Ekonomi

“Infektimi” nga lehtësimi monetar

screen-shot-2016-09-14-at-14-45-37Nga Carmen Reinhart

Xhekson Houll, Uajoming – Shqyrtimi i vendimeve të bankave më të mëdha qëndore të botës muajin e kaluar, të fton të shtrosh një pyetje thelbësore: kur dhe ku do të marrë fund ky lehtësim monetar? Në fund të korrikut, Banka e Japonisë njoftoi se do të ruajë normat e saj aktuale negative të interesit, si dhe programin e blerjes së obligacioneve. Njëkohësisht, ajo u zotua që thuajse të dyfishojë blerjet vjetore të aksioneve në treg, nga 3.3 trilionë jen (32.9 miliardë dollarë) në 6 trilionë.

E megjithatë, shpallja e një pakete të politikës monetare, që në një epokë të ndryshme do të qe cilësuar në mënyrë absurde akomoduese, aktualisht i ka zhgënjyer tregjet financiare. Për hidhërimin e politikëbërësve japonezë, jeni u forcua përkundrejt monedhave kryesore. Pastaj, në fillim të gushtit, Banka e Anglisë uli kostot e huamarrjes, duke rritur lehtësimin e saj sasior (QE), dhe akorduar një shtesë prej 131 miliardë dollarësh, për të inkurajuar bankat të japin hua.

Në përgjigje të zhvlerësimit domethënës të paundit kundrejt dollarit amerikan dhe monedhave të tjera në vijim të referendumit në Mbretërinë e Bashkuar, ku u votua në favor të daljes nga Bashkimi Evropian, Banka e Anglisë tregoi se ky veprim qe një përpjekje parandaluese për të zbutur efektet negative në ekonominë vendase, pas Brexit.

Në përgjigje të stimulit të ri monetar, tregu i aksioneve në Londër pësoi rritje, dhe po ashtu edhe paundi britanik. Në të njëjtën javë, Banka e Rezervave e Australisë uli normën e saj bazë të interesit në një rekord historik prej 1.5 përqind. Procesverbali i atij takimi, sugjeron se ulja ka për qëllim kryesor forcimin e monedhës vendase, në pritje të uljes të mëtejshme të normës së interesit dhe rritjes së lehtësimit sasior nëpër botë.

Anëtarët përmendën “mundësinë e stimujve të mëtejshëm nga një numër bankash të mëdha qëndrore”. Ngjashëm, Banka Rezervë e Zelandës së Re uli normën bazë në 2 përqind, për t’iu  kundërvënë forcave deflacioniste dhe frenimit të zhvlerësimit të mëtejshëm të dollarit të Zelandës së Re. Në këtë rast, ulja e normës së interesit ndodhi kundër një sfondi të rritjes solide ekonomike, si dhe një tregu të vrullshëm të banesave.

Bota ka qenë po në këtë pikë edhe më parë, vetëm emrat kanë ndryshuar. Në librin e tij klasik të vitit 1944 “Përvoja ndërkombëtare e monedhës”, Ragnar Nurkse argumentonte se politika deflacioniste pas rënies së standardit të arit të viteve 1920, operonte duke ulur vlerën e këmbimit valutor të monedhave, me zhvlerësimin e paundit britanik në vitin 1931, çka shkaktoi një epidemi zhvlerësimesh në mbarë botën.

Ndërsa është e zakonishme të besohet se zhvlerësimet qenë të destinuara për “t’iu lutur fqinjit”, Nurkse vuri në dukje se ato qenë të shoqëruara shpesh nga politika monetare ekspansioniste, nga të cilat përfitoi tregtia botërore. Arsyeja për favorizimin e monedhave të dobëta, ishte se kursi konkurrues i këmbimit do të parandalonte një tkurrje të mëtejshme të prodhimit të brendshëm dhe çmimeve (deflacionit).

