Infarkti është një nga sëmundjet më të rrezikshme kardiovaskulare dhe shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Ndaj ka edhe një rëndësi të veçantë trajtimi. Njerëzit duhet të jenë sadopak të informuar për këtë “ngjarje” që vjen si pasojë e një sërë shkaqesh. Që nga gjenetika, duhanpirja, alkooli, jeta sedentare, kequshqyerja etj. Në thelb procesi se si ndodh një infarkt është kombinim i aterosklerozës (grumbullim i yndyrnave në enët e gjakut që furnizojnë zemrën me gjak – enëve koronare), me “ngjitje” të pllakave të gjakut deri në pikën kur bllokimi i enës ose i të treja enëve koronare të bëhet kritik 100% duke mos lejuar që ajo pjesë e zemrës që furnizohet me gjak nga ena apo enët e prekura, të vuajë për oksigjen.
Shenjat më tipike të një infarkti janë:
- Dhimbja e gjoksit (kryesorja)
Jo çdo dhimbje gjoksi mund të ketë natyrë infarkti. Dhimbjet mund të vijnë edhe nga shkaqe të tjera, nga brinjët, muskujt e kraharorit, sëmundjet reumatizmale, ose refluksi gastrik (që jep zakonisht djegie). Dhimbja e infarktit është dhimbjë që nuk zgjat shumë, mesatarisht 5 minuta dhe nuk i kalon 15 minuta. Është dhimbje shumë e fortë shtrënguese prapa dërrasës së kraharorit, me përhapje zakonisht në krahun e majtë, në qafë deri në nofullën e poshtme, si dhe midis shpatullave.
- Aritmi (palpitacione)
Infarktet shoqërohen shpesh me çregullime ritmi. Nëse pas episodit me dhimbje gjoksi, ndjeni edhe ndjesi të rrahurash jo të rregullta, ka shumë gjasa që dhimbjen ta keni përjetuar si pasojë e një infarkti.
- Dispne (mbajtje fryme)
Infarktet në fazën e tyre akute shoqërohen shpesh me mbajtje fryme. Një shenjë e tillë vjen jo vetëm si pasojë e lidhjes së ngushtë që ka sistemi respirator me atë kardiovaskular, por edhe reagim fiziologjik i organizmit. Gjatë dhimbjes, vëmendja përqendrohet tek dhimbja dhe mënyra se si ta kalosh atë, më tepër se sa tek frymëmarrja.
- Lodhja dhe dobësia trupore
Edhe kjo shenjë vjen pas shenjës klinike kryesore. Kjo vjen si pasojë e “stresit” që sapo kaloi organizmi gjatë fazës kryesore të infarktit, pra është më tepër pasojë e saj. Por, duhet kuptuar se jo çdo lodhje dhe dobësi trupore që vjen pas dhimbjes së gjoksit tregon se ke kaluar një infarkt. Vetëm nëse dhimbja është e fortë dhe me elementët që sapo sqaruam, është indikatore e një infarkti.
Në të gjitha shenjat e mësipërme, nuk duhet të qëndroni në shtëpi dhe ta mbani veten me qetësues, paracetamolë apo ibuprofen. Dhimbja normalisht e ul intensitetin pas maksimumi 15 minutash, por infarkti mbetet aty dhe duhet trajtuar me urgjencë, ndaj duhet të paraqiteni në spital për të marrë trajtimin e duhur.