A mundet një person, i konsideruar i paqëndrueshëm mendërisht, të fluturojë një avion? Me sa duket, për Germanwings dhe Lufthansan, po
Gjatë trainimit në shkollën e fluturimit të Lufthansas në Phoenix, piloti i dytë që shkaktoi tragjedinë ishte gjykuar pjesërisht “jo i përshtatshëm për të fluturuar”. Në vitin 2009 ra në depresion të thellë. Ishte i detyruar të kryente kontrolle të rregullt mjekësorë
Tabolidi gjerman Bild, duke cituar burime të vetë kompanisë gjermane ka gjetur çertifikatën e hartuar gjashtë vjet më parë gjatë kohës së trainimit në shkollën e fluturimit Lufthansa në Phenix të SHBA.
Në dokumentin e publikuar sot thuhet se piloti ishte gjykuar pjesërisht “i papërshtatshëm për të fluturuar një avion”. Një zbulim ky që pak të thuash është shqetësues, dhe që hedh hije mbi kompaninë ajrore, dhe që ndihmon të përvijohet dinamika e aksidentit të të martës. Edhe sepse, sic shkruan Der Spiegel, hetuesit e prokurorisë së Dyseldorfit kanë gjetur tregues të sëmundjes psikike të Lubitzit gjatë kontrollit të bërë në shtëpinë e tij.
Siç shpjegon e përditshmja Bild, Lubitz kishte qenë për gjashtë muaj në terapi psikiatrike përpara se të përfundonte shkollimin si pilot. Konfirmohet kështu një detaj i rëndësishëm i historisë personale që shkaktoi vdekjen e 149 personave në bordin e Airbusit A320. Për revistën Der SPiegel, në kontrollin e dy shtëpive që përdorte Andreas Lubitz në Dyseldorf dhe Montabaur, u gjetën materiale që konfirmojnë problemet psikike të të riut.
Sipas të përditshmes, që citon “burime të Lufthansas”, arsyeja përse i riu ndërpreu shkollimin aeronautik në vitin 2009 ishte një depresion i rëndë, me të cilin u diagnostikua në atë kohë dhe për të cilin merrte ende ndihmë terapeutike. “Episodi i rëndë depresiv” kishte mbetur në dosjen e dokumentave të të riut, në duar të departamentit të trafikut ajror gjerman nën kodin SIC, që tregon domosdoshmërinë që personi në fjalë t’i nënshtrohej “kontrolleve të rregullt mjekësorë”.
Fakti që pilotit të dytë që shkaktoi katastrofën iu desh të ndërpresë për një periudhë të gjatë trainimin në shkollën e fluturimit të Lufthansas ishte pranuar të enjten nga drejtori i kompanisë, Spohr. Megjithatë ai nuk sqaroi se për çfarë arsye kishte ndodhur ndërprerja, duke përmendur të drejtën e privatësisë shëndetësore. Megjithatë, në mënyrë të menjëhershme kishin qarkulluar zërat e të afërmve dhe miqve që flisnin për depresionin e tij./ilgiornale/Bota.al