LetersiPersonazhe

INTERVISTA / SALMAN RUSHDIE: Jeta ime si “Joseph Anton”

salman 2Për më shumë se një dekadë, shkrimtarit Salman Rushdie iu desh të jetojë i fshehur nga qëllimet e ekstremistëve myslimanë për ta vrarë në zbatim të një fetvaje të lëshuar nga Irani. Rushdie flet në këtë intervistë në lidhje me eksperiencën e mundimshme si dhe përse ka zgjedhur të shkruajë për të në librin me kujtime.

Rushdie, ju i keni vënë librit me kujtime pseudonimin që përdorët gjatë periudhës që qëndronit i fshehur.

Po. E para gjë që më thanë policët ishte se më duhej një pseudonim me qëllim që të mundësoja disa gjëra praktike: duheshin marrë me qera shtëpi të fshehta, si dhe më nevojitej një llogari bankare apo të firmosja ceqe. Vec kësaj, truprojave të mi u duhej një emër i koduar që ta përdornin kur të flisnin me mua. Por mu desh të mendohesha për ditë të tëra për ta gjetur.

Pastaj, nga të gjithë mundësitë, ju zgjodhët “Joseph Anton”?

Emrat e dy prej shkrimtarëve të mi të preferuar: Joseph Conrad dhe Anton Chekhov. Në fillim doja të përdorja emrin e një personazhi që kisha krijuar për një roman të ri. Personazhi ishte pak konfuz mendërisht dhe quhej Ajeeb Mamouli. Dukej se ishte i duhuri. Ajeeb do të thotë “i cuditshëm” ndërkohë që Mamouli do të thotë “normal”. Kështu që unë isha Z. “I Cuditshmi Normal”. Një kontradiktë në ndryshim të vazhdueshëm. Kështu ndihesha.

Dhe?

Personave që merreshin me sigurinë time nuk u pëlqeu ky emër. Shumë i vështirë për t’u mbajtur mend, shumë i vështirë për t’u shqiptuar, shumë aziatik. Armiku ynë do të ishte në gjendje të zbulonte, thanë. Më pas kombinova emra shkrimtarësh të tjerë si: Marcel Beckett, Vladimir Joyce, Franz Sterne. Ishin të gjithë qesharakë.

Por truprojave u pëlqeu Joseph Anton?

Shumë. Që nga ai moment për ta unë isha Joe, për 10 vjet. Hey Joe, më thoshin. E urreja. Kur isha i vetëm në shtëpi me ta, gjithmonë u thosha: Hej djema, përse nuk pushoni së më quajturi Joe për pak caste? Askush nuk është këtu dhe të gjithë e dimë kush jemi. Ishte e kotë. Më pas, i thosha vetes: Joe, duhet të jetosh, deri kur të vdesësh.

A iu desh Joe-së të vdesë nëmomentin kur u hoq siguria juaj personale në 1999?

Po. U ndieva i cliruar.

E megjithatë ju tani e keni ringjallur.

Sepse doja që njerëzit ta kuptojnë se sa e cuditshme është të jetosh në një botë ku të urdhërojnë që të heqësh dorë edhe nga emri yt.

Në një intervistë për Spiegel dy vite më parë, ju keni thënë që kjo periudhë ka qenë shumë e dëmshme për ju, emocionalisht dhe psikologjikisht. A ju ka ndihmuar tani që të shkruani për të?

Për një kohë të gjatë, nuk ndihesha emocionalisht i aftë që të ripërjetoja realitetin e atyre ditëve. Nuk doja. Mendoja: Unë kam dalë nga ai tunel i errët dhe në një farë mënyre ia kam dalë të përplas derën pas vetes. Përse nuk e lë mbyllur! Por gjithmonë e kam ditur që një herë do të shkruaja për të. Kam mbajtur një ditar, pothuajse që nga dita e parë.

Cdo ditë?

