Horizonti.alMAIN

Inteligjenca Artificiale – nga laboratorët në qendër të gjeopolitikës

Në pak vite, gjeneruesit e inteligjencës artificiale (GenAI) kanë kaluar nga kureshtje teknologjike në një faktor vendimtar për mënyrën si rrotullohet bota. Ajo që dikur dukej si një mjet për të krijuar tekste, imazhe apo video, sot shihet si një pasuri strategjike që shtetet duan ta kontrollojnë njësoj si naftën, gazin apo mineralet e rralla. Një studim i fundit mbi Industry 5.0 e përshkruan këtë tranzicion si një revolucion të ri industrial, ku bashkëpunimi mes njeriut dhe makinerisë merr përmasa gjeopolitike.

Nga Industry 4.0 tek Industry 5.0

Nëse revolucioni i katërt industrial solli automatizimin, robotikën dhe internetin e objekteve, Industry 5.0 shkon përtej. Ajo fokusohet në qëndrueshmëri, përfshirje dhe bashkëpunim mes njeriut dhe teknologjisë. Në këtë realitet të ri, GenAI nuk janë thjesht algoritme të sofistikuara, por mjete që mund të diktojnë ekuilibrat e fuqisë globale. Aftësia për të kontrolluar, zhvilluar dhe përdorur këto sisteme përcakton tashmë kush ka avantazh në tregje, në diplomaci, madje edhe në fushën e sigurisë kombëtare.

Sovraniteti i të dhënave – fushëbeteja e re

Një nga fushat ku kjo teknologji po teston kufijtë është sovraniteti i të dhënave. Kush i zotëron të dhënat, kush i përpunon dhe ku ruhen ato, është shndërruar në një çështje politike dhe ekonomike jetike. Vendet po miratojnë ligje që detyrojnë kompanitë të mbajnë të dhënat brenda kufijve kombëtarë, duke e parë këtë si një mënyrë për të mbrojtur sigurinë dhe për të shmangur varësinë nga qendrat e huaja të të dhënave. Në këtë kontekst, qasja në “lëndën e parë” të epokës së re – informacionin – bëhet një instrument pushteti.

Pabarazia e aksesit

Jo të gjitha vendet nisen nga e njëjta pikë. Kombet që kanë investuar miliarda në superkompjuterë, qendra të të dhënave dhe arsim të avancuar për talentin e ri janë në pararojë. Ndërsa vende të tjera, pa infrastrukturë dhe pa burime njerëzore të mjaftueshme, rrezikojnë të mbeten vetëm konsumatorë të teknologjive të huaja. Ky hendek digjital mund të krijojë varësi të reja politike e ekonomike, duke përmbysur ekuilibra që ishin të konsoliduar.

Dualiteti civil-ushtarak

Një element që e bën GrnAI edhe më delikat është përdorimi i tij i dyfishtë. Të njëjtët algoritme që gjenerojnë përmbajtje edukative ose ndihmojnë në kërkim shkencor, mund të përdoren edhe për operacione kibernetike, për krijimin e dezinformatave ose për aplikime ushtarake. Kjo ngre pyetje të reja mbi kontrollin, transparencën dhe përgjegjësinë. Kush do ta mbajë nën fre këtë teknologji? A është e mundur që të ekzistojë një “traktat ndërkombëtar” për inteligjencën artificiale, njësoj si për armët bërthamore?

Një botë gjithnjë e më e fragmentuar

Studiuesit paralajmërojnë për rrezikun e fragmentimit dixhital. Nëse çdo shtet vendos barrierat e veta për të mbrojtur të dhënat dhe teknologjitë, bota rrezikon të ndahet në ishuj teknologjikë, me sisteme që nuk komunikojnë dhe me standarde të ndryshme. Kjo mund të ngadalësojë inovacionin, por mbi të gjitha mund të kthehet në një mjet presioni politik, ku qasja në teknologji përdoret si armë diplomatike.

Pse kjo ka rëndësi sot

GenAI po bëhet një shtyllë e industrisë së re, një aset gjeopolitik po aq i vlefshëm sa burimet natyrore. Vendet që kontrollojnë teknologjinë, qendrat e të dhënave dhe zinxhirët e furnizimit për çipat e avancuar do të kenë ndikim vendimtar mbi ekonominë dhe sigurinë ndërkombëtare. Në këtë garë, nuk bëhet fjalë vetëm për inovacion, por për pushtet, kontroll dhe sovranitet.

Në fund, pyetja që mbetet hapur është: a do të arrijë bota të krijojë rregulla të përbashkëta për këtë teknologji, apo GenAI do të bëhet arma e re e rivaliteteve globale? Përgjigjja do të përcaktojë jo vetëm ekonominë e së nesërmes, por edhe arkitekturën e paqes dhe konfliktit në shekullin XXI. / bota.al

Back to top button