
Të thuash “jeta” dhe të thuash “inteligjenca” është e njëjta gjë. Çdo qenie e gjallë jeton duke menaxhuar informacion: e merr dhe e përpunon atë për t’iu përgjigjur dy imperativeve biologjike që i vendos natyra, ushqimit dhe riprodhimit, dhe e bën këtë falë një aftësie të brendshme që quhet inteligjencë. Secili prej nesh ekziston kështu që nga dita e parë e jetës, kur instinktivisht kërkonim gjirin e nënës, prandaj mund të thuhet se secili prej nesh jeton falë faktit që është inteligjent. Nuk jemi aspak tabula rasa, siç pretendojnë disa
Vito Mancuso
Ekziston vetëm një inteligjencë dhe ajo është inteligjenca natyrore, nga e cila rrjedh edhe ajo artificiale: kjo është teza në bazë të këtij reflektimi. Është ajo që njerëzimi, në kulmet e tij spirituale, e ka ndjerë që nga lashtësia, duke folur për këtë inteligjencë të vetme, herë në termat e Logos-it, herë të Nous-it, Sophia-s, Dharma-s, Tao-s apo Maat-it, sipas gjuhëve dhe kulturave. Megjithatë, dua të tërheq vëmendjen mbi dy çështje: zhvillimi i inteligjencës artificiale mund të zvogëlojë, devijojë dhe deformojë inteligjencën natyrore, ndërsa përdorimi i inteligjencës natyrore mund të orientohet ose në mënyrë altruiste, ose egoiste. Çfarë na lejon të dallojmë këto përdorime të ndryshme të inteligjencës? Vetë inteligjenca, sigurisht, por e ngritur në një nivel më të lartë. Pikërisht mbi këto dy pika, rrezikun e inteligjencës artificiale dhe thellësinë e inteligjencës natyrore, dua të ndalem.
Duke u nisur nga teza se ekziston vetëm një inteligjencë, të thuash “jetë” dhe të thuash “inteligjencë” është e njëjta gjë. Çdo qenie e gjallë jeton duke menaxhuar informacion: e merr dhe e përpunon atë për t’iu përgjigjur dy imperativeve biologjike që i vendos natyra, ushqimit dhe riprodhimit, dhe e bën këtë falë një aftësie të brendshme që quhet inteligjencë. Secili prej nesh ekziston kështu që nga dita e parë e jetës, kur instinktivisht kërkonim gjirin e nënës, prandaj mund të thuhet se secili prej nesh jeton falë faktit që është inteligjent. Nuk jemi aspak tabula rasa, siç pretendojnë disa; përkundrazi, jemi një shpërthim lidhjesh dhe shkëmbimesh informacioni midis molekulave, qelizave, organeve dhe sistemeve tona, kështu që i gjithë organizmi ynë është një përpunim i vazhdueshëm i të dhënave përmes inteligjencës, duke qenë se inteligjenca, siç na mëson etimologjia latine, është aftësia për të krijuar lidhje.
Inteligjenca dhe jeta janë e njëjta gjë
Për këtë arsye them se të thuash “jetë” dhe të thuash “inteligjencë” është e njëjta gjë, dhe kjo vlen për çdo qenie të gjallë. Kudo që ka jetë, edhe te mikro-organizmat më të vegjël, shtazorë apo bimorë, është në veprim inteligjenca. Nga ky këndvështrim është e qartë se marrëdhënia jonë me inteligjencën artificiale duhet të gjejë kriterin e saj udhëheqës në forcimin e inteligjencës natyrore. Nëse makinat, me aftësinë e tyre të jashtëzakonshme për llogaritje, i shërbejnë inteligjencës natyrore mbi të cilën mbështetet jeta jonë, atëherë janë të mirëpritura dhe duhen inkurajuar; në të kundërt, duhen kufizuar, shmangur dhe madje kundërshtuar. Por si qëndron e vërteta? Cili është dhe cili do të jetë efekti i makinave inteligjente mbi inteligjencën njerëzore?