Pothuajse përditë. Ndonjëherë janë gjëra të shkurtra, ndonjëherë histori më të gjata. U bënë një mijë faqe në fund, një kaos total. Emory University në Atlanta i katalogoi për mua. Krejt papritur, kisha të parashtruar përpara meje jetën time në kohën e fetvasë, ditë pas dite. Ishte pothuajse një tronditje. Shkrimet fillonin që nga vjeshta e 1988, kur “Vargjet Satanikë” u botuan, deri në 2003.

A e dinit që një ditë do të shkruanit për të? Apo ishte një formë autoterapie?

I kam hedhur në ditar me qëllim që të mund t’i mbaja mend. Ngjarjet ishin kaq të fuqishme, dhe cdo gjë ndodhi kaq shpejt, saqë e dija se nuk do të isha në gjendje të mbaja mend se cfarë kishte ndodhur. Në ato ditë tmerrësisht të vetmuara në izolim, të shkruarit ishte e vetmja gjë që më mbetej.

Si ishin ato ditë?

Ditën kur u nxorr fetvaja, 14 shkurt 1989, u largova nga shtëpia ime në Londër dhe nuk e dija që nuk do të kthehesha për shumë ditë. Operacioni “Malachite”, emri që Ekipi Special i policisë së Londrës i dha cështjes sime, nisi të nesërmen. Në muajt e parë më lëvizën vazhdimisht, në hotele, motele të cuditshëm që menaxhoheshin nga oficerë policie të dalë në pension, apartamente të miqve dhe, më vonë në apartamente dhe shtëpi që merreshin me qera në momentin e fundit. Ditët i nisja duke u përplasur me truprojat në kuzhinë, ndërkohë që vetë isha me pizhama.

Sa truproja kishit?

Gjatë të gjithë viteve, kisha gjithmonë 2 truproja me mua, 24 orë në ditë. Kishte edhe dy shoferë dhe dy makina të blinduara, një Jaguar i vjetër dhe një Land Rover edhe më i vjetër. Makina e dytë sillej gjithmonë në rast se e para do të prishej.

A është e mundur të mësohesh me këtë?

Po, sigurisht. Por një zë i fuqishëm në kokë refuzonte ta bënte. Refuzoja të lejoja veten time që të pranoja këtë si jetën time. Gjatë gjithë kohës, përpiqesha që t’i jepja fund.

Ju luftuat publikisht. Ju u mbrojtët dhe u përpoqët të bindni Iranin që të heqë fetvanë. Por ju bëtë gjithnjë e më shumë armiq si pasojë e betejës suaj. A ishte gjëja e duhur që duhej bërë?

Refuzova të lejoja vetveten që të hiqja dorë nga këndvështrimi që unë kisha për botën si dhe të pranoja panoramën e sigurisë që ofronte policia. Kur kjo ndodh, ti bëhesh krijesa e tyre, dhe duhet të bësh cfarë të thonë. E vlerësoja shumë mënyrën si po mbrohesha, e kuptoja sa e rëndësishme ishte, dhe disa prej truprojave u bënë miqtë e mi. Por fushata ime publike dhe negociatat me personelin e sigurisë synonin gjithmonë që të rifitoja jetën normale.

Si mund të ishte një jetë normale, duke patur parasysh rrethanat?

Thjeshtë shansi për të takuar lexuesit kur botohej një libër, apo të firmosja një libër. Por truprojat nuk e donin këtë. Racionaliteti i tyre përbëhej nga vlerësime të pastër të riskut. Ata ishin krenarë që nuk kishin humbur asnjëherë, asnjë nga njerëzit që mbronin. Dhe donin që kështu të mbetej. Ata i kuptonin nevojat bazë në jetën en jë personi, si për shembull mundësia për të takuar time shoqe dhe tim bir, apo edhe të dilja e të darkoja me miq herë pas here. Por firmosja e një libri? Për truprojat e mi, përpjekja e shërbimit të sigurisë ishte shumë më e madhe se sa dobia. Me kalimin e kohës arrita t’i bind ta provojnë. Kishin pritur mijëra protestues, por askush nuk u shfaq. Kështu që, herën tjetër ishte më e lehtë. Ka patur shumë beteja të tilla. Kjo ishte jeta ime.

