Nunc est Bibendum

Intervista për “Nunc Est Bibendum” / Kujtim Çashku: Pa miq, dashuri dhe verë je një njeri i mjerë

 

Siç e kemi thënë disa herë Nunc est Bibendum, është një kënd bisedash, për miqtë e verës dhe distilateve, ose të paktën me këtë dëshirë ka lindur, e prej disa kohësh tashmë kishim menduar ti drejtonim pyetjet tona (gjashtë pyetje) dashamirësve e të apasionuarve të verës dhe distilateve, profesionistë e të sprovuar në zanate e fusha të ndryshme të  jetës, të vullnetshëm të ndanin me ne mendime, shijime, perceptime, …kujtime në përgjithësi,

Rasti desh ta fillonim me regjisorin Kujtim Çashku. E takuam atë në një mbrëmje dedikuar figurës së William Shakespeare në  të organizuar nga ai vetë pranë Akademisë Marubi. Vargjet shekspiriane dhe projektimet e sekuencave filmike nga e kaluara u “spërkatën” me verë shqiptare ofruar nga vetë prodhuesi. Mjeshtri nuk ngurroi të ndante me ne këto fragmente të shkurtra jete lidhur me verën.

A e mbani mend shijimin tuaj të parë të verës? Kur ka qenë? 

Më është dukur si diçka me një shije afër uthullës. Mbase vera që kam pirë atëherë nuk ka qënë e mirë. Në vitin 1963. Atëhere unë isha 13 vjeç. Im atë, më kishte marrë me vete në një fshat ku ai shkonte për gjueti.

Cila është/janë vera/verërat tuaja të preferuara? 

Verërat e rajonit Bourgogne, në Francë

Njëfarë H. Warner Allen ka thënë: “Nëna natyrë kishte ndërmend të kuqen kur bëri verën”. Po sipas jush?

Mendoj se nuk harroi as të bënte qiellin dhe peshqit në det, për verën e bardhë.

Ç’mendim keni për verërat shqiptare?

Dikur preferoja Kallmetin, sot verën “Çobo”.

Sa e rëndësishme është vera sot në jetën tuaj?

Pa miq, dashuri dhe verë je një njeri i mjerë.

Për poetin më të madh të gjermanëve “Jeta eshtë tepër e shkurtër për të pirë verëra mediokre’’. Po për ju?

Do të preferoja të pija një verë qoftë dhe pak mediokre, veç të isha me njeriun që dua dhe që nuk është aspak mediokër.

Intervistoi: Andi Qinami

Leave a Reply

Back to top button