Bota

Izraeli dhe Palestina “të dënuar” të gjejnë paqen

Screen Shot 2015-03-26 at 21.57.26Nga Bernard Guetta

Nëse nuk do të jemi ne që do të imponojmë paqen, izraelitët dhe palestinezët do të shkojnë dorë për dore drejt katastrofës. Në fakt, koalicioni i krahut të djathtë, i rizgjedhur së fundmi në Izrael është kundër krijimit të një shteti palestinez, dhe që pa këtë perspektivë, s’mund të bëjë gjë tjetër veçse të kalojë përsëri në përdorimin e dhunes së panevojshme, e cila nga ana e saj do ta shtyjë Izraelin drejt logjikës së represionit, sa të kotë aq edhe të rrezikshme.

Në kampin izraelit, e djathta ekstreme nuk ka në asnjë mënyrë synim të lejojë krijimin e një shteti palestinez, që sipas këndvështrimit të Tel-Avivit do të bëhet automatikisht një bazë për raketa, sikurse u bë Gaza fill pas tërheqjes izraelite. Benjamin Netanjahu ka mbajtur qëndrim shumë të paqartë lidhur me këtë çështje.

Kryeministri ka pranuar gjatë një fjalimi (vetëm njëherë), idenë e një shteti palestinez, por nuk ka bërë asgjë asnjëherë për të inkurajuar krijimin e tij, duke e hedhur poshtë kategorikisht këtë pikëpamje, vetëm e vetëm për të rrëmbyer votat e nacionalistëve ekstremë të krahut të djathtë dhe fetar, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme për të përgënjeshtruar veten pas fitores.

Në thelb, Netanjahu e pranon zgjidhjen me dy shtete (vetëm me fjalë dhe kohë pa kohe), vetëm për të shmangur izolimin ndërkombëtar të vendit. Megjithatë, shtyrja në një kohë të pacaktuar, e prish atë që ishte bërë horizonti i dy popujve, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Oslos, më shumë se 20 vjet më parë.

Sot, ai horizont është më i largët e më i pasigurtë se kurrë më parë, edhe sepse do të kërcënonte zhvillimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara, dhe ndarjen e palestinezëve mes islamikëve të Hamasit, drejtuesve të Gazës, dhe shekullarëve të Fatahut, të cilët kontrollojnë Bregun Perëndimor, dhe do të donte një kompromis territorial.

Për kohësh ideja e një paqeje nëpërmjet bashkëjetesës së dy shteteve, është shndërruar në një mirazh, por të paktën deri tani, jepte një arsye për të ekzistuar tek Autoritetin Palestinez, embrioni i një shteti të ardhshëm  që pavarësisht çdo gjëje ka vazhduar, të mishërojë një shpresë për popullin e tij.

Gjatë presidencës së Abu Mazenit, Autoriteti Palestinez diti të sigurojë zhvillimin ekonomik të Bregut Perëndimor dhe luftojë kundër Hamasit. Por tani që horizonti, mbi të cilin mbështetej duket se është zhdukur, dhe në mënyrë të pashmangshme do të hyjë në një dinamikë konfrontimi me Izraelin. Mazen kërcënon të padisë Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, dhe ndërkohë lodhet jo pak për të kundërshtuar vullnetin e një kompromisi, si pasojë e papajtueshmërisë së Hamasit, që në një cikël vicioz ushqen të djathtën izraelite.

Me këtë ritëm, bashkëpunimi i sigurisë ndërmjet Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, do të jetë jetëshkurtër, dhe mund t’i lërë hapësirën sjelljeve të ashpra, ku fituesit e vetëm do të ishin ekstremistët e ekstremit të djathtë izraelit dhe islamikët palestinezë.

E djathta do të nxiste aneksimin e territoreve të pushtuara (tërësisht apo pjesërisht), duke evokuar detyrimin lidhur me garantimin e sigurisë, ndërsa ekstremistët islamikë do të bëjnë gjithçka për të mbërritur tek një thyerje e plotë me izraelitët, në mënyrë që të justifikojnë dhe shtojnë sulmet e tyre.

Në këtë mënyrë Izraeli do të zhytej me shpejtësi në llumin e aparteidit, humbiste të gjithë mbështetjen ndërkombëtare dhe rizgjohej një ditë me një shumicë të popullatës palestineze, para së cilës nuk do të mund të pretendonte më identitetin e tij si një shtet hebre.

Pra mbi dy popujt, qëndron qëndron rreziku i një luftë totale, dhe jo më vetëm episodike. Është kjo arsyeja që shmangia e imponimit të paqes, do të ishte njëlloj me refuzimin për të ndihmuar dy popujt në rrezik, një gabim gjithëaq i papërgjegjshëm dhe kriminal, në qoftë se mendojmë se SHBA-ja dhe Evropa kanë të gjitha mjetet për të shmangur atë.

Izraeli ka thellësisht nevojë për mbështetjen ekonomike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara, siç dëshmohet nga fakti se Netanjahu ka përgënjeshtruar deklaratat e tij të mëhershme, se ai kundërshton idenë e dy shteteve, sapo Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka në plan të “rishikojë” mbështetjen e dhënë për Tel Avivin në OKB.

Ndërkohë Bashkimi Evropian, siguron mbijetesën e Autoritetit Palestinez, pa të cilën nuk do të kishte para, as për të paguar zyrtarët. Së bashku BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, kanë të gjitha mjetet për t’u bërë presion ndaj të dyja palëve. Detajet e marrëveshjes, janë të njohura që nga hartimi i planit të paqes të propozuar nga Bill Klinton në vitin 2001, dhe nëse Obama vendosi

me përkrahjen e Evropës të nxisë izraelitët dhe palestinezët, të pranojnë një kompromis të barabartë dhe të qëndrueshëm, do të kishte mundësi konkrete për t’u dëgjuar nga shumica e dy popujve. Gjithësesi në çdo rast, të tentosh sërish nuk bën dëm, ndonëse koha nuk pret./“Internazionale”/

Leave a Reply

Back to top button