MagazineMAIN

Intervistë me Mr. Netflix

Ted Sarandos, çdo ditë hyn në shtëpitë e 300 milionë njerëzve në mbarë botën për t’i mbajtur para një filmi apo serie. Ai di shumë për ne. Po ne, çfarë dimë për të? Intervistë me Mr. Netflix

Në fund të shfaqjes së Frankenstein, pas regjisorit Guillermo del Toro dhe idhullit të ri Jacob Elordi, shfaqet një zotëri me flokë paksa të thinjur. Duartroket me entuziazëm të veçantë dhe ngre të dy gishtat e madh. Quhet Ted Sarandos dhe roli i tij zyrtar është bashkë-drejtor ekzekutiv i Netflix-it. Netflix, ajo gjë që kur e hap tingëllon “Tu-Dum” dhe që, nëse s’na ka ndryshuar jetën, na ka ndryshuar goxha zakonet. Na ka bërë të pangopur me seriale, të ndjeshëm dhe të pakënaqur, të etur për konsum; herë-herë na mërzit bollëku, herë-herë ngecim lumturisht brenda një marrëdhënieje “as me ty, as pa ty”. Netflix funksionon me një algoritëm që duket sikur e di kush jemi – por ndonjëherë, për fat, gabon dhe na sugjeron diçka që s’e dinim se donim ta shihnim. Sarandos e di dhe buzëqesh.

Sarandos hyri në kompani kur Netflix ishte vetëm një shërbim me qira DVD-sh me postë.

Biografia: 61 vjeç, i biri i një elektricisti dhe i një amvise, edhe katër vëllezër, pak para në shtëpi; ndonjëherë nuk paguanin faturat dhe mbeteshin pa drita. E megjithatë, meqë e ëma e donte kinemanë, familja Sarandos pati videoregjistruesin përpara kujtdo në lagje. Jetonin në Phoenix, Arizona, ku kishte shumë pak kinema dhe, përveç një salle të vogël arthouse, vinin vetëm titujt më komercialë. Një verë Ted pa “Airplane!” 38 herë: ishte i vetmi film në program.

Por në një moment, fati i tij u kryqëzua me atë të Dale Mason-it, ish-kontrollor fluturimi nga Chicago që e urrente punën e vet. Dale kishte lexuar në një revistë se bizneset më fitimprurëse të së ardhmes do të ishin dyqanet e kasetave video dhe ato të kosit. Meqë kosin nuk e pëlqente, ndërsa filmat po, u zhvendos në Arizona dhe hapi një videotekë dy hapa larg shtëpisë së Sarandosëve. I riu Ted nisi ta frekuentonte rregullisht, përfundoi duke punuar aty, pastaj duke drejtuar zinxhirin e dyqaneve – dhe, me pak fjalë, hyri në botën e qirasë së filmave.

Pra, ju jeni mbi të gjitha një pasionant i kinemasë.

«Gjithmonë. S’kam nënvlerësuar kurrë rëndësinë e filmave dhe telefilmave. Nuk bëhet fjalë vetëm për të vrarë kohën. Ti e ndërton veten. Ndonjëherë mendoj se njerëzve u duhet një histori për t’iu kujtuar kush janë».

Në historinë tuaj, kthesa e vërtetë vjen kur njihni Reed Hastings, themeluesin e Netflix-it, atëherë në hapat e parë: merrte me qira dhe shiste DVD me postë.

«Atëherë s’dija asgjë për internetin. Gjëja e parë që kam bërë ndonjëherë online ishte të blija një biletë avioni për të shkuar ta takoja Reed-in. Ishte ulur pas një tavoline të palosëshme dhe përreth kishte tavolina të tjera si ajo. Ishte zyra e improvizuar e një start-up-i të vogël, por ndjehej që atëherë një vizion i fuqishëm për të ardhmen».

Përveç mënyrës si konsumohen historitë, platformat po ndryshojnë edhe mënyrën si shkruhen?

«Po. Aspekti më i nënvlerësuar i modelit të binge watching — “abuzimit” me episodet — është pikërisht impakti te shkrimi. Seriali ynë i parë, House of Cards, i shkruar, xhiruar dhe hedhur online i gjithi përnjëherë, ndikoi mënyrën si njerëzit shohin një serial. Por edhe mënyrën si e shkruan. Në televizionin e vjetër, shumica e publikut humbte të paktën një episod. Prandaj duhej t’u rikujtoje vazhdimisht shikuesve çfarë kishte ndodhur javën e kaluar. Ne s’kemi më nevojë ta bëjmë këtë, ndaj ka më shumë kohë për të treguar dhe zhvilluar personazhet».

Të qenit global do të thotë përballje me kultura të ndryshme: magjepsëse, por edhe pengesë, për shkak të censurës dhe standardeve kulturore e fetare të çdo vendi. Pashë versionin korean të Call My Agent: çifti gay i origjinalit — dy gra — ishte kthyer në çift hetero!

