Histori

Irlanda Veriut, si nisën Telashet

Pesëdhjetë vjet më parë, tensionet në Irlandën e Veriut shpërthyen në një konflikt, i cili do të zgjaste tre dekada

Cila ishte fillesa e konfliktit?

Gjithçka nisi në shekullin 16. Edhe pse pushtimet britanike të Irlandës kanë nisur që në epokën Normane, pushtimi nuk u përmbyll para epokës së Tudorëve: një fushatë 60-vjeçare përfundoi në vitin 1603, me vdekjen e Elisabetës I. Në Ulster, provinca veriore e Irlandës, taktikat e tokës së djegur nga ana e forcave angleze shkaktuan zi buke, kolaps të popullsisë dhe arrati të aristokracisë vendase. James I u përgjigj me “Plantacionin e Ulsterit”: skocezë dhe anglezë kryesisht protestantë, u vendosën në Irlandën e veriut dhe ndërtuan një shoqëri të lulëzuar, bazuar në Protestantizmin dhe Ligjin anglez. Ndryshe nga banorët e mëhershëm, ata u mbajtën fort pas identitetit të tyre; dhe ndarjet mes Protestantëve dhe Katolikëve irlandezë u ngërthyen me konflikte të ashpra sektare, gjatë luftërave të fundit të shekullit 17.

Si u krijua Irlanda Veriore?

Ligjet e Unionit të viteve 1800 formuan një Mbretëri të Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës. Por tensionet e shkaktuar nga sundimi i anglezëve në Irlandë shkaktoi një përshkallëzim të situatës. Gjatë Luftës së Pavarësisë (1919 – 1921), ndërsa shumica e Irlandës kundërshtoi me forcë bashkimin, protestantët e veriut luftuan për ruajtjen e tij, duke i rezistuar absorbimit prej Irlandës Katolike. Zgjidhja kaotike e Londrës ishte krijimi i dy territoreve vetëqeverisëse: njëra do të bëhej Republikë; tjetra, Irlanda Veriore – e përbërë nga gjashtë prej nëntë qarqeve të Ulsterit, me një popullsi prej rreth 1.2 milion njerëz, nga të cilët dy të tretat ishin protestantë dhe një e treta katolike – zgjodhi të mbetet britanike.

Çfarë do të thoshte kjo për Irlandën e Veriut?

Parlamenti i Ëestminsterit kishte ende autoritetin përfundimtar, por tani kishte një qeveri në Belfast me kompetenca mbi policinë, arsimin dhe qeverinë lokale. Dhe ajo mbizotërohej nga Protestantët: për gjysmë shekulli tjetër, Partia Unioniste e Ulsterit, e cila kishte lidhje të ngushta me Urdhrin Portokalli – i formuar për të ruajtur trashëgiminë protestante – sundoi pa ndërprerje, duke forcuar kontrollin e partisë: për dekada të tëra, ajo madje kontrollonte Londonderryn, një qytet me shumicë katolike. Kjo shkaktoi pakënaqësi midis katolikëve, pasi autoritetet lokale kontrollonin strehimin, që ndonjëherë ofrohej edhe mbi bazë linjash fetare. Protestantët kontrollonin sindikatat industriale dhe përbënin 90% të forcës policore, Royal Ulster Constabulary (RUC). Edhe kështu, Irlanda Veriore mbeti relativisht e qëndrueshme.

Kur filloi të ndryshojë situata?

Nga fundi i viteve 1960, katolikët ishin gjithnjë e më shumë të irrituar nga pengesat me të cilat përballeshin, si dhe nga kufizimet mbi votën në zgjedhjet lokale, për qeramarrësit dhe bashkëshortët e tyre – që do të thoshte që shumë katolikë nuk ishin në gjendje të votonin. Dhe kështu lindi lëvizja për të drejtat civile, një grup-ombrellë jo sektar. Ndërsa objektivi politik i shumë katolikëve, deri në këtë pikë, kishte qenë një Irlandë e bashkuar, lëvizja e të drejtave civile bëri thirrje për barazi brenda Irlandës Veriore: “një njeri, një votë” në zgjedhjet lokale, si dhe t’i jepej fund diskriminimit në alokimin e punëve dhe strehimit. Terence O’Neill, i cili u bë kryeministri i Irlandës Veriore në vitin 1963, ishte mbështetës ndaj këtyre ankesave. Por reformat që ai prezantoi ishin të kufizuara, dhe marshimet e para për të drejtat civile filluan në gjysmën e dytë të vitit 1968.

Pse ishin të rëndësishme protestat?

