Udhetim & Turizem

Imagjinoni Adriatikun pa vendbanime dhe Pulian pa turma njerëzish: Kjo është Shqipëria, surpriza e Verës 2017

Revista italiane “Dove”, ndër më të njohurat në fushën e turizmit në Itali, ka botuar një speciale për Shqipërinë, ku fton lexuesit e saj që të zbulojnë bukuritë e jashtëzakonshme të një vendiku mbizotëron “Bukuria e ashpër”, dhe ku herë-herë të duket se koha është ndalur në vend.

Bota.al po boton një pjesë nga artikulli i dytë, shkruajtur nga Françeska Masoti…

E largët, e egër. E panjohur. Po sikur të jetë kjo surpriza e verës 2017? Për Shqipërinë, 70 milje detare nga Otranto, kujtohen mbi të gjitha kronikat dramatike të viteve nëntëdhjetë, kur mijëra refugjatë (në 7 mars 1991, në Portin e Brindizit zbarkuan 27 mijë) vërshuan në brigjet puljeze, për t’i ikur një vendi të zhytur në krizë, pas pothuaj gjysmë shekulli izolim. Eshtë histori jo e largët, por që atëherë, Shqipëria ka ndryshuar krejtësisht.

Në shtetin ballkanik, i cili në vitin 2009 dorëzoi kërkesën për të hyrë në Bashkimin Europian, banojnë pak më shumë se 3 milionë njerëz (më shumë se 6 milionë jetojnë jashtë, të shpërndarë mes Italisë, Greqisë, SHBA dhe Kanadasë). Shqipëria nuk është vetëm një vend që po rindërton imazhin e vet politik dhe po zhvillon ekonominë. Eshtë kandidate për t’u bërë destinacion turistik i planit të parë. Pika e fortë, natyrisht, është deti, me 427 kilometra bregdet. Në veri janë brigjet adriatike, 273 km gjatësi, karakterizuar nga ujëra pak të thella, me plazhe ranorë pa fund (me shtrirje deri 5 km) dhe të mbrojtur nga pyje me pisha.

Në zonën jugore brigjet joniane, 154 kilomera gjatësi, dhe kryesisht shkëmbore, me pjerrësi dhe plazhe me gurë të bardhë.

Ndër të parët që e zbuluan Shqipërinë ishin anglezët. Për ta, rrëfen e përditshmja Telegraph, vendi është ende një destinacion “jashtë radarëve”, krahasuar me Greqinë dhe Turqinë. Më pas erdhën suedezët, gjermanët dhe amerikanët, kureshtarë për të zbuluar atë që Nju Jork Tajms e ka quajtur “Bukuria e ashpër”.

Nuk është vetëm deti. Shqipëria ka gjithashtu tre vende që janë pjesë e Trashëgimisë së Njerëzimit (Butrinti, dhe qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës), ndërkohë që në pritje konfirmimi janë 15 parqe kombëtare, dhjetë zona arkeologjike. E më tej, lumenj, liqene, qytete historike dhe fshatra ku – dhe jo thjesht sa për të thënë – koha duket sikur është ndalur. Pyje që duket sikur janë fotografuar në shekullin XiX.

Revista “Dove” ka eksploruar pjesën jugore të vendit. Hapësira të mëdha, bukuri, magjepsje. Një tokë që zbulohet dalëngadalë dhe që fitohet pa ngut, në makinë, kthesë pas kthese, mal pas mali. / Dove – Bota.al

Lexoni edhe:

https://www.bota.al/2017/05/supriza-shqiperi-a-jeni-gati-per-nje-zbulim-te-ri/

Leave a Reply

Back to top button