A e dini sa i vërtetë dhe konkret ka qenë risku ndaj jetës suaj?

Kur takova truprojat e mi ditën pasi u publikua fetvaja ata ende thoshin se do të më mbanin të fshehur dhe mbrojtur në një hotel për disa ditë, deri kur “problemi të zgjidhej vetë”. Por asgjë nuk u zgjidh. Më vonë pati incidente që e bënë rrezikun të prekshëm. Një burrë në një hotel të lirë në Paddington u hodh në erë tek përpiqej të montonte një bombë. Më vonë u mësua se bomba po përgatitej për mua. Më pas pati sulme të rëndë ndaj dy prej përkthyesve të mi, si dhe botuesin tim norvegjez. Të gjithë këta sulme nuk vinin nga amatorë, por vrasës profesionistë, që pajtoheshin nga regjimi iranian.

A ishit i azhornuar me statusin e rrezikut?

Policët ma thanë se kur u rrit niveli i rrezikut, dhe një apo dy herë në vit shkoja në zyrat qëndrore të shërbimit të fshehtë britanik për t’u takuar me oficerët e ngarkuar me cështjen time. Ishin mbresëlënës. Ishin njerëz që nuk flisnin brockulla dhe e dinin cfarë thonin.

Në libër shkruani edhe që disa zyrtarë të lartë policie ishin të kujdesshëm ndaj jush.

Po, ka patur edhe nga ajo sjellje. Që nuk isha lloji i personit që ata duhej të mbronin. Ministri i Irlandës së Veriut? Ok, këtë e kuptojmë. Por unë nuk isha si të tjerët, ata që meritonin mbrojtje sepse kishin bërë dicka për vendin e tyre. Isha dikush që po mbrohesha sepse kisha shkaktuar telashe. Në këndvështrimin e tyre, ishte faji im që myslimanët më ishin vënë për të më vrarë. Disa pjesëtarë të policisë, jo të gjithë, nuk e kuptonin se si dikush ishte i gatshëm të shkaktonte një rrëmujë të tillë për një problem kaq të largët… Të paktën, nëse libri im do të kish qenë për Anglinë…

Kritikat nuk vinin vetëm nga policia dhe myslimanët, por gjithnjë e më shumë edhe nga kolegë dhe intelektualë. Ndoshta kritiku juaj më i ashpër, John le Carre, ju akuzoi se kishit sulmuar një armik të njohur, një që reagoi ashtu sic pritej të reagonte.

Mendoj se duhet të jetë penduar që ka thënë ato gjëra, sepse është njësoj si të thuash që të gjithë intelektualët që kanë qëndruar kundër tiranëve e kanë merituar atë që kanë marrë. Garsia Lorka e dinte se sa brutal ishte Franko. Osip Mandelstam e dinte cfarë të priste nga Stalini. A duhej ta kishin mbajtur gojën mbyllur? Ngritja e zërit ndaj armiqve të njohur është pikërisht cfarë shkrimtarët e kanë bërë me nder gjatë historisë së letërsisë. Që Le Carre të thotë se është faji i tyre, kjo në rastin më të mirë është naive. Nuk i bën nder hsitorisë së letërsisë.

Por ndoshta sulmimi i një feje nuk është njësoj si kritika ndaj një diktature.

Këmbëngul për të drejtën e lirisë së fjalës, edhe kur bëhet fjalë për fetë.

Kështu për disa ju u bëtë një “martir i fjalës së lirë”, sic ka thënë dikur John Updike, ndërkohë që për të tjerë ishit një person që hapte telashe, që kishte fyer pa patur nevojë miliona myslimanë. Kjo trysni publike erdhi e iu shtua rrezikut ndaj jush. A është e mundur ta injorosh dicka të tillë?

