhe sakrifice patriotike, ndërsa superfuqia ruse u detyrua të ndryshojë planet e betejës gjatë rrugës, pasi konstatoi mangësi të mëdha materiale dhe strategjike.
Historia na lë një listë të gjatë përpjekjesh të dështuara për ndryshim regjimi dhe eksportim demokracie. Të bën të pyesësh veten nëse liderët disponojnë informacione të plota dhe të besueshme, nëse rrethi i këshilltarëve u përgjigjet vërtet interesave të kombit, nëse shërbimet inteligjente e bëjnë gjithmonë detyrën e tyre, apo nëse, siç ka ndodhur ndonjëherë, ato anashkalohen për t’iu përshtatur kapriçove të shefit. / Corriere della Sera – Bota.al