Ekspertët japin përgjigje të ndryshme dhe shpesh kontradiktore. Kujt duhet t’i besojmë? Si të zgjedhim mes atyre që thonë se inteligjenca artificiale është burimi më i madh për të ardhmen dhe se t’i kundërvihesh është marrëzi, dhe atyre që e konsiderojnë kërcënimin më të madh për njerëzimin tonë? Pa pretenduar se kam siguri, mund të them se kam vetëm intuita. Udhëhiqem nga kriteri i romakëve të lashtë, “cui prodest”, që do të thotë “kujt i shërben”, pra nga vlerësimi i interesave konkrete të atyre që flasin.
Nëse dikush që paralajmëron për rreziqet e inteligjencës artificiale nuk ka interes personal në këtë, madje vjen pikërisht nga ai sektor ku do të mund të përfitonte shumë më tepër, por ka zgjedhur të largohet për të pasur lirinë e fjalës, atëherë instinktivisht jam i prirur t’i besoj. Për këtë arsye dëgjoj me vëmendje figura si Geoffrey Hinton, laureat i Nobelit për fizikë në vitin 2024 dhe një nga zhvilluesit e inteligjencës artificiale në Google, i cili u largua nga pozicioni i tij pikërisht për të dhënë alarmin dhe që në Berlin, më 21 maj 2025, deklaroi: “Inteligjenca artificiale është si një tigër. Kur është e vogël duket e padëmshme, madje tërheqëse. Por do të rritet. Dhe nëse nuk jeni të sigurt se nuk do t’ju vrasë, duhet të shqetësoheni”.
Pse na shqetëson Inteligjenca Artificiale?
Hinton na fton të merakosemi dhe unë merakosem. Po pse? Kjo na çon te çështja e dytë. Çfarë na shtyn të shqetësohemi? Pse Hinton u largua nga Google? Çfarë e shtyn një njeri të tillë të flasë për të mbrojtur lirinë e qenieve njerëzore? Në përgjigjen e kësaj pyetjeje qëndron diçka shumë e rëndësishme, ndoshta vendimtare: niveli më i lartë i inteligjencës, ai që quhet ndërgjegje, më konkretisht ndërgjegje morale. Këtu inteligjenca jonë ngrihet në një shkallë tjetër: nuk është më thjesht një mjet për të përpunuar informacion dhe për të rritur fuqinë tonë, por bëhet një aftësi që gjykon realitetin sipas një kriteri tjetër, jo më interesit personal apo përzgjedhjes natyrore, por drejtësisë dhe së mirës, të mirës së përbashkët. Kjo do të thotë se për aq kohë sa ne shqetësohemi, ekziston ende shpresa që natyra jonë si qenie të lira dhe që mendojmë, nuk do të humbasë.
Ekziston vetëm një inteligjencë, por përmbushja e saj më e lartë nuk është llogaritja. Në llogaritje, egjiptianët e lashtë ishin dhe mbeten të pakrahasueshëm, siç e dëshmon piramida e Keopsit, ndërtimi i së cilës në rreth njëzet vjet mbetet ende kaq i pashpjegueshëm, sa disa i referohen edhe ndërhyrjes së jashtëtokësorëve. Megjithatë, egjiptianët nuk e shihnin kriterin udhëheqës të njeriut te aftësia për të llogaritur, por te aftësia për drejtësi, siç tregohet në skenën e peshimit të zemrës, kur i ndjeri paraqitej përpara peshores hyjnore dhe zemra e tij peshohej kundrejt pendës së Maat-it, perëndeshës së drejtësisë.
Ekziston vetëm një inteligjencë, por vula e saj është zemra dhe forma e saj më e lartë është inteligjenca e zemrës. Nëse ndjekim këtë kriter, inteligjenca artificiale nuk do të jetë kurrë një kërcënim, por përkundrazi do të bëhet një aleat i çmuar i yni. / La Stampa – Bota.al