Shendeti

Ja pse ju dridhet syri, dhe si ta largoni

Një dridhje në syrin tuaj mund të jetë jashtëzakonisht irrituese dhe shpërqëndruese. Por për fat të mirë, dridhja e syve zakonisht nuk është e dhimbshme, dhe shumë rrallë është shkak për shqetësim. “Në thelb është një mbistimulim i muskujve të syrit”, thotë Donny Suh, profesor i asociuar në Institutin e Syrit të Truhlsen në Universitetin e Nebraskës në Qendrën Mjekësore në Omaha. Ky mbistimulim rezulton në një tkurrje të pavullnetshme të muskujve, gjë e cila manifestohet si një dridhje e vogël në sy. Ja çfarë duhet të dini rreth dridhjes së syve dhe çfarë mund të bëni për ta bërë të largohet.

Çfarë e shkakton dridhjen e syve

Ka disa shkaqe të mundshme të dridhjes së syve dhe shumica e tyre janë lehtësisht të korrigjueshme. Dy nga më të zakonshmet? Stresi dhe mungesa e gjumit. Shumë kafeinë, alkool ose nikotinë mund të çojnë gjithashtu në dridhje të syve.

Një dridhje e syve mund të shkaktohet edhe nga sy të thatë, që mund të shkaktohet nga një numër faktorësh të ndryshëm. “Kjo mund të [shkaktohet] nga një sëmundje autoimune, por më shpesh ndodh me plakjen ose medikamentet”, thotë Dr. Suh. Antihistaminat, antidepresantët, dhe ato për lirimin e hundëve janë fajtorët më të zakonshëm.

Dridhja e syve mund të jetë gjithashtu një simptomë e kushteve të caktuara të syrit, duke përfshirë glaukomën, blefaritin (inflamimin e qepallave), uveitën (një lloj tjetër inflamimi në sy) ose konsumim i kornesë.

Kur të shkoni tek mjeku

“Dridhjet zakonisht janë beninje dhe duhet të zgjasin vetëm disa javë”, thotë Dr. Suh, duke shtuar se një dridhje e vazhdueshme e syve mund të çojë në më shumë ankth, gjë që e pengon atë të largohet. “Problemi është se sapo të zhvilloni këto dridhje, ato kanë prirjen të shkaktojnë një rreth vicioz”.

Sidoqoftë, nëse një dridhje e syve zgjat për një kohë të gjatë, ose nëse keni pamje të dyfishtë, ose kontraktime të fytyrës jashtë qepallës, Dr. Suh rekomandon që të shikoni një specialist menjëherë. Në raste shumë të rralla, dridhja e syrit mund të jetë një shenjë e hershme e një gjendjeje më serioze, duke përfshirë paralizën Bell, sklerozën e shumëfishtë (MS) ose sindromën Tourette. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button