Analiza

Irani, si një kërcënim në rritje për Evropën

Nga Tom Ridge

Në janar, autoritetet gjermane arrestuan një person me shtetësi të dyfishtë afgano-gjermane, me akuzën e spiunimit në emër të një agjencie iraniane të inteligjencës. Incidenti nuk ishte i pari, dhe vetëm sa nënvizoi edhe njëherë kërcënimin potencial që fshihet pas çdo zbulese të re.

Verën e kaluar, 4 persona u arrestuan në lidhje me një komplot iranian për të vendosur eksplozivë në një tubim të madh të organizuar në rrathinat e kryeqytetit francez Paris nga opozita iraniane. Autoritetet gjermane, vunë në pranga organizatorin e atij komploti, një diplomat i lartë iranian me emrin Asadollah Asadi, i cili më vonë u ekstradua për t’u përballur me akuzat në Belgjikë së bashku me operativët që iu kishte dhënë eksplozivët.

Në mars të vitit 2018, dy operativë të tjerë iranianë u arrestuan në Shqipëri, ku dyshohet se kishin planifikuar një sulm mbi rezidencën e rreth 3.000 anëtarëve të organizatës Mojahedin-e Khalq (PMOI/MEK), një grup që nga ana e zyrtarëve të qeverisë iraniane, bëhen përgjegjës për organizimin e protestave anti-qeveritare që tronditën Republikën Islamike gjatë vitit të kaluar.

Këto komplote, së bashku me vrasjet e fundit dhe ato të mbetura në tentativë, i kanë zgjuar autoritetet evropiane rreth kërcënimit të përshkallëzuar të terrorizmit të mbështetur nga Irani. Megjithatë, reagimi politik ka qenë i ngadaltë. Menjëherë pas përfundimit të një hetimi që nuk la asnjë dyshim mbi fajësinë e Teheranit për komplotin e Parisit, që synonte mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Rezistencës (NCRI), qeveria franceze vendosi sanksione mbi Ministrinë iraniane të Inteligjencës, dhe disa prej operativëve të saj të njohur.

Por vetëm muajin e kaluar, këto sanksione u miratuan nga pjesa tjetër e Bashkimit Evropian. Dhe kritikët seriozë të regjimit Iranian, nuk besojnë se ato do të shkojnë aq larg sa duhet. Franca dhe Shqipëria, iu bashkuan Holandës në përjashtimin e 5 diplomatëve iranianë gjatë vitit 2018, por edhe ky është gjithashtu vetëm një hap paraprak në drejtimin e duhur.

Në kuadër të komplotit të Parisit, një zëdhënës i gjyqësorit belg deklaroi se pothuajse të gjithë diplomatët iranianë janë në shërbim të shërbimit sekret iranian. Tani e dimë faktin që ka komplote të vazhdueshme për të spiunuar institucionet evropiane, dhe për të përgatitur terrenin për sulme të mëtejshme terroriste, duke e bërë absolutisht të domosdoshëm si për BE-në ashtu edhe për komunitetin më të gjerë ndërkombëtar, trajtimin e kësaj çështje.

Për më tepër, çdo zgjidhje duhet të përballet me Republikën Islame në fronte të shumëfishta, pasi regjimi me siguri po e merr këtë qasje ndaj kundërshtarëve të saj. Individi i kapur në aksionin e fundit të policisë gjermane, kishte punuar për ushtrinë gjermane, gjë që mund t’i ketë dhënë atij qasje në informacione të klasifikuara, duke përfshirë edhe detajet e lëvizjeve të trupave në Afganistan.

Një informacion i tillë, do të ishte vërtet i rrezikshëm në duart e autoriteteve iraniane, të cilët kanë shtuar praninë e tyre në Afganistan, kryesisht duke zhvilluar bisedime të nivelit të lartë me talebanët, të cilëve u ofrojnë pajisje ushtarake. Teokracia shite e Iranit, ka një histori të gjatë të formimit të partneriteteve të panatyrshme me grupet ekstremiste sunite, bazuar në antipatinë e tyre të përbashkët ndaj Perëndimit.

Terroristët iranianë dhe rrjetet e tyre të spiunazhit në Perëndim, mund të tregojnë përsëritjen e aspekteve të tjera të historisë së dhunshme të Republikës Islamike, të tilla si “vrasjet zinxhir” të viteve 1980-1990, kur operacionet iraniane të inteligjencës vranë disa aktivistë të opozitës në mbarë Evropën.

E njëjta periudhë, shkaktoi disa prej krimeve më të rënda të regjimit në shtëpi, teksa ai luftoi për të shmangur opozitarizimin që kërcënonte pushtetin nga mullahët. Vetëm në verën e vitit 1988, regjimi ekzekutoi më shumë se 5.000 (disa raportuan që numri i viktimave ishte deri në 30.000) të burgosur politikë, shumica anëtarë dhe mbështetës të MEK.

Protestat e vazhdueshme anti-qeveritare të vitit të kaluar, duhet të ngrenë shqetësime në lidhje me masa të reja të dëshpëruara nga regjimi, si në shtëpi ashtu edhe jashtë vendit. Por po ato protesta, tregojnë gjithashtu një mundësi të rëndësishme për të ndikuar në ndryshime, mundësi që do të përforcoheshin shumë nga një reagim më vendimtar i BE ndaj kërcënimeve iraniane.

Shtetet e Bashkuara, e kanë inkurajuar në mënyrë aktive BE-në që ta bëjë këtë ndryshim. Sekretari i Shtetit, Majk Pompeo, do të hedhë një hap të ri në datat 13- 14 shkurt, kur ai do të organizojë një samit ndërkombëtar mbi çështjet e Lindjes së Mesme në Varshavë të Polonisë. Arrestimi më i fundit i një operativi iranian në Evropë, është gjithashtu treguesi më i fundit se kombet e Evropës duhet të marrin seriozisht vullnetin e Pompeos.

Samiti i Varshavës, mund të fokusohet në drejtim të zhvillimit të një strategjie të koordinuar për të mbajtur nën kontroll Iranin. Por asnjë strategji e tillë, nuk do të jetë e plotë nëse nuk arrihet të koordinohet me opozitën e organizuar të Iranit. Nëse Bashkimi Europian, ka kuptuar mençurinë e përmbysjes së politikave të pajtimit, të cilat vetëm sa kanë përkeqësuar kërcënimin nga terrorizmi iranian në tokën evropiane, duhet të ndërmarrin hapa për të nënvizuar paligjshmërinë e regjimit ekzistues. Dhe s’ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë, sesa të qëndrojë në krah të kundërshtarëve më aktivë të regjimit.

Shënim: Tom Ridge ka qenë Sekretari i parë për Sigurinë e SHBA-së, dhe guvernator i Pensilvanisë.

“National Interest” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button