Analiza

ISIS është gati të ri-ngrihet

Nga Hassan Hassan

Për gati një vit, vëzhguesit e Shtetit Islamik kishin pyetur nëse Ebu Bekr El-Bagdadi, udhëheqësi i grupit, ishte ende gjallë. Pastaj të mërkurën, ai u rishfaq për herë të parë pas 11 muajsh, duke mbajtur një fjalim të regjistruar, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Në fjalimin 55-minutësh – më i gjati i atyre që janë bërë deri më tani publike – ai i referohej ngjarjeve të fundit, duke treguar se videoja ishte regjistruar gjatë javëve të fundit. Ky fjalim erdhi në mesin e raporteve për një ringjalljeje të ISIS në Dijala, Salah Ad-Din dhe Kirkuk në Irak, të gjitha zona që grupimi i humbi disa vjet më parë.

Në përgjithësi, grupi ka humbur rreth 98 për qind të zonave që kontrollonte dikur. Fjalimi, pasoi ndërkaq vlerësimet e habitshme si nga Pentagoni, ashtu edhe nga Kombet e Bashkuara, se grupi ende ka më shumë se 30.000 luftëtarë në Irak dhe Siri.

Degët e tij në vende si Afganistani dhe Egjipti, kanë qenë dukshëm më vdekjeprurëse dhe aktive në muajt e fundit. Me fjalë të tjera ISIS-i ka pësuar në dukje një tranzicion të rregullt nga kalifati tek ringritja, pa ndonjë frakturë. Në fjalimin e tij, një Bagdad i inkurajuar rrëfeu historinë e ISIS-it, një milici e vogël brenda një rrjeti të gjerë grupesh kryengritëse, që luftonin kundër amerikanëve – për të tubuar ithtarët.

Përveç lutjes në fillim të videos, fjalimi i Bagdadit, tregoi se ISIS-i është duke u riorganizuar. Në një pasazh kyç, ai bëri thirrje për sulme të aktorëve të vetmuar në vendet perëndimore, duke përfshirë bombardimet, shpërthimet e makinave dhe sulmet me armë dhe thika.

Më parë, thirrje të tilla vinin vetëm nga ish-zëdhënësi i ISIS-it; fakti që tani bëhet nga vetë kalifi, thirrja ka të ngjarë të ketë më shumë peshë. Bagdadi madje bëri me dije pritshmëritë e tij: Një sulm në Perëndim, është i barabartë me një 1 mijë të tilla në Lindjen e Mesme, një raport

që kujton fushatën e terrorizmit të Britanisë së Madhe Veriut para disa dekadave nga IRA, që thoshte se një bombë në Britani ishte sa 100 të tilla në Irlandën e Veriut.

ISIS, ashtu si nacionalistët e dhunshëm irlandezë përpara tij, e di se sulme të tilla do të fitojnë një vëmendje mediatike më të madhe, sesa masakrimi i 220 njerëzve nga komuniteti i Druzëve në Sirinë Jugore, apo shpërthimi i një autobombe në zemër të Bagdadit.

Bagdadi pohoi gjithashtu se Amerika e Donald Trumpit, po vuan nga një ezaurim nervor, si rezultat i luftës 2-dekadëshe kundër xhihadistëve në rajon. Ai përmendi tensionet mes Uashingtonit dhe Ankarasë, lidhur me burgosjen e pastorit amerikan Endrju Brunson, sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Turqisë, dhe refuzimin e qeverisë së Erdoganit për t’iu përmbajtur regjimit të sanksioneve të SHBA-së kundër Iranit.

Kjo është e gjitha që po ndodh, tha ai, ndërsa “territori i xhihadit po zgjerohet”. Në fakt, ndryshe nga fjalimet e mëparshme të Bagdadit, në të cilat ai hidhte poshtë pretendimet mbi mosfunksionimin e brendshëm të ISIS dhe humbjet e tij territoriale, këtë herë ai dukej i sigurt mbi aftësinë e grupit të tij, për t’i mbijetuar stuhisë aktuale.

Për të shpjeguar se si ISIS, do të nisë së shpejti një kryengritje, Bagdadi vuri në dukje të kaluarën. Ai i bëri jehonë fjalëve ikonike të Ebu Musab Al-Zarkauit, themeluesit fillestar të grupit në vitin 2006:”Shkëndija në Irak është ndezur, dhe forca e saj do të vazhdojë të intensifikohet, derisa të djegë ushtritë kryqtare në Dabiq”, qytet në veri të Sirisë, që sipas disa interpretimeve të traditës islame, do të jetë vendi i një beteje epike midis ushtrive myslimane dhe atyre të krishtera.

