Magazine

INVESTIGIMI I DER SPIEGEL / Përdhunues? Të vërtetat e skandalit dhe mesazhet që implikojnë Cristiano Ronaldon

DER SPIEGEL

Katër ditë përpara ndeshjes në Bilbao, Cristiano Ronaldos iu desh të kujdeset për një çështje të rëndësishme private. Më 12 janar 2010, avokatët e tij dhe një ndërmjetës u ulën së bashku me një grua të re amerikane, e cila pretendon se është përdhunuar nga futbollisti i Realit të Madridit. Ata po kërkonin një zgjidhje pa gjyq.

Avokati portugez Carlos Osório de Castro, i cili e ka këshilluar Ronaldon për të gjitha çështjet e tij ligjore ndër vite, mori pjesë gjithashtu në takimin me Susan K., emri i të cilës është ndryshuar për këtë lajm, si dhe avokatin e saj. Ai e informoi klientin e tij, me një sms, për gjendjen aktuale të negociatave.

“Ndërmjetësi tani thotë se ajo ka shpërthyer në lot dhe se është e tronditur, sepse mendon se nuk je i interesuar për këtë çështje dhe janë diku tjetër”, shkruan Osório de Castro. “Deri më tani nuk është folur për paratë, por drejt asaj po shkojmë”.

Ronaldo u përgjigj: “OK”.

në 14 prill, Der Spiegel raportoi për akuzat për përdhunim që Susan K. ka ngritur ndaj ROnaldos. Kjo çështje shkaktoi një trazirë të vërtetë. Agjencia e këshilltarit të Ronaldos, Jorge Mendes nxorri një deklaratë ku thoshte se historia ishte “sajim gazetaresk”, që bazohej “në dokumenta të cilët janë të pafirmosur dhe ku palët janë të paidentifikuara”.

Por kjo deklaratë është e pavërtetë.

DER SPIEGEL zotëron dokumentin që përshkruan zgjidhjen jashtë gjykatës, midis Susan K. dhe Ronaldos. Burimi është grupi i të dhënave të furnizuara nga platforma e bilbilfryrësve të “Futboll Leaks”. Në dokumenta, Ronaldo gjithashtu shfaqet nën emrin e koduar “Topher”. Një “Marrëveshje Konfidenciale” tregon se pseudonimi i referohet futbollistit. Dhe: Dokumenti është firmosur nga Ronaldo. Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar në vërtetësinë e dokumentit.

SMS-të e shkëmbyera midis Ronaldos dhe avokatit Osório de Castro, të cilat DER SPIEGEL i zotëron, gjithashtu vërtetojnë se futbollisti tashmë e dinte, në vitin 2010, atë për të cilën akuzohej në Las Vegas – dhe se ai ishte shumë i interesuar për detajet e marrëveshjes, veçanërisht të hollësive financiare.

Dyzet e shtatë minuta pas sms-së të parë, Ronaldo mori një mesazh të dytë nga Las Vegasi. Këtë herë, ishte vetëm një shifër: “950,000 dollarë”. Me sa duket, është shuma që pala tjetër po kërkonte si kompensim.

Ronaldo shkroi përsëri: “Kjo është shuma?”

Osório de Castro u përgjigj: “Kjo është kërkesa e parë: Janë 660,000 euro. Nuk do ta pranojmë. Negociatat po vazhdojnë”.

Ronaldo më pas pyeti: “A mos është shumë?”

Osório de Castro u përgjigj: “Unë kështu mendoj. Mendoj se do ta mbyllim për më pakse kaq”.

Ronaldo më pas kërkoi me ngulm: “Duhet që të jetë më pak!”

Avokati i tij u përgjigj: “OK”.

Mesazhet ndërmjet Ronaldos dhe avokatit ofrojnë disa të dhëna. Së pari, kur është fjala për karrierën e tij, Ronaldo nuk ia lë asgjë rastit. Së dyti, ylli i futbollit i monitoron rreptësisht paratë e tij. Dhe së fundmi, edhe sot, ata që janë pranë Ronaldos, nuk tërhiqen nga përpjekjet për të mbuluar ngjarjet, që ndodhën gjatë verës së vitit 2009.