Qëllimi ishte të zëvendësohej kërkesa e jashtme, në formën e një përmirësimi të eksporteve neto, me kërkesën e brendshme të mangët. Ne nuk jetojmë më në një botë të dominuar, sikurse qe në kohën e Nurksesit, nga normat fikse të këmbimit. Termi “zhvlerësim” nuk është i përshtatshëm, kur përshkruhen luhatjet e monedhës brenda një sistemi të luhatshëm të normave të këmbimit. Megjithatë furia e fundit e veprimeve të bankave qendrore dhe koha e tyre (pavarësisht diversitetit të konsiderueshme në aspektin e kushteve të brendshme ekonomike), sugjeron se shkurtimet e normave të interesit dhe format jo tradicionale e lehtësimit sasior, në mos konkurruese, sigurisht që janë ngjitëse.

Ky vëzhgim nuk synon të nënkuptojë që drejtimi i përgjithshëm i akomodimit të politikës monetare është i papërshtatshëm. Perspektiva e deflacionit, përbën një kërcënim për prosperitetin dhe stabilitetin financiar, veçanërisht tek vendet me rritje të ulët dhe nivele të larta të borxhit publik dhe atij privat. Por natyra ngjitëse e shkurtimeve të normave bazë të interesit, ka ngritur pikëpyetjen nëse politikat e brendshme monetare janë bërë sërish më shumë të ndërvarura.

Do të duket sikur në mesin e shumë nga bankave më të mëdha qendrore të botës, askush nuk dëshiron ta ketë monedhën e fortë. Kjo, të paktën, të kujton epokën e Nurksesit. Në çfarë pozicioni i lë kjo bankat e tjera të mëdha qëndrore? Zyrtarë të lartë kinezë, kanë filluar kohët e fundit t’i bëjnë thirrje Bankës Popullore të Kinës të ulë normat e interesit dhe reduktojë rezervën valutore.

Sa për Shtetet e Bashkuara, Rezerva Federale përballet me presione konkurruese. Rritja e fortë e kohëve të fundit të vendeve të reja të punës, përfshirë edhe fitimet e shumëpritura nga punonjësit me paga të mesme, është një shenjë pozitive për tregun e punës në SHBA, dhe rritja e pagave dhe i ashtuquajturi inflacioni bazë janë të konfirmuara.

Në të njëjtën kohë, përfitimet nga rritja e punësimit nuk është përkthyer në mënyrë proporcionale në një prodhim më të lartë, teksa produktiviteti mbetet në depresion, dhe pritshmëria për inflacionin mbetet e ulët. Edhe pse lidhjet midis bazave ekonomike dhe lëvizjeve të monedhës janë të pakapshme, duket e besueshme që të pritet që një qasje me agresive e FED-it do të thotë të jetosh me një dollar amerikan më të fortë. Por a do të ndodhë kjo?

Përkeqësimi i eksporteve neto amerikane, pritet tashmë të reduktojë me rreth 0.8 pikë përqindje rritjen reale të PBB-së në tremujorin e parë të vitit 2016 (në masë të madhe në kurriz të prodhimit). Në fakt, defiçiti i llogarisë korrente amerikane po zgjerohet edhe një herë, ashtu si sufiçiti i llogarisë korrente të Gjermanisë, i cili pritet të mbërrijë një nivel të lartë prej rreth 8.5 përqind të PBB-së këtë vit (rreth tre here më shumë se sa norma e Kinës).

E gjitha kjo, së bashku me valën e akomodimit të bankave qendrore në mbarë botën (dhe perspektivat për më shumë qasje të njëjta), duket sikur prish ekuilibrin drejt një qasje më gradualiste të Rezervës Federale Amerikane për reduktimin e lehtësimit sasior. Me fjalë të tjera, kur është fjala për lehtësimin monetar global, dollari mund të mos ndalet tek FED-i. Me kaq shumë zhvlerësim në të gjithë botën, pse SHBA-të do të duan të ruajnë nderin e dyshimtë të një dollari të fortë?

www.bota.al / Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Easy Money Contagion

Leave a Reply

Back to top button