ISIS e ka cilësuar shpesh deklaratën e Zarkauit si profetike, meqë nuk kishte shenja të debstabilitetit në Siri, në kohën kur ajo u bë. Në dy momente në fjalimin e tij, Bagdadi iu referua Irakut si burim i shkëndijës, dhe tha se lufta është rinovuar pas humbjes së territorit.

Bagdadi iu referua gjithashtu luftëtarëve fisnorë sunitë, që ndihmuan Shtetet e Bashkuara të dëbonin Shtetin Islamik të Irakut (ISI), paraardhësin e ISIS, nga qytete sunite në vitin 2007. Megjithë numërimin e tyre, ISI nisi një fushatë të suksesshme vjetore për t’i zhdukur luftëtarët sunitë, si pjesë e një strategjie, gjithashtu të arsyetuar në detaje:një plumb kundrejt pushtuesit amerikan, dhe 9 plumba kundër apostatëve.

Shumica e forcave, sugjeroi ai në fjalim, duhet të përqendrohet tek armiku brenda.

Bagdadi mbështeti një taktikë, të cilën ISIS-i ka zbatuar me sukses të madh herë pas here: shkatërrimin e fraksioneve sunite, përmes një kombinimi të vrasjeve dhe rekrutimit.

Ai premtoi se i njëjti fat i pret rebelët sirianë.

Ai gjithashtu i bëri thirrje ushtarëve të braktisin udhëheqësit e tyre “të pabesë”, të cilët ai i akuzoi për tradhti, teksa një seri të akuzuarish arritën marrëveshje me regjimin sirian. Në një referencë tjetër ndaj fiseve sunite, Bagdadi vuri në dukje se forcat irakiane mbeten shumë të varura nga ushtria amerikane për të penguar sulmet e ISIS-it.

Luftëtarët e ISIS, kanë sulmuar anëtarë të fiseve të mëdha në Irak në mes të ditës tha ai, pavarësisht apelimeve të shpeshta nga udhëheqësit fisnorë ndaj milicive Shiite, por edhe

qeverisë në Bagdad për mbrojtje. Përgjatë verës, ISIS-i duket se ka vënë në shënjestër liderët e komunitetit, milicitë kryesore dhe forcat e sigurisë, pa u ndëshkuar.

Forcat pro-qeveritare janë sulmuar nga militantët, dhe bëjnë shpesh thirrje për sulmet ajrore amerikane, për të frenuar sulmet e vogla të ISIS-it. Për shembull, vetëm pak kohë më parë, rreth 20 luftëtarë morën kontrollin e një impianti të madh të naftës, në zemër të një zone të siguruar nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHB-ja në Deir Ezzor, dhe u neutralizuan vetëm pas sulmeve ajrore amerikane.

Bagdadi foli gjithashtu për qëllimin e grupit të tij, për të përhapur ndikimin e saj në të gjithë rajonin – një temë e përsëritur në deklaratat e ISIS, që kur filloi të humbiste terren në vitin 2016. Grupi është përpjekur të tërheqë rreth vetes sauditët, duke folur në gjuhën e islamizmit fondamentalist të pranuar atje, dhe duke e përdorur goditjen politike ndaj Sisit në Egjipt, për të joshur edhe egjiptianët.

Në qershorin e vitit 2017, ISIS-i goditi brenda Teheranit, kryeqyteti i Iranit, sulmi i parë i tillë në historinë e xhihadizmit sunit. Militantët sulmuan parlamentin iranian dhe mauzoleumin e themeluesit të Iranit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, duke vrarë 17 vetë.

Kjo ishte pjesë e përpjekjes së grupit për të minuar Al-Kaidën, e cila ka shmangur konfrontimin me Iranin, dhe për ta pozicionuar veten si mbrojtës të sunitëve, kundër të gjithë armiqve të tyre.

Bagdadi pra nuk është një kalif i pakënaqur, që ankohet për kalifatin e humbur.

Ai duket se po sheh përpara, duke kërkuar të frymëzojë kopenë e tij, për të rishikuar sukseset e tyre më të mëdha, dhe për të komplotuar një kurs për lavdinë e ardhshme. Fjalimi i tij e bëri të qartë se ISIS-I, i kujton shumë mirë leksionet e dy dekadave të kaluara. Nëse edhe armiqtë e tij bëjnë po kështu, dallimi qëndron mes fitores dhe humbjes.

  • Shënim: Hassan Hassan, është bashkë-autor i librit “ISIS:Brenda ushtrisë së terrorit”, dhe një bashkëpunëtor në Institutin Tahrir për Politikat e Lindjes së Mesme me seli në Uashington.

Burimi: “The Atlantic”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button