Jo. Por Gunter Grass më dha një këshillë të vlefshme. Ai ka një problem të ngjashëm me personin e tij publik. Në një pikë, më tha, e shihte vetveten si dy njerëz. Ishte Gunter, që ai e njihte, dhe që familja dhe miqtë e njihnin. Ishte dhe Grass, që dilte para botës dhe bënte zhurmë. Një herë më tha: Ndonjëherë kan ndjesinë që mund ta dërgojë Grass jashtë, para botës që të bëjë zhurmë, ndërkohë që Gunter mund të qëndrojë i qetë në shtëpi.

Pra në rastin tuaj ishte Joe, njeriu që po ruanin truprojat tuaja. Dhe ishte Joseph Anton, që merrte shtëpi me qera dhe firmoste ceqe. Pastaj ishte Rushdie, njeriu që hapte telashe, dhe Salman ishte shkrimtari që rrinte ulur në vendin e tij të fshehtë. Mjafton për ta cmendur një person.

Ishte vërtetë cmenduri. Kishte një hendek të madh mes perceptimit publik dhe të vërtetës time private. Mendoj se sa më i famshëm je, aq më i madh është hendeku. Për shembull, mendoj që Madonna nuk e sheh veten si njeriun për të cilin shkruhet në gazeta. Një herë e kam takuar dhe, e them ndershmërisht, ishte një tip goxha konvencional. Fliste për cmimet e pronave. Të vetmen herë që e kam takuar – dhe e vetmja gjë që diskutoi ishin cmimet e pronave të paluajtshme në Marble Arch në Londër.

Kur sulmohesh dhe mbrohesh ashtu si ju, a krijon njeriu realitetin e vet? Dhe a e merr veten shumë seriozisht?

Po. Prandaj u përpoqa të shkëputen nga fluska e sigurisë ku isha mbërthyer. Por nuk më lejonin ta bëja këtë në Angli, prandaj Amerika u bë kaq e rëndësishme për mua. Atje më lejonin të merrja vendimet e mi se si doja të jetoja, ndryshe nga sa ndodhte në Angli, ku gjithmonë kishte një rrjetë sigurie rreth meje. Dhe gradualisht arrita ta plas fluskën përreth meje. Kur po shkruaja “Toka nën këmbët e saj” në 1998, munda të jetoj në një shtëpi në Long Island për pothuajse tre muaj, pa patur policë përreth. Papritur isha në gjendje të ngisja makinën time. Mund të vendosnim dhe të dilnim për darkë. Isha i mbushur me gëzim.

A ka patur kohëra me depresion real para kësaj?

Po, ndonjëherë isha në formë shumë të dobët. Dhe këtë e kuptoj edhe më shumë tani që lexoj ditarin. Isha shumë i cekuilibruar në dy apo tre vitet e parë. Më vonë pati dhe sulme të ndryshëm depresioni.

Në kujtimet tuaja, shkruani në vetën e tretë. Duket sikur keni dashur të distancoheni nga personazhi që përshkruani.

Nuk dua të distancoj veten time nga vetvetja. Nuk jam aq i cmendur. Në fillim u përpoqa ta shkruaj në vetën e parë, por nuk mund të gjeja zërin. Tingëllonte narciziste. Kështu që pushova së punuari për librin. Nuk po më shijonte. Në një pikë, më erdhi një ide: Po sikur ta shkruaja sikur nuk më kish ndodhur mua, por dikujt tjetër? Sikur ta ngrija personazhin tim në nivelin e personazheve të tjerë dhe ta përshkruaja pak më me objektivitet dhe nga pikëvështrime të ndryshëm? Krejt papritur e dija se si ta shkruaja librin.

I bën përshkrimet më pak emocionalë.

Por historia ka forcën e mjaftueshme. Eshtë një histori që nuk kërkon ekzagjerim. Nuk ka nevojë ta teprosh. Përndryshe do të bëhej një opera.

