Analiza

INTERVISTA / Walesa: Duhen 20 të urtë për të bindur Putinin

lech walesaFituesi i Cmimit “Nobel”, Lech Walesa: Europa është e sëmurë, por mund të shërohet

E kanë ftuar në Romë me rastin e daljes së filmit mbi jetën e tij (“Walesa, njeriu i shpresës” me regjisor Andrzej Wajda, dhe Maria Rosaria Omaggion në rolin e Oriana Fallacit) dhe ai zgjatet më tej: “Lufta jonë kishte pasoja argëtuese, duhej t’i kisha treguar: kështu filmi është i mangët”. I njëjti karakter mburravec Lech Walesa: simpatik, por i rrëmbyer, brilant e i paarritshëm.

Dikur mbrojtët liritë e polakëve për të zgjedhur: tani, një pjesë e ukrainasve që janë kulturalisht dhe ekonomikisht të lidhur me Rusinë, duan të largohen. Kanë të drejtë?

Duhet të eleminojmë kufijtë dhe të hapim shtetet, domethënë atë që bën Europa. Pas njëzetë apo tridhjetë vitesh nuk do të ketë kufij me Rusinë. Ekonomitë dhe sistemet do të shkrihen, kufijtë janë bërë qesharakë. Mes Gjermanisë dhe Polonisë ka patur një liqen gjaku, por sot ai kufi nuk ekziston më. Bota do të ecë përpara, dhe ajo që po bën Putini shkon në drejtimin e gabuar. Eshtë kundër progresit.

Por Europa është e sëmurë: euro, rritja ekonomike, punësimi…

Jemi ende duke e ndërtuar dhe do e bëjmë në mënyrë të mençur. Kufijtë kanë qenë shkaku i dallimeve në zhvillim dhe i sistemeve të ndryshëm fiskalë dhe normativë. Nuk mund të sheshojmë gjithçka dhe menjëherë. Duhet vepruar me ekuilibër dhe konsensus, por duhet bërë. Rusia ka bërë zgjedhje të ndryshme: nxorri tanket dhe mori Krimenë. Këtë nuk mund ta pranojmë.

Dhe si do e ndalojmë?

Putini duhet bindur, jo mposhtur. Do të mbledhim njëzetë të urtë në një organizëm si OKB, dhe do u kërkojmë të elaborojnë të gjithë rrethanat që do e bindin atë të ndërrojë drejtim.

Të urtët? Shpesh herë sjellin pak ndryshim.

E vetmja rrugë është lufta solidare, pasi hartohet plani, të urtët duhet të dëgjojnë çdo shtet: “Të pëlqen si po sillet Putini? Nëse jo, zbato një prej pikave që kemi ideuar”. Sa më solidarë të jemi, aq më shpejtë do e bindim.  Pershtatur ne shqip nga bota.al

Solidarë? Cfarë doni të thoni?

Gjithësecili duhet të vërë diçka në dispozicion. Dikush do të zgjedhë të mos blejë gaz, një tjetër do të heqë dorë nga një shitje, apo do të vërë fonde në dispozicion të luftës.

Në vend të kësaj vendosen sanksione.

Jo gjithmonë sanksionet janë të drejtë. SHBA dhe Gjermania po përpiqen të bëjnë diçka, por të vetme nuk do ia dalin. Kisha dyshime për presidentin e SHBA, por e kam njohur dhe më ka bërë për vete njeriu dhe politikani. Eshtë vërtetë njeri i madh, në të kaluarën e kam kritikuar, dhe jam penduar.

Një tjetër lider, ukrainasi Poroshenko bombardon barrikadat e “filorusëve”.

E ka gabim! Jam absolutisht kundër.

Ju nuk keni qenë të butë në përplasjen me BRSS.

Polakët ia thyen dhëmbët ariut sovjetik, dhe të gjithë pastaj mundën të luftojnë me ariun pa dhëmbë: sot jemi miq, por ikja siç bënë gjermanët, që u katapultuan në Perëndim, ishte burracakëri. Pershtatur ne shqip nga bota.al

Ariu ka sërish dhëmbë.

Por koha e luftërave dhe ndarjeve ka ikur tashmë. Teknologjitë janë tashmë të papërshtatshme për shtete të vegjël, është e pashmangshme të krijosh struktura më të mëdha. Ajo që duhet diskutuar mirë është se çfarë duhet të japësh.

Globalizimi ka defektet e tij.

Ata të no-global më bëjnë të qesh, bëjnë revolucionarin e pastaj flasin në celular: po atëherë, përdorni pëllumbat! Bota është globalizuar vetë: televizorët, celularët dhe kompjuterët nuk i respektojnë kufijtë. Dhe nëse nuk do të lejojmë që të globalizohet ekologjia në mënyrë inteligjente, nuk do i mbijetojmë këtij 10-vjeçari.

Edhe kriza e Ukrainës është e rrezikshme. Si do të përfundojë?

Do të fitojë bota e lirë dhe e hapur. Putini nuk ka asnjë shans, çështja është sa gjak do të derdhet. Metoda e Putinit është e lidhur me të kaluarën dhe është joefikase.

A do të bjerë sërish Muri?

Rënia e Murit të Berlinit nuk duhet parë si një fitore: ishte një arrati pa heroizëm. E mbaj mend mirë lebetinë e gjermanëve që arratiseshin drejt Gjermanisë dhe Hungarisë. Po të kisha qenë Gorbaçovi, do u kisha thënë: bëni si të doni, por do ju marrim shtëpitë dhe nuk do ktheheni kurrë më. Do na kish krijuar probleme, por nuk u tregua inteligjent sa duhej.

Ju pëlqen Polonia kapitaliste?

Pas mposhtjes së komunizmit, nuk ka patur dhe nuk ka një rrugë të tretë. Ne punëtorëve nuk na pëlqente shumë, po ç’mund të bënim? Na u desh të krijojmë padronët. /La repubblica/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button