«Kudo që operojmë kemi ekipe lokale që marrin vendime krijuese në terren, sepse e kuptojnë kulturën dhe jetojnë në ato vende. Një nga çelësat e suksesit tonë ka qenë të marrim shumë pak vendime “ndërkombëtare” nga Kalifornia. S’po përpiqemi të eksportojmë Hollywood-in në botë. Po përpiqemi të tregojmë histori të mëdha lokale. Detyra e parë e ekipit italian është të krijojë përmbajtje italiane për publikun italian. Këtë vit, për shembull, do të kemi filmin Il falsario me Pietro Castellitto, serialin Motorvalley me Luca Argentero dhe serialin e prezantuar në Venecia, Il Mostro, me regji të Stefano Sollima-s. Të gjitha shumë të mira dhe shumë të ndryshme mes tyre. Edhe nëse këto përmbajtje nuk “udhëtojnë” gjetkë, por funksionojnë vetëm në Itali, për mua është sukses. Pastaj, sigurisht, ndonjëherë ndizet lidhja globale. Dhe ndodh diçka që i tejkalon të gjitha kufijtë».

Si me Adolescence, një produkt i lindur në Mbretërinë e Bashkuar nga ngjarje të ndodhura aty, por që theu çdo kufi.

«Sigurisht. Por mendoj edhe për raste si Stranger Things, një tjetër sukses botëror që ama s’u mendua kurrë në tavolinë si i tillë. Është një serial i mbështetur te një lloj nostalgjie shumë amerikane. Më në fund, Squid Game. S’kemi zbutur asgjë: është produkt klasik korean. Në fillim mund të jetë parë si kuriozitet, por pastaj u afirmua kudo sepse trajton tema universale si pabarazia ekonomike dhe përplasja e klasave».

Ka edhe një element tjetër kur merresh me vende të ndryshme: “star-system”-i. Ka aktorë të famshëm kudo dhe të tjerë që njihen vetëm në vendin e tyre. Si veproni?

«Sërish: vendosin ekipet tona lokale. Në Indi kam njohur Shah Rukh Khan, ndoshta një nga yjet më të mëdhenj në botë. Një ditë shkova në shtëpinë e tij. Kur arritëm te hyrja, ishin pesëqind vetë jashtë portës. Duartrokisnin sapo makina ndalej. E pyeta: “Është kështu çdo ditë?”. Ai u përgjigj: “Jo, ndonjëherë janë pesëmijë”. Një vit më pas, erdhi ai në Los Anxhelos. Shkuam në restorant dhe askush s’e njihte. Nga fundi i darkës, dy turiste indiane u ulën pranë, e njohën dhe nisën të bërtisnin. Ai shkoi të bënte një selfie me to».

Tani ju priteni me të gjitha nderimet në festivale, përveçse në Cannes.

«Në 2017 shkuam atje me dy filma, Okja dhe The Meyerowitz Stories, por pastaj ata ndryshuan rregulloren: filmat s’mund të ishin në garë nëse nuk dilnin në salla. Kështu, ne ndaluam së shkuari. Cannes është një institucion pak i mykur, por s’do ta detyroja kurrë askënd të ndryshojë rregullat që i ka vendosur vetes».

Pas pushtimit të Ukrainës, e tërhoqët Netflix-in nga Rusia. Sot vendet pa Netflix janë Rusia, Kina, Krimea, Koreja e Veriut dhe Siria. Ka gjasa që njëri prej këtyre apo tregje të tjerë të hapen?

«Qëllimi ynë është të përmirësojmë biznesin aty ku jemi tashmë. Mund të shpërdorojmë shumë energji duke u përpjekur të hyjmë në kontekste ku s’ka interes».

Po politika e doganave e Trump-it? A mund të jetë problem për ju?

«E përqendrojmë forcën te ajo që mund të kontrollojmë. Por është thënë se edhe presidenti Trump e ka pranuar disa herë se ka një lloj përjashtimi kulturor ndaj disa politikave. Nëse seriali quhet Emily in Paris, duhet xhiruar në Paris, apo jo? Ne investojmë si në produksionet në SHBA, ashtu edhe jashtë, ku kontribuojmë dukshëm në ekonomitë lokale. Jemi një kompani globale argëtimi dhe përpiqemi të punojmë në harmoni me territoret».

Netflix ka mbi 300 milionë abonentë në botë. Por përballë kaq shumë ekraneve shtëpiake, si mund të mbijetojnë kinematë?

«Biznesi im është të argëtoj njerëzit kur janë në shtëpi. Por s’mendoj se kjo bie ndesh me kinemanë. Shikuesi mesatar sot sheh shtatë filma në muaj në Netflix; në kinema, ndoshta sheh një. Por raporti mes asaj që sheh në shtëpi dhe asaj që sheh në sallë është i gjallë. Ne kemi një model biznesi që garanton prodhim të vazhdueshëm filmash dhe shikim të pandërprerë të tyre. Po injektojmë “gjak të ri” në këtë sektor».