A ishte përpjekja për të qenë objektiv që ju bëri të shkruani edhe për disa personazhe, sidomos ish bashkëshortet tuaja, të thoshin gjëra të shëmtuara për ju?

Po. E vetmja mënyrë për të shkruajtur një libër si ky është të mos ruhesh. Duhet të jetë i pambrojtur. Sigurisht ka aspekte të personalitetit tim që unë i kritikoj. Por ndodhin. E vërteta është se ne shkrimtarët ekzaminojmë në vazhdimësi vetveten. Profesioni kërkon që të shohësh vazhdimisht nga vetja. Mendoj se kjo është arsyeja përse nuk e ndjeva asnjëherë nevojën për ndihmë psikiatri gjatë gjithë kohës, ndonëse nuk isha mirë. Të shkruarit është një investigim i brendshëm i shpirtit.

Në librin tuaj, bashkëshortja juaj Elizabeth shkruan se jeni një njeri egoist që ecën para në jetë duke shkatërruar jetët e të tjerëve. Ajo e përjetoi me ju pjesën më të madhe të periudhës së fetvasë, deri kur e latë për modelen indiane Padma Lakshmi. A ka ndonjë të vërtetë në thënien e saj?

Nuk e shihja si ajo. Por më duhej të lejoja që të shprehej mendimi i saj. Përndryshe libri do të shkaktonte polemika. Por dua që gjërat të jenë tredimensionale, sic janë në një roman. Dua t’i tregoj botës që jam vërtetë në gjendje të përshkruaj vetveten.

Ju shkruani në librin me kujtime se jeta e një shkrimtari është si një pakt Faustian i kthyer përmbys: dëshiron të arrish pavdekësinë, dhe paguan cmimin e të paturit një jetë të mërzitshme. Jeta juaj ka qenë e vështirë ndonjëherë, por ju jeni bërë në fakt shkrimtari më i famshëm në botë që është ende gjallë.

Nuk më kënaqte sepse dukej sikur vinte për arsyet e gabuara. Nuk isha i famshëm për përmbajtjen e veprës sime, por për skandalin që shkaktoi. Por skandali nuk të garanton përjetësinë. Kështu që nuk ndihem shumë rehat me këtë famë. E vetmja gjë e mirë është kur i telefonoj ndonjë politikani sot e i kërkoj ndihmë për ndonjë shkrimtar të ri që po kërcënohet, zakonisht politikani më del në linjë. Shkrimtarë të tjerë ndoshta nuk do ia dilnin.

A do i shkruanit “Vargjet Satanikë” në po të njëjtën mënyrë sot?

Po. Fatmirësisht nuk më duhet sepse e kam bërë tashmë.

Nuk do i linit jashtë pjesët e ëndrrave për Profetin?

Sigurisht që jo. Në fakt mendoj se janë pjesët më të mira të librit. Më pëlqejnë vërtetë ato pasazhe.

A do të ishte vërtetë më keq romani nëse ju nuk do u kishit vënë prostitutave në bordello emra të bashkëshorteve të Profetit Muhamed?

Po, ka një arsye pse e kam bërë. Ka të bëjë me sjelljen ndaj grave në atë kohë. Ishin bashkëshortet e Profetit. Ishin shumë të famshme, por asnjë burrë tjetër nuk mund t’i shihte sepse ishin të mbyllura në haremin e Profetit. Ishin në fakt bordello ku gratë merrnin emrin apo edhe adoptonin personin e bashkëshortes së Profetit. Kjo i bënte të arritshme si fantazi erotike. Me fjalë të tjera, qëllimi i atij kapitulli nuk është të fyej Profetin, por të adresoj fenomenin e grave me pushtet dhe natyrën e seksualitetit mashkullor dhe si rritet ai nga gjëra që burrat nuk mund t’i kenë. Ata pasazhe janë seriozë, dhe në asnjë moment nuk thonë se bashkëshortet e Profetit kanë sjellje të papërshtatshme. Nuk është aq e vështirë.

Leave a Reply

Back to top button