Shkence

Ja përse ëndërrimi me sy hapur na bën mirë

Screen Shot 2015-11-11 at 17.49.08

Nga Claudia Hammond

Ulu, shplodhu dhe mos mendo asgjë. E ke të vështirë? Mund të ketë një arsye të fortë pse mendja jote duket se vazhdon të endet, edhe atëherë kur përpiqesh shumë për ta stakuar: truri yt asnjëherë nuk pushon me të vërtetë. Dhe ndryshe nga ajo që besohet gjerësisht, ato ëndërrimet “përtace” me sy hapur mund të jenë të dobishëm

Për vite të tërë, neuroshkencëtarët kanë punuar bazuar në supozimin se truri ynë punon shumë kur i është dhënë një punë specifike për të bërë, dhe “fiket” kur nuk jemi të stimuluar mendërisht. Prandaj lexojmë shpesh për ekperimente, në të cilët vullnetarët kryejnë një detyrë – janë duke lëvizur gishtin, duke kryer një artimetikë mendore, duke vështruaar piktura ndjellëse – ndërsa u skanohet truri. Skanimi zbulon cilat pjesë të trurit bëhen më aktive gjatë detyrës së dhënë dhe cilat janë më pak aktive. Në këtë mënyrë, është e mundur të gjendet përgjigja, se si truri ynë e kontrollon sjelljen tonë.

Shpesh herë, neuroshkencëtarët dëshirojnë të eksplorojnë aktivitetin e trurit për një numër detyrash të ndryshme, kështu që ata kanë nevojë ta “çojnë” trurin në një gjendje neutrale, në periudhën mes provave. Zakonisht, kjo bëhet duke i kërkuar personit që t’ia ngulë sytë një kryqi të thjeshtë të bardhë, në mesin e një ekrani të zi. Duke mos menduar asgjë në veçanti, sipas kësaj teorie, truri në parim do të “fiket”.

Ka vetëm një problem: ai nuk “fiket”.

Shenja e parë që një tru në gjëndje pushimi është aktiv erdhi dy dekada më parë. Një student i quajtur Bharat Bisval, ishte duke studiuar për PHD në Kolegjin Mjekësor të Uisconsinit, në Miluaukee. Ai ishte duke investiguar për mënyrat si mund të merret një sinjal më i pastër, nga një skaner truri, kur vuri re se truri në gjendje pushimi, nuk është se po rri pa bërë asgjë. Edhe atëherë kur njerëzve u thuhej të “pastronin” mendjet e tyre, ose të ngulnin vështrimin në një kryq, aktiviteti në tru vazhdonte. Jo vetëm kaq, skanimet e trurit dukej se e paraqisnin në mënyrë të koordinuar këtë aktivitet.

Rrjet “përtac”

Më pas, në vitin 1997, një analizë që përfshinte rezultatet e nëntë studimeve të skanimit të trurit, zbuloi një tjetër surprizë. Gordon Shulman shpresoi se analiza e tij do të ndihmonte në identifikimin e rrjetit, që lind kur njerëzit kushtojnë vëmendje. Por ai zbuloi të kundërtën – rrjeti aktivizohet kur ne nuk bëjmë ndonjë gjë.

Do të kishte kuptim për trurin të bëhej më shumë aktiv, kur vullnetarët kalonin nga pushimi, në kryerjen e një detyre. Në të kundërt, Schulman vuri re se disa zona të trurit bëheshin më pak aktive, kur koha e pushimit përfundonte dhe aktiviteti rifillonte. Kjo sugjeronte atë që ndërsa njerëzit ishin duke u shtrirë në qetësi në skaner, duke u supozuar se nuk bënin asgjë, pjesë të trurit të tyre ishin në fakt më shumë aktive, se sa kur vullnetarët ishin duke kryer në mënyrë aktive një detyrë.

U desh ca kohë për të përthithur idenë që truri asnjëherë nuk pushon së përditësuari. Për vite neuroshkencëtarët kishin menduar se qarqet e trurit stakoheshin, atëherë kur nuk nevojiteshin. Në vitin 1998, neuroshkencëtarit Marcus Raichle, tani njëri nga udhëheqësit në fushë, iu refuzua një dokument nga një gjyqtar, i cili tha se aktiviteti i dukshëm duhet të jetë i ulët për shkak të një gabimi në të dhëna.

Pyetja e madhe është: Pse truri inaktiv është kaq aktiv? Ka teori të shumta, por ende asnjë marrëveshje. Ndofta zona të ndryshme të trurit janë duke u praktikuar thjeshtë për të punuar së bashku. Ndoshta truri qëndron aktiv, si një makinë inaktive në dispozicion, thjesht në rast se është nevoja të fillojë papritur aktivitetin. Por është e mundur që ato endje të trurit dhe rikujtime të ditës tonë, të luajnë një rol jetik, duke na ndihmuar për të konsoliduar kujtimet tona. Ne e dimë se ëndrrat tona me sy hapur duken se luajnë një rol në sistemimin e kujtimeve tona – tani ka prova se ndodh gjithashtu gjatë ditës (të paktën tek minjtë).