Të flasim për algoritmin …

«Po ne s’fshehim asgjë! (qesh). Algoritmet shërbejnë për ta ngushtuar fushën drejt asaj që, me shumë gjasë, do të të pëlqejë. S’është gjithmonë i saktë në këtë kuptim, por ndonjëherë, kur ia qëllon, të paraqet diçka që mendon se s’do ta pëlqesh — dhe pastaj të pëlqen. Tani për tani, K-Pop Demon Hunters është ndoshta nisja më e mirë në historinë e Netflix-it: është filmi ynë më i parë në 91 ditët e para. Kolona zanore i ka katër këngë në Top 100 të Billboard-it. Filmi i fundit që ka pasur tre këngë në Top 100 ishte Saturday Night Fever në 1978. A më intereson mua K-pop? Jo, por fëmijët e mi kthehen nga shkolla dhe më flasin për të; atëherë e provoj, ndoshta më pëlqen, muzika më pëlqen – dhe ndoshta bëhem fans edhe unë».

Po juve, zakonisht, çfarë ju propozon algoritmi?

«Unë s’jam shembull tipik (qesh)! Unë shoh gjithçka, ndaj më propozon gjithçka!».

Në Francë keni lidhur një marrëveshje me rrjetin kombëtar TF1. Si funksionon?

«Do të përthithim përmbajtjet e TF1 dhe do t’i bëjmë të disponueshme për abonentët tanë. Shpresojmë të jetë model i riprodhueshëm edhe në vende të tjera. Unë e shoh thjesht si zgjerim të modelit tonë të licencimit».

Cilat janë zhanret nga TV-ja kombëtare që ju interesojnë?

«Më e lehtë të themi çfarë s’do të bëjmë: informim, telenovela dhe sport — me përjashtim të ndonjë ngjarjeje live, siç ishte ndeshja mes Jake Paul dhe Mike Tyson».

A mund ta transmetoni ndonjë ditë natën e Oscarëve?

«Po, mundemi».

Të gjithë — nga Apple te HBO e deri te studiot “e vjetra” — kanë platformat e tyre të streaming-ut. A ka rrezik mbingopjeje të tregut?

«Shpresoj që, pavarësisht sa abonime ka një shikues, Netflix të jetë gjithmonë i pari ku regjistrohet dhe i fundit prej të cilit çregjistrohet».

Ka seriale të të tjerëve që do të donit t’i kishit prodhuar ju?

«Sigurisht! Të gjitha sukseset e të tjerëve! Edhe pse shpesh, nga propozimi deri te transmetimi, projektet ndryshojnë rrënjësisht. Yellowstone (sot në Paramount+, me Kevin Costner) na ishte ofruar shumë vite më parë. Harvey Weinstein ishte producenti dhe Robert Redford do ta interpretonte».

Keni frikë konkurrencën e YouTube dhe TikTok? U marrin shikues, sidomos të rinjtë.

«Që nga fillimi kemi qenë në garë me gjithçka që i çon njerëzit para një ekrani. Por pikërisht kjo është puna jonë: duhet të jemi emocionues, duhet të fitojmë ato momente me shikuesit. Për më tepër, ne i përdorim shumë TikTok-un dhe YouTube-in për të promovuar përmbajtjet tona. Dhe, për t’u kthyer te Demon Hunters: një fenomen i tillë ndez rrjetet sociale dhe kjo sjell ujë në mullirin tonë».

Sa i përket rivalëve: ju luani veten në The Studio, një seri satirike e Apple për botën e sotme të kinemasë. Si ndodhi?

«Seth Rogen, autor dhe protagonist, më telefonoi: “Kam një ide. Nëse të duket argëtuese, na bëhet qejfi të marrësh pjesë. Nëse jo, e heqim”. E lexova skenarin dhe më pëlqeu, prandaj shkova në set super i përgatitur, me batutat përmendësh e gjithçka. Pastaj një ditë hyra në barin e zakonshëm pranë shtëpisë, ku kaloj gjithnjë rrugës për në zyrë, dhe zonja që më shërben kafenë thotë: “S’e dija që ishe aktor”. U përgjigja: “S’jam aktor”. Ajo: “Të pashë në TV. Luaje Ted Sarandos-in”. “Po unë jam Ted Sarandos!”».

Ju, në fakt, keni sajuar një profesion dhe një biznes që s’ekzistonte. Kur ishit i ri, ç’dëshironit të bënit kur të rriteshit?

«Shikoja serialin Lou Grant, të vendosur në një redaksi, dhe ëndërroja të bëhesha gazetar — madje gazetar investigativ si heroi im, Don Bolles. Ishte një reporter që, kur unë isha ende fëmijë, po bënte një reportazh për mafien në Arizona dhe u vra me bombë në makinën e tij. Ngjarja më tronditi shumë; mendoja: mjaftonte të mos e shkruante artikullin dhe s’do të vritej. Kërkimi i së vërtetës për të ishte aq i rëndësishëm sa dha jetën për të».

A ka bërë kush një film për këtë gazetar heroik?

«Jo. Dhe s’e di pse. Mendoj se do të ishte një film i madh. Duhet ta prodhoj unë». / Il Venerdi – Bota.al

Back to top button