
Giovanni Bianconi
Reforma e drejtësisë është rrëzuar, struktura e rendit gjyqësor nuk ndryshon, por ka shumë gjasa që të mos ndryshojë as konflikti mes politikës dhe administratës së drejtësisë.
Një konflikt që vazhdon prej më shumë se tridhjetë vitesh, që është ashpërsuar në muajt e fundit pikërisht për shkak të ndryshimeve “epokale” që qeveria e vendit ka tentuar të sjellë në vetëqeverisjen e gjyqtarëve, dhe që duket i destinuar të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Logjika do të kërkonte që, pas një përballjeje referendare që arriti tone aq të nxehta sa e detyroi Presidentin e Republikës të kujtonte detyrimin për respekt të ndërsjellë mes institucioneve, situata të rikthehej në normalitet. Por normaliteti, tashmë, është pikërisht përplasja mes dy pushteteve të shtetit: ekzekutivit dhe gjyqësorit, qeverisë dhe drejtësisë.
Që nga nesër do të rikthehen polemikat mbi kërkesat e ardhshme të prokurorëve dhe vendimet përkatëse të gjyqtarëve, sidomos për çështjet me përmbajtje të lartë “politike”.
Si ato që kanë dalë së fundmi në Prokurorinë e Romës: njoftimi për përfundimin e hetimeve ndaj shefes së kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, Giusi Bartolozzi, që do të ketë zhvillime të tjera; apo zhvillimet e mundshme të hetimit që përfshin nënsekretarin e të njëjtit dikaster, Andrea Delmastro, për të cilin po afrohet edhe procesi i apelit pas dënimit në shkallë të parë për zbulim të sekretit zyrtar. Pa përmendur procedimet ndaj përfaqësuesve të tjerë të qeverisë, si ato që lidhen me ministren e Turizmit Daniela Santanchè; vendimet mbi emigrantët apo nismat gjyqësore rreth projektit të urës mbi Ngushticën e Mesinës, dhe çdo hetim apo vendim që ka një dimension politik.
Kjo histori vazhdon që nga fillimet e operacionit “Mani Pulite”, në vitin 1992, por edhe dhjetë vite më herët, sekretari i atëhershëm i PSI dhe kryeministër i ardhshëm Bettino Craxi (një kritik i ashpër i hetimeve mbi Tangentopolin) ia atribuonte krizën e bursës edhe “disa veprimeve gjyqësore me elemente të pamatura”. Më pas erdhi cikloni i qeverive të goditura nga njoftimet për hetime, që shënoi fundin e partive të ashtuquajtura të Republikës së Parë, dhe në atë kohë e djathta ishte në krah të prokurorëve. Ishte prilli i vitit 1993, kur të rinjtë e Frontit të Rinisë, ku militonte edhe Giorgia Meloni, rrethuan simbolikisht parlamentin duke thirrur: “Dorëzohuni, jeni të rrethuar”, duke shkaktuar reagime të ashpra ndaj asaj që u cilësua si “rrëmujë fashiste”.
Një vit më pas, pasi fitoi zgjedhjet, Silvio Berlusconi u përpoq të përfshinte në qeverinë e tij të parë dy magjistratë të “Mani Pulite”, Antonio Di Pietron dhe Piercamillo Davigon, por pa sukses. Gjithçka ndryshoi brenda pak muajsh: fillimisht me deklaratën televizive të po atyre prokurorëve kundër dekretit të quajtur “shpëtim për hajdutët”, që u miratua dhe u tërhoq menjëherë nga qeveria; pastaj me njoftimin për hetim ndaj vetë kryeministrit, i cili çoi në akuza për “grusht shteti” ndaj togave, i firmosur ndër të tjerë edhe nga Di Pietro. Ky i fundit pranoi më pas të bëhej ministër në qeverinë Prodi në vitin 1996, me qendrën e majtë, përpara se të hynte në parlament dhe të themelonte një parti të tijën.
Vetë ish-prokurori, që pasi la togën dhe hyri në politikë kaloi pa pasoja dhjetëra hetime të kryera nga ish-kolegët e tij, mund të konsiderohet një nga simbolet e kësaj përplasjeje të përhershme, ku të njëjtët protagonistë janë rreshtuar herë në njërën anë e herë në tjetrën, sipas kohës dhe rrethanave, për rolet e ndryshme që kanë luajtur, duke kaluar nga aleatë në kundërshtarë dhe anasjelltas. Nëse deri në fillim të viteve 2000 Di Pietro ishte një kundërshtar i vendosur i ndarjes së karrierave mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjatë fushatës referendare ai u bë një nga mbështetësit më të fortë të reformës që synonte t’i ndante ato, gjithmonë në emër të “pavarësisë së shenjtë të drejtësisë”. Një pavarësi që, nga ana tjetër, konsiderohet e rrezikuar nga vetë magjistratët, të cilët e shprehën të njëjtin shqetësim në fund të viteve ’90, në kohën e Komisionit dypalësh për reformat institucionale të drejtuar nga Massimo D’Alema. Aty parashikohej një reformë e rendit gjyqësor ndryshe nga ajo e rrëzuar dje (por me disa slogane shumë të ngjashme), e kundërshtuar fort nga shoqata e tyre.
E njëjta qëndresë u tregua edhe ndaj Matteo Renzi-t, i cili pak pasi hyri në Palazzo Chigi në vitin 2014 miratoi norma të reja (mes tyre uljen e moshës së pensionit nga 75 në 70 vjeç, që hapi rrugën për qindra emërime të reja në krye të zyrave gjyqësore, të vendosura nga Këshilli i Lartë i Magjistraturës me të ashtuquajturin “sistem të rrymave”); përballë kërcënimit për grevë nga ana e ANM-së, kryeministri i atëhershëm reagoi me një “Brrr… sa frikë!”, disi ironik dhe përçmues, përpara se të shpallej viktimë e hetimeve të shumta që më pas prekën atë dhe familjen e tij. Episode të tjera të përplasjes mes politikës dhe drejtësisë, pavarësisht se kush qeveris dhe kush është në opozitë. Një përplasje që vështirë se do të ndalet me bllokimin e reformës së fundit. / Corriere della Sera – Bota.al