
Paolo Tomaselli
Corriere della Sera
Të kaltrit kanë prekur fundin. Për ta shpjeguar pse, ka shkaqe të përgjithshme dhe arsye të momentit. Gattuso pati vetëm tetë ndeshje, por për të mposhtur Bosnjën ato duhej të mjaftonin.
Tani bëhet pothuajse e pamundur të kuptohet kur dhe ku nisi kjo rënie e çmendur e futbollit italian, i mbetur jashtë Botërorit për herë të tretë radhazi. Dikur ishte Koreja e Veriut, 1966, një episod që hyri në gjuhën e përditshme sikur të ishte beteja e Kaporetos. Por ajo skuadër ishte në Botëror dhe katër vite më pas do të arrinte në finale kundër Brazilit, duke fituar në mes edhe Europianin e parë në historinë tonë. Gjithçka duket si ujë i freskët krahasuar me Suedinë 2017, Maqedoninë 2022 dhe këtë Bosnjë që feston në natën e akullt të Zenicës.
Si përfunduam kështu? Ka shkaqe të përgjithshme, renditja gjithnjë e më e dobët që na detyroi në eliminatore gjithnjë e më të vështira, dhe arsye të momentit. Në grupin kualifikues gjetëm një Norvegji që mungonte që nga 1998 dhe nuk ishte kualifikuar as për Europianin e fundit, por që shfrytëzoi urinë dhe talentin e gjeneratës më të mirë në historinë e saj, të ndërtuar rreth simbolit Haaland.
Botërorin e humbëm që në ndeshjen e parë në Oslo, duke u mundur 3-0: ajo ishte ndeshja e parafundit në pankinë për Spallettin, përpara farsës me Moldavinë në Reggio Emilia, me trajnerin ende në detyrë por tashmë të shkarkuar. Pikërisht ajo fitore e zbehtë 2-0 na pengoi në ndjekjen e diferencës më të mirë të golave, duke bërë që të shkonim në përballjen direkte në javën e fundit kundër norvegjezëve tashmë të sigurt për vendin e dytë.
Kjo nuk ndryshon faktin që kombëtarja e Oslos dha një tjetër leksion, me një 4-1. Ndryshimi është se kësaj radhe askush nuk u habit nga “play-off”-et. Madje dikush, pas fitores 2-0 ndaj Irlandës së Veriut, u mashtrua se mund të shkonte më mirë.
Italia e vitit 2017 ishte ajo e kapitenit Buffon, e mbrojtjes BBC të Juventusit dhe e një trajneri si Ventura, i cili mbërriti i dobësuar nga mosbesimi i senatorëve në ndeshjen vendimtare kundër Suedisë. Na çoi në “play-off” katastrofa në “Bernabeu” kundër Spanjës. Por përballja me suedezët u trajtua më shumë si një bezdi e domosdoshme sesa si një pengesë reale. Edhe pas humbjes 1-0 në Solna, me devijimin e pafat të De Rossit, bindja ishte se Suedia nuk mund të përballonte presionin e “San Siro”. Llogari e gabuar, sepse presioni e mbyti një sulm tashmë të pafuqishëm. Një dështim i plotë.
Rindërtimi që nisi me Mancinin ishte i gjatë, por falë pandemisë, që shtyu Europianin me një vit, shpërtheu papritur dhe në mënyrë madhështore me triumfin me penallti në shtëpinë e anglezëve, në Wembley, dhe përqafimin mes Mancinit dhe Viallit, një imazh që as mjerimi futbollistik që erdhi më pas nuk mund ta zbehë, përkundrazi. Por pas asaj fitoreje Italia u bllokua në rrugën drejt Botërorit, duke barazuar me Bullgarinë dhe Irlandën e Veriut dhe sidomos dy herë me Zvicrën, edhe për shkak të dy penalltive të humbura nga Jorginho kundër Sommer, si në ndeshjen e parë në Bazel ashtu edhe në kthim në “Olimpico”.
Rruga më lineare e zviceranëve na detyroi në “play-off” me formulën e re, të njëjtë me atë aktuale, pra kundër dy kundërshtarëve të ndryshëm, me gjysmëfinalen në shtëpi dhe finalen në transfertë sipas shortit: nëse Italia do të kishte mundur Maqedoninë e Veriut në Palermo, do të përballej me Portugalinë në transfertë, ndaj ndoshta do të kishte dështuar gjithsesi në rrugën drejt Katarit 2022.
Por goli i humbjes në minutën e 92-të nga Trajkovski, kundër një skuadre pa Elmas, ishte një shok për të gjithë, edhe pse Mancini nuk dha dorëheqjen. Më pas ai u largua drejt Arabisë në gusht të vitit pasardhës, pikërisht kur po nisnin eliminatoret për Europianin. Turneu në Gjermani, me Spallettin trajner, ishte traumatik. Por as humbja ndaj Zvicrës në fazën e 1/8-ave, në një nga paraqitjet më të dobëta ndonjëherë, nuk shërbeu për të ndryshuar drejtimin. Problemet dolën sërish në pah që në rastin e parë, pas iluzionit të Nations League. Gattuso pati vetëm tetë ndeshje për të ndërtuar Italinë e tij. Por për të mundur Bosnjën ato duhej të mjaftonin. / Corriere Della Sera – Bota.al