Agjensia e këshilltarit të Ronaldos, Jorge Mendes quhet “Gestifute” dhe e ka selinë në Porto, Portugali. Në deklaratën e kompanisë për çështjen në Las Vegas, të lëshuar më 14 prill në përgjigje të artikullit të SPIEGEL, ajo përpiqet të diskreditojë viktimën e supozuar. Vëren se Susan K. “refuzon të dalë dhe të konfirmojë vërtetësinë e akuzës”.

Por është një deklaratë mashtruese, sepse K. është e ndaluar të flasë për këtë çështje.

Zgjidhja jashtë gjykatës ndërmjet Ronaldos dhe K.-së, përcakton qartë se nuk i lejohet të përsërisë akuzat ndaj futbollistit – sidomos publikisht. Nëse ajo shkel marrëveshjen, duhet të paguajë paratë e zgjidhjes që ka marrë nga Ronaldo, përveç dëmeve të mundshme.

Është e mundur që kjo të jetë arsyeja përse Susan K. nuk pranoi të fliste me DER SPIEGEL, për atë që thuhet se ka ndodhur brenda suitës së Ronaldos, ose për marrëveshjen e negociuar mes saj dhe yllit të futbollit, shtatë muaj pas asaj nate, në Las Vegas.

Shkëmbimi i sms-ve midis Ronaldos dhe Osório de Castros sugjeron se negociatat e zgjidhjes në Las Vegas zgjatën shumë. Në një prej tyre, ai i shkroi klientit të tij: “Më në fund po e përfundojmë, pas 12 orësh, për 260,000 euro. Mbi këto, do të jenë shpenzimet për ndërmjetësimin që unë tashmë jua kam thënë, plus disa pagesa për avokatët, të cilët tani janë duke u përpjekur që të formalizojnë transaksionin. E di që janë shumë para, por mendoj se ishte mënyra më e mirë për të dalë – dhe gjithashtu nuk ishte e lehtë për t’u arritur”.

Ronaldo e ka mohuar me forcë kërcënimin për përdhunim. Avokati i tij në Mynih Johannes Kreile e informoi DER SPIEGEL-in javën e kaluar, se “ne i hedhim poshtë kategorikisht akuzat e ngritura” nga Susan K.

Pse, atëherë, pati nevojë Ronaldo, për një “rrugëdalje” në vitin 2010?

Pak ditë pasi DER SPIEGEL botoi artikullin fillestar, ylli i futbollit postoi një foto të vetes së tij. Aty shfaqet nga prapa, vetëm me të mbathura,. Ronaldo është duke qëndruar para një dere ose një dritareje, me këmbët e hapura dhe duart në ije. Pozicioni i një heroi. Mund ta interpretosh imazhin, edhe si një deklaratë.

Ronaldos i pëlqen të përdorë imazhet për të komunikuar. Për pjesën më të madhe të kohës, ai pëlqen të shfaqet si njeri i fortë, si mbreti i fushës. Në një fotografi të fundit, ai shfaqet së bashku me lojtarët e Real Madridit duke treguar muskujt. Ronaldo, sigurisht, ka bicepsin më të madh.

Sigurisht, nuk mund të bëhesh yll global futbolli, pa këmbëngulje të pakufishme. Ronaldo shënoi pesë gola në dy ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Mynihut. Ai është një futbollist i madh dhe fiton rreth 40 milionë euro në vit tek Reali i Madridit. Ai zotëron një avion privat. Por është gjithashtu e mundur që Ronaldo të jetë një person i cili, pavarësisht të gjithë sukseseve, nuk ka arritur kurrë të bëjë paqe me veten. Duket se vazhdimisht ka diçka për të provuar.

Sjellja e tij në vitin 2009, viti në të cilin u transferua nga Manchester United në Real Madrid për atë që atëherë ishte një shifër rekord prej 94 milion eurosh, gjithashtu tregon këtë gjë. Ronaldo kaloi pushimet verore në Shtetet e Bashkuara, ku bëri shumë festa. Ai shijoi jetën e natës në Los Anxhelos, u takua me njerëz të famshëm dhe më pas bëri një udhëtim të shkurtër në Las Vegas.

