Irani dhe basti i madh amerikan

basti i madh amerikan

Federico Rampini

Çështja iraniane rëndon prej 47 vitesh: që nga revolucioni islamik dhe marrja e pengjeve në ambasadën amerikane në Teheran. Gjatë këtij gjysmë shekulli, ajatollahët ndërtuan perandorinë e tyre persiane. Në kurriz të popullit, të privuar nga të drejtat, mirëqenia dhe një e ardhme dinjitoze, ata financuan milici terroriste, ndezën luftëra, ndërtuan aleanca me Rusinë dhe Kinën.

Duke instrumentalizuar për interesa pushteti tragjedinë palestineze, ata përfituan simpati në segmente të opinionit publik arab dhe perëndimor, deri në indiferencën globale ndaj masakrave të mijëra protestuesve të kryera nga regjimi në janar. Megjithatë, rezultati përfundimtar krijoi një koniunkturë të favorshme për sulmin SHBA–Izrael. Ajatollahu Khamenei u vra, një kapitull historie mbyllet: ai kishte qenë edhe në krah të udhëheqësit të parë suprem, Khomeinit.

Basti i madh amerikan, pse Trumpi goditi Iranin

Izolimi i Iranit është i dukshëm. Dje u rikompaktësua një koalicion i gjerë arabo-sunit i moderuar; ai dënoi sulmet hakmarrëse iraniane, por jo sulmin fillestar të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Këtë herë nuk ka rrezik që sulmi i jashtëm ta bashkojë popullsinë iraniane rreth regjimit. Përkundrazi, në manifestimet e fundit kundër diktaturës islamike dëgjoheshin gjithnjë e më shpesh thirrje për një ndërhyrje “çlirimtare” nga jashtë. Trump ishte kritikuar se kishte premtuar ndihmë për popullin iranian gjatë masakrave të janarit, një ndërhyrje që nuk erdhi.

Pse më në fund Trumpi vendosi të veprojë, dhe cilat janë objektivat e tij të vërteta? Së pari, pati një negociatë diplomatike, e cila konfirmoi papërkulshmërinë e regjimit. Asnjë lëshim mbi dosjet kyçe: pasurimi i uraniumit, arsenalet raketore, mbështetja për “ushtritë me pagesë” të Hamasit, Hezbollahut dhe Houthi-ve. Për Trumpin bëhet fjalë për neutralizimin, para së gjithash, të këtyre tre kërcënimeve. Më pas u shtuan, në mënyrë të qartë, edhe dy objektiva të tjerë: prerja e kokës së aparateve të sigurisë përgjegjëse për masakrat e janarit; rrëzimi i grupit drejtues.

A ekziston “varianti Maduro”?

Kjo nuk përjashton “variantin Maduro”. Nëse amerikanët dhe izraelitët kanë një kolonë të pestë brenda, nëse një fraksion i klasës drejtuese iraniane dëshiron të “varrosë” jo vetëm trupin e Khameneit, por strategjinë dhe politikat e tij, Uashingtoni dhe Tel Avivi mund të kënaqen me një sukses të ngjashëm me Venezuelën. Jo një fitore e demokracisë; por një përmbysje aleancash, me kthimin e Iranit në pikën ku ndodhej në vitin 1979: pra gati për të braktisur armiqësinë kundër Amerikës, Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Për momentin gjithçka mbetet hipotetike. E panjohura lidhet me këtë fraksion të brendshëm të regjimit, të gatshëm për të mohuar 47 vjet histori, për kapitullim dhe ndryshim krahësh. Roli i tij është thelbësor, nëse ekziston, sepse nuk mbahet mend ndonjë ndryshim regjimi i arritur vetëm me sulme ajrore. As Trump nuk dëshiron të angazhojë “çizme në terren”: zëvendëspresidenti JD Vance ka qenë kategorik për këtë. Duhet shmangur edhe vakumi i pushtetit, rreziku i një Libie tjetër. Shoqëria civile iraniane, ndonëse e gjallë dhe e guximshme, nuk ka një opozitë politike të organizuar.

Roli i Izraelit dhe presioni i Netanyahut

Çfarë e bindi Trumpin nga argumentet e Netanyahut, i cili këmbëngulte për këtë ofensivë? Pikënisja është konstatimi se Teherani nuk pranoi të negociojë mbi arsenalin raketor dhe mbështetjen për Hamasin, Hezbollahun dhe Houthit. Vazhdimi i negociatave do të zgjaste ngërçin, duke i dhënë regjimit kohë dhe oksigjen politik. Për Khamenein, mbijetesa qoftë edhe fizike, ishte një fitore.

Ekzistonte opsioni i një sulmi amerikan të shkurtër, si ai i 21 qershorit të kaluar, këtë herë i fokusuar te strukturat e Pasdaranëve dhe milicive Basij, përgjegjëse për shtypjen e protestuesve. Por një veprim i kufizuar do të kishte efekte modeste mbi kalkulimin strategjik iranian.

Prevaloi opsioni i një operacioni të zgjatur, për të prerë kokën e lidershipit iranian dhe për ta detyruar atë që mbetet të zgjedhë: mes mbijetesës me çmimin e koncesioneve drastike ose një konflikti ekzistencial. Një element peshë pati kredibiliteti i Shteteve të Bashkuara. Pas “vijës së kuqe” që Barack Obama shpalli në vitin 2013 ndaj diktatorit sirian Assad për përdorimin e armëve kimike, dhe që më pas nuk e zbatoni, një përsëritje do ta bindte Teheranin se Uashingtoni shmang përballjen kur kostoja rritet.

Faktorët globalë: Kina, energjia dhe Tajvani

Një tjetër pikë kontakti me Venezuelën: energjia dhe konkurrenca me Kinën. Kombinimi i një ndryshimi politik në Teheran me rënien e Maduro-s në Venezuelë do të reduktonte sigurinë energjetike të Kinës, e cila furnizohej nga të dy këta ofrues. Goditja ndaj Iranit ndikon në ekuilibrat globalë, përfshirë dosjen e Tajvanit.

Rreziku i vakumit të pushtetit

Një konsideratë tjetër: më mirë të mos pritet kolapsi, por të orientohet ai. Hiperinflacioni, kriza e ujit, korrupsioni dhe protestat sugjeronin një rënie strukturore të pushtetit të ajatollahëve. Një përfshirje aktive e Shteteve të Bashkuara mund të drejtojë tranzicionin dhe të pengojë që Rusia apo Kina të mbushin një vakum politik

Trumpi përballet edhe me një front të brendshëm. Amerika “MAGA” urren “luftërat e pafundme në Lindjen e Mesme”. Kongresi reagoi kur ky president urdhëroi veprime ushtarake pa e konsultuar. Në disa qytete amerikane janë paralajmëruar protesta kundër kësaj lufte. 

Shumë i gjykojnë ngjarjet sipas një refleksi të kushtëzuar: vlerësimet varen më shumë nga opinioni mbi Trumpin dhe Netanyahun, sesa nga realiteti iranian. Masakrat e fundit të regjimit kishin rënë në indiferencën perëndimore. Por përmasat e rebelimit dhe forca e refuzimit ndaj ajatollahëve kanë përshpejtuar përballjen finale, duke ndryshuar llogaritë mbi raportet e forcave në terren. / Corriere della Sera – Bota.al

Back to top button