Bota

Ja pra, që demokracia është një tallje, thotë Kina. Shihni Donald Trumpin…

Screen Shot 2016-03-17 at 11.48.58Kur ka trazira në brendësi të kufijve të Kinës – greva, protesta, luftë e ashpër për pushtet – rrallëherë gjen ndonjë copëz të këtyre, në faqet e shtypit të kontrolluar totalisht.

Kur ndodh gjetkë – dhe sidomos kur nxjerr në pah rreziqet dhe të metat e demokracisë – shndërrohet në lajm për faqet e para.

I tillë është rasti i kandidatit republikan për president, Donald Trump, i cili për sundimtarët autoritarë të Kinës, është bërë shembulli më i fundit i idesë së tyre që, është ide e keqe të lejosh masat të zgjedhin udhëheqësit e tyre.

“Ngjitja e një racisti në hapësirën politike amerikane shqetëson gjithë botën”, shkruante këtë javë gazeta Global Times, e kontrolluar nga partia. “Ai madje është quajtur një tjetër Benito Musolini apo Adolf Hitler, nga disa media perëndimore”.

Më tej, ajo shtonte: “Musolini dhe Hitleri erdhën në pushtet me zgjedhje, një mësim i fortë ky për demokracinë perëndimore”.

Trumpi, ose “Chuanpu”, si e quajnë atë në Kinë, ka qenë një dhuratë për spin doctor-ët e Partisë Komuniste, që paguhen për të bindur 1.4 miliardë banorët e vendit, se sundimi prej popullit është një rrugë e sigurtë drejt kaosit dhe shkatërrimit.

“Ata po e shijojnë këtë moment”, thotë Zhou Fengsuo, një aktivist për demokraci me banim në SHBA, i cili u largua nga Kina pas shtypjes së revoltës së Tiananmenit, në vitin 1989. “Ata janë të lumtur. Ata po qeshin me këtë. Për ta, Trumpi është një personazh i mirë për të shfaqur mangësitë e sistemit demokratik, pra që një njeri i tillë mund të bëhet president. Eshtë thjeshtë e pabesueshme. Pekini përfundimisht po fërkon barkun”.

Nick Basley, profesor i marëdhënieve ndërkombëtare dhe drejtor ekzekutiv i La Trobe Asia, thotë se ngjitja e një politikani kaq përcarës ka ofruar municionin e përsosur për sundimtarët e Kinës njëpartiake, për të argumentuar se demokracia nuk është e keqe vetëm për Kinën, por edhe për botën.

“Ajo prodhon kllounë. Eshtë karnavaleske. Eshtë dekadente”, thotë Bisley. “në shumë drejtime, Trumpi përmbush stereotipet e figurës kapitaliste të bosit: një perëndimor dekadent që godet me fjalët që nxjerr nga goja, duke lëshuar gjithfarësoj komentesh racistem, të marrë. Po të mos ish e vërtetë, do të na dukej e sajuar. I shkon shumë për shtat mesazhit që ata kanë krijuar për demokracinë”.

Gazetat kineze, që më parë kanë qortuar Pranverën Arabe dhe revolucionin e sheshit Maidan në Ukrainë, si prova të rreziqeve të demokracisë, nuk kanë harxhuar kohë për të amplifikuar trazirat që mund të sjellë Trumpi.

Përralla që rrethoi zgjedhjen e Obamës është “grisur”, shkruante revista Beijing review në një artikull të fundit. Ngjitja e Trumpit e ka transformuar garën presidenciale “në një tallje të madhe”.

“Po të isha si ata, do të kisha ndjenja të përziera”, thotë Bisley. “Nga njëra anë, në terma kohëshkurtër, është shumë mirë për byronë e propagandës si dhe për të thënë që Kina është një model që funksionon më mirë se të tjerët. Por nëse ecim përpara në kohë, nëse je zyrtar i ministrisë së jashtme kineze që do të të duhet të kesh të bësh me Amerikën e Trumpit, do të jetë vërtetë e paparashikueshme. Na pëlqen apo jo, unë mendoj se amerikanët dhe kinezët kishin gjetur një mënyrë të arsyeshme të të punuarit mes tyre, me Obamën dhe në gjysmën e dytë të administratës Bush”, thotë Bisley. /Me shkurtime nga The Guardian – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button