U takua me Susan K. në zonën VIP të një klubi. Festuan së bashku dhe më vonë përfunduan në suitën e Ronaldos në hotelin Palms Place. Ajo që ndodhi atje, përdhunimi i supozuar, është detajuar në një letër që K. i shkroi Ronaldo disa muaj më vonë. DER SPIEGEL ka një kopje të saj. Futbollisti e kundërshton versionin e ngjarjeve të Susan K. Një dokument që avokatët e tij prezantuan gjatë ndërmjetësimit më 12 janar 2010, paraqet versionin e tij të ngjarjeve, atë natë në Las Vegas. Në të pretendohet se ajo që ndodhi, ishte seks me konsensus.

Atëherë, pse Ronaldo ra dakord të paguante një shumë parash për K.? A u shantazhua? A mos njeriu që del gjithmonë fitimtar, pagoi për të shmangur sikletin që të sjell një gjyq i hapur?

Do të ishte e lehtë për t’ia hedhur fajin Susan K., si një grua qëllimi i vetëm i të cilës ishte të kapej pas një futbollisti të famshëm. Lojtarët profesionistë janë idhuj. Dhe a nuk ka shumë gra që duan të kalojnë një natë me Ronaldon? Ai është një mashkull tërheqës, që shihet gjerësisht si një simbol seksi.

Susan K. flirtoi me Ronaldon. Ajo i dha numrin e saj të telefonit. Ajo shkoi në suitën e Ronaldos. Të dy u puthën. Ajo i përshkroi të gjitha këto, në letrën që i shkroi një vit pas natës në Palm Place Hotel. Kur ai donte më shumë, ajo tha “jo”. Kur ai e kapi dhe e detyroi të shtrihet në shtrat, ajo pretendon të ketë thënë përsëri “jo”.

Jo domethënë jo.

Gjatë investigimit, DER SPIEGEL zbuloi se avokatët e Ronaldos vendosën të bëjnë transferimin prej $ 375,000 nga një llogari që i përket një firme të quajtur Tollin. Kompania është e regjistruar në Ishujt Virgin Britanikë, një parajsë e njohur fiskale në Karaibe. Faturat nga avokatët e Ronaldos shkuan në kompaninë Multisports & Image Management (MIM), e cila ndodhet në Irlandë, gjithashtu një parajsë fiskale. Tollin dhe MIM kanë administruar fitimet e Ronaldos nga reklamat dhe sponsorizimet, për vite me rradhë.

Kështu, duket se Ronaldo ka paguar për çështjen Las Vegas duke përdorur paratë e fituara nga sponsorët. Një kërkesë për koment nga DER SPIEGEL për këtë çështje, nuk mori përgjigje.

Deri më tani, Ronaldo nuk ka bërë asnjë deklaratë personale për ngjarjet në Las Vegas. Deklarata e lëshuar nga agjencia e këshilltarit të tij Mendes, Gestifute, i referohet letrës së shkruar nga Susan K. Kjo “letër e supozuar” nga “e ashtuquajtura viktimë”, thuhet, “nuk u mor kurrë” nga Ronaldo.

Por nëse kjo është e vërtetë, atëherë njerëzit që punojnë në emër të Ronaldos do të kishin shkelur një nga dispozitat e marrëveshjes jashtë gjykatës. Ajo përcakton se letra në të cilën amerikania përshkruan ngjarjet nga këndvështrimi i saj – dhe në të cilën ajo akuzon Ronaldon duke pretenduar se ai i ka shkatërruar jetën – duhej që t’i lexohej futbollistit, brenda dy javësh pas pranimit.

Avokatët amerikanë në atë kohë i kujtuan avokatit të Ronaldos, Osório de Castro, pikërisht këtë përcaktim. “Sipas llogarive të mia”, i shkruante kolegëve një avokate, “nesër mbushen dy javë që kur letra ju dërgua. Ju lutem konfirmoni nëse letra është lexuar nga Topher”.

Një orë më vonë, Osório de Castro u përgjigj: “Konfirmoj që letra i është lexuar Topherit nga unë”. / Përgatiti: bota.al

Leave a Reply

Back to top button