Ne gjithashtu e dimë se kur mendja lihet të endet, ajo fokusohet shpesh në të ardhmen. Ne fillojmë të mendojmë rreth asaj që kemi për të ngrënë për darkë, apo se ku do të shkojmë javën tjetër. Të treja zonat kryesore të trurit të përfshira në imagjinimin e të ardhmes, janë pjesë e rrjetit, në gjendje shkujdesjeje. Është pothuaj sikur truri ynë të jetë i programuar të meditojë të ardhmen, kurdoherë që e gjen veten të pa angazhuar.

Moshe Bar, nga Shkolla Mjekësore e Harvardit mendon se mund të ketë një arsye shumë të mirë për këtë. Ai beson se vegimet e ditës në esencë krijojnë kujtime ngjarjesh që nuk kanë ndodhur. Kjo na jep ne një prirje të çuditshme të “eksperiencave të mëparshme”, të cilat ne mund t’i nxjerrim për të na ndihmuar të vendosim, se si të veprojmë nëse vegimet e ditës na ndodhin ndonjëherë në realitet. Për shembull, shumë udhëtarë kanë pyetur veten sesi do të ishte vallë sikur të përplasej avioni. Ideja e Bar është se nëse avioni do të përplasej faktikisht, kujtimet e të gjithë atyre vegimeve të ditës nga udhëtimet e mëparshme, do të hynin në punë dhe do t’i ndihmonin pasagjerët të vendosnin se si të silleshin.

Por gjendja e pushimit nuk është e lehtë për t’u investiguar. Ndërsa disa psikologë konjitivë kanë nxjerrë në pah arsyen, thjesht ngaqë një person shtrihet në një skaner, ne nuk mund të jemi të sigurtë se ata pacentë janë vetëm me mendimet e tyre, duke analizuar vetveten. Ata mund të jenë duke menduar rreth zhurmave të skanerit dhe për atë që është duke ndodhur rrotull tyre, për këtë arsye ka shumë pyetje të papërgjigjura rreth endjes së mendjes. Për shembull, a janë vegimet gjatë ditës, të cilat ne i provojmë kur jemi duke u përpjekur – dhe duke dështuar – për t’u fokusuar në punën tonë, të ndryshme nga ato që kemi, kur po përpiqemi qëllimisht që të stakohemi?

Inaktivitet unik

Megjithatë progresi vazhdon. Një studim i publikuar herët këtë vit hodhi idenë, që ne mund të provojmë gjëndjen e pushimit në një mënyrë paksa të ndryshme. Kërkuesit kryen një skanim të detajuar të trurit të pesë njerëzve, të cilët ishin trainuar të tregonin endjet e trurit të tyre në detaje çdo herë që dëgjonin një pipëtimë kompjuteri. Kërkuesit gjetën ndryshime të konsiderueshme midis mendimeve dhe eksperiencave ëndërrimtare të secilit person.

Në shtator, kërkuesit në Universitetin e Oksfordit, përdorën skanime të trurit të 460 njerëzve në një gjendje pushimi, për të eksploruar se cilat pjesë të trurit komunikojnë me njëra-tjetrën, kur ne jemi duke pushuar. Përsëri, rezultatet treguan ndryshime personale në gjendjen e pushimit – këtë herë e lidhur me aftësitë dhe eksperiencat jetësore. Fuqia e lidhjeve midis pjesëve të ndryshme të trurit varion me fuqinë e kujtesës së një personi, vitet e edukimit dhe rezistencën e tij fizike. Është sikur pjesë të trurit mbeten të lidhura kur mendja jonë endet, thjesht në rast se kemi nevojë që ato të jenë duke bërë diçka.

Shkencërisht, zbulimi që truri nuk është kurrë në pushim mund të ndihmonte të kishte sens një mister i vjetër: pse përdor truri 20 % të energjisë së trupit, kur aktivitetet që ne dimë se kryen duhet të kenë nevojë vetëm për rreth 5%? Marcus Raichle e ka etiketuar pjesën munguese, 15% “energjinë e errët” të trurit: aktiviteti i gjendjes së pushimit mund të shpjegojë ca nga kjo mospërputhje.

Zbulimi i gjendjes së pushimit ka gjithashtu potencialin për të ndryshuar mënyrën që secili nga ne ndjehet rreth trurit tonë. Ne e dimë sesa e vështirë është për të “zbrazur” mendjen tonë. Ne e dimë sesi mendjet tona kanë një prirje për t’u endur, edhe atëherë kur ne nuk duam që ato të enden. Por panorama e shfaqur na sugjeron se këto sjellje të çuditshme mundet të jenë aktualisht me përfitim edhe nëse ato na pengojnë, për të përfunduar një detyrë, apo për të arritur një afat kohor. Me fjalë të tjera, ndoshta është koha për të festuar virtytet e një mendjeje “përtace”.

BBC – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button