Ishte një protestë në Derry, në tetor 1968, që transformoi politikën e Irlandës Veriore. Marshimi, i rreth 400 vetëve, u ndalua, por vazhdoi gjithsesi. Megjithëse protesta ishte paqësore, RUC e prishi duke përdorur shkopinj dhe topa uji, duke lënë shumë të plagosur, përfshirë deputetë, në skena që u shfaqën vazhdimisht në televizione. Komuniteti Katolik i Irlandës Veriore shpërtheu: marshimet dhe protestat ulur zhvilloheshin pothuajse çdo ditë. O’Neill dëshironte të bënte lëshime, por ai u përball me rezistencë nga shumë sindikalistë në kabinetin e tij. Gjithë sa ai ishte në gjendje t’u ofronte protestuesve, ishin lëshime modeste, të cilat nuk arritën të ulnin tensionet.

Kur shpërtheu?

Më 12 gusht 1969, The Apprentice Boys – një shoqëri protestante – organizoi marshimin e saj vjetor në Derry, duke përkujtuar mbrojtjen protestante të qytetit kundër ushtrisë katolike të James II në 1688-89. Ndërsa kaluan pranë Bogside, një enklavë katolike, të rinjtë vendas filluan të hedhin gurë. Situata u përshkallëzua shpejt: përpjekjet e RUC për të hyrë në Bogside u zmbrapsën me shishe benzine në flakë, të hedhura nga banesat; policia u përgjigj duke hedhur gaz lotsjellës dhe gurë. Ata humbën praktikisht kontrollin e qytetit – dhe kur arritën të shkelnin barrikadat e Bogside, u dëbuan nga turmat protestante, të cilat shkatërruan xhamat e shtëpive katolike. Dhuna, e njohur tani si “Beteja e Bogside”, zgjati tre ditë dhe u identifikua si fillimi i Telasheve.

Si u përhap dhuna?

Shumë shpejt – veçanërisht në Belfast, ku tensionet sektare ishin gjithnjë të larta. U vendosën barrikada dhe shtëpive iu vu flaka – duke bërë që mijëra familje, shumica prej tyre katolike, të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Pesë vetë u vranë në qytet nga RUC dhe Specialët B, një milici unionistePërfundimisht, James Chichester- Clark – pasardhësi i O’Neill si kryeministër – i kërkoi Londrës të dërgonte trupa për të rivendosur rendin. Më 14 gusht, ushtria britanike u vendos në rrugët e Belfastit dhe Derryt, në atë që ishte zyrtarisht një “operacion me kohë të kufizuar”. Do të mbetej në Irlandën Veriore për gati katër dekada, pasi shpërtheu një konflikt shumëpalësh midis forcave të sigurisë dhe paramilitarëve. Në kohën e përfundimit të Telasheve, me Marrëveshjen e së Premtes së Mirë të vitit 1998, rreth 3,600 njerëz ishin vrarë.

Lufta paramilitare

Fillimisht, trupat britanike u mirëpritën në zonat katolike të Irlandës Veriore, sepse ata siguruan mbrojtje nga turmat sektare dhe RUC e urryer. Sidoqoftë, marrëdhëniet e komuniteteve nacionaliste me ushtrinë u përkeqësuan shpejt, sepse nisën ta shihnin si një vegël të qeverisë unioniste në Stormont. Në vitin 1971, u fut internimi pa gjyq, dhe në pjesën dërrmuese shënjestroi republikanët, edhe pse Forca Vullnetare e Ulsterit, një paramilitare lojaliste, po vinte bomba në pub-et katolike dhe kishat në atë kohë.

Ndërkohë, IRA ishte sulmuar për dështimin në rolin e saj tradicional të mbrojtjes së katolikëve gjatë trazirave. Në atë moment ajo u drejtua nga pacifistët marksistë, dhe mbishkrimet në muret e Belfastit sugjeronin që inicialet e saj ishin “I Ran Aëay” (Unë ia mbatha). Më vonë po atë vit, u shfaq një grup i dhunshëm, IRA e Përkohshme, e prirur të bashkonte Irlandën me një luftë të armatosur – megjithëse Veriu kishte akoma një shumicë të qartë unioniste. Shumë shpejt, ata eklipsuan IRA “zyrtare”. Viktimat e tyre të parë ishin dy oficerë të RUC, të vrarë në gusht 1970. Megjithatë, pranohet gjerësisht se rekrutuesi më i efektshëm i IRA-s ishte ushtria: 1972, që filloi me vrasjen e 14 civilëve nga ushtarët britanikë të Dielën e Përgjakshme, ishte viti më i përgjakshë i konfliktit. The Week – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button