Magazine

INTERVISTA / Sokrati përballë Trumpit

Politologu më i klikuar në Internet shpjegon përse filozofi është një model për demokracinë në krizë

Për Michael Sandel, ideja se vala populiste varet vetëm nga emigracioni dhe ekonomia është e gabuar. “Kush mendon kështu nuk e sheh, se ka pikësëpari arsye morale dhe kulturore. Dhe shqetësimi im – përsërit ai – është se elitat liberale nuk mund ta kuptojnë këtë gjë”. Ky filozof politik amerikan, 64 vjeç, autor i “Liberalizmi dhe kufijtë e drejtësisë”, dhe librit më të fundit “Ajo që paratë nuk mund të blejnë. Kufijtë moralë të tregjeve”, mban leksione në Harvard me një qartësi legjendare. Një nga kurset e tij të drejtësisë është klikuar në Youtube shtatë milionë e gjysmë herë. Protagonist i betejës filozofike ndërmjet liberalëve si John Raëls dhe komunitarianëve si si Macintyre dhe Taylor, ka kontribuar për një ndryshim në filozofinë politike, në pozicione më të pranueshme për dallimet kulturore dhe traditat e qytetarëve në sferën publike. Në Forumin Davos ai ka përdorur metaforën e sky-box (emri i kabinave të luksit në stadiumet e bejsbollit). Një hendek ndan ata që janë në krye, nga njerëzit e thjeshtë.

Në Davos nuk kishte studentë, por ishte sky-box e politikës dhe ekonomisë. Çfarë u thatë?

Që ata nuk e kanë kuptuar sensin e protestës populiste. Problemi nuk lind vetëm nga papunësia dhe frika prej emigrantëve, por humbja e vlerësimit dhe ndryshimeve progresive të identitetit social dhe politik. Protesta ka aspekte të tmerrshme dhe të rrezikshme, por është e bazuar në pakënaqësitë legjitime nga ana e atyre që ndihen të dobësuar prej tre dekadave globalizim neoliberal. Pasioni dhe pakënaqësia që i japin forcë populizmit kanë të bëjnë me humbjen e statusit, përçmimin vuajtur nga klasa e mesme, punëtorët, njerëzit.

Ju kuptuan?

Nuk kam asnjë iluzion.

Kritikat tuaja ndaj limiteve të liberalizmit kanë një histori të gjatë, duke filluar në vitet tetëdhjetë. Po cili liberalizëm?

Shkruaja si kritik për liberalizmin, por si kritik miqësor, kundër tezës se diskursi liberal publik nuk duhet të përqëndrohet në çështje thelbësore, në lidhje me atë që është një jetë të mirë, se qeveria dhe ligji duhet të mbeten neutralë kundrejt koncepteve konkurrues, mbi mënyrën se si duhet të kuptohet e mira.

Cilat ishin kundërshtimet kryesore?

Ishin dy: e para që nuk mund të përcaktosh çështjet themelore të drejtësisë pa u përballur me koncepte të ndryshme të jetës së mirë; e dyta që, mbajtja larg diskursit publik e asaj që është e mirë, krijon një vakum në lidhje me atë që u intereson qytetarëve, gjë e cila përjashton zërin e tyre mbi çështje të rëndësishme. Ky përjashtim shkakton një kundërgoditje të papëlqyeshme: Disa e mbushin boshllëkun me pikëpamje jotolerante.

Eshtë ajo që shohim sot?

Ekzaktësisht: një revoltë populiste kundër një diskursi publik të llojit teknokratik dhe menaxherial, që identifikohet me një besim triumfalist tek tregu, dhe që ka dhënë me “outsourcing” gjykimin politik dhe moral. Ky proces nisi në vitet tetëdhjetë me Reaganin dhe Thatcherin, por vazhdoi me partitë e qendrës së majtë: Clinton, Blair, Schroeder nga njëra anë sigurisht që moderuan besimin tek tregu, por nga ana tjetër e konsoliduan atë. Nuk u vu asnjëherë në diskutim premtimi që mekanizmat e tregut janë instrumenta parësorë për të realizuar të mirën publike.

Por një farë neutraliteti në konceptin e të mirës mban në fre autoritarizmat.

Që nga vitet tetëdhjetë natyrshëm jam përballur me këtë kundërshtim dhe gjithmonë jam përgjigjur se kam të drejtë në tezën time që një diskurs publik neutral nuk mund të na japë parimet për një shoqëri të drejtë, atëherë kjo këmbëngulje u perceptua si një kërkesë shtypjeje, edhe e pandershme, sepse njerëzit e dinë që vendimet që merren nuk presin zërin e tyre.

Kjo protestë merr forma shumë pak liberale

Efekti paradoksal është që liberalizmi i neutralitetit, që lind mbi të gjitha nga qëllimi për të shmangur riskun e autoritarizmit, krijon në fakt kushtet për një politikë autoritare, sepse prodhon një reagim kundër elitave liberale që ka marrë dy forma: fondamentalizmi fetar dhe nacionalizmi populist i të djathtës, një tjetër mënyrë për të veshur një sferë publike lakuriqe.

Në reshtat e fundit të librit tuaj “Pakënaqësia e Demokracisë”, njëzetë vite më parë ju thoshit se “qeniet njerëzore janë bërë për të rrëfyer histori” dhe si pasojë, rebelohen ndaj tendencën liberale për të eleminuar rrëfimet. Po si mund të pajtohen rrëfimi dhe liria?

Eshtë sfida e kohës sonë. Tema qendrore e politikës është përkatësia në komunitet dhe domethënia e saj. Si qytetarë demokratikë të shoqërive pluraliste ne banojmë brenda një pluraliteti komunitetesh dhe identitetet tona përcaktohen në mënyra të shumta. Kjo nënkupton që duhet të nxjerrim sëbashku atë që na nevojitet nga rrëfimet dhe traditat.

Po në një shoqëri tolerante, si mundet kjo përballje të respektojë pluralizmin?

Ka dy mënyra të ndryshme për të përballur temën e respektit reciprok. Njëra është ajo e “shmangjes” së njëri-tjetrit. Kjo na shtyn të gjejmë mënyra për të arsyetuar haptaz mbi dallimet dhe inkurajon të gjithë qytetarët që të mos lënë jashtë nga sfera publike, bindjet morale dhe spirituale, por që të hyjnë ashtu si janë, krejtësisht të “pajisur” me traditat, kulturat, bindjet e tyre morale.

Përse revolta populiste godet më shumë partitë progresiste?

Sepse është ndjerë se kanë qenë më të lidhura me elitat profesionale dhe teknokratike se sa me njerëzit e zakonshëm, që përbënin bazën e tyre. Për të rigjallëruar projektin socialdemokratik duhet që pikësëpari të ri-imagjinohet domethënia, fushëveprimi dhe dinjiteti i punës. Së dyti duhet t’i jepet vlerë domethënies së komunitetit kombëtar, pa lejuar që patriotizmi të bëhet monopol i populistëve.

Qartësia juaj në leksionet që jepni është legjendë. Si ia keni dalë?

Jam dahsuruar vonë me filozofinë, pas diplomimit. Shumë filozofë orientohen në thelb nga filozofë të tjerë; unë përpiqem ta lidh filozofinë me jetën. Sokrati ecte në rrugët e Athinës duke biseduar me njerëzit e zakonshëm: fillonte me pyetje elementare dhe i shpinte të përballeshin me pyetje themelore të drejtësisë dhe të mirës. Unë përpiqem të imitoj atë model, sipas mënyrës time. / La Repubblica – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button