Analiza

Ja pse Kalifati po fiton

…Ata u tërhoqën në fshatrat e tyre dhe vendosën të presin. Ata thanë: “Ne kemi kërkuar garanci nga amerikanët. Duam të rifillojmë punë. Duam të kuptojmë, nëse do të kemi një vend këtu, në shtëpinë tonë…”. Më përdorën si një lajmëtar: “U bëni me dije se nëse pas 6 gjashtë muajsh nuk do të na kthejnë përgjigje, ne do të fillojmë rezistencën”. Përgjigje nuk pati dhe ata e mbajtën në fakt premtimin e tyre…

Screen Shot 2015-03-22 at 1.45.50 PM

Nga Daniele Mastrogiacomo

Daullet e luftës po afrohen e po dëgjohen përherë e më fort. Një luftë e zgjedhur, e kërkuar, e cila na është imponuar. Sipas një strategjie që nuk është e improvizuar, por e studiuar prej kohësh. Xhihadistët janë terroristë. Tek terrori e bazojnë forcën e tyre të ndikimit, fizik dhe psikologjik, dhe përforcojnë pushtetin e tyre. Por do të ishte një gabim i rëndë, t’i trajtojmë në të njëjtën mënyrë si ata që kemi njohur në Evropë në vitet ’70 të shekullit të kaluar.

Burrat me të zeza të Kalifatit udhëhiqen nga mendje të kultivuara: gjeneralë, kolonelë, majorë dhe kapitenë. Kuadrot e ushtrisë së Sadam Huseinit. Profesionistë të konflikteve. Burra, që kanë kaluar një jetë të tërë në fushëbeteja, të kalitur në shkollat e luftës, burokratë të errët me spaleta, që deri në vitin 2001 popullonin ministritë e Mbrojtjes, Punëve të Brendshme dhe të zbulimit në Bagdad.

Militantët e partisë së vjetër Baath, laikë dhe socialistë, të rritur nën hijen e Bashkimit Sovjetik,

që kishte ndikimin e vet në atë zonë të botës. Burra dhe shpesh gra, të përzënë ditë pas dite nga puna, nga një jetë pa shumë andralla, për shkak të zgjedhjes fatkeqe dhe dritëshkurtër të strategëve amerikanë, kur u pushtua Iraku dhe u rrëzua udhëheqësi i vjetër. Ata kanë aftësi ushtarake dhe një njohje të thellë mbi shtetin: mund ta administrojnë, janë mësuar me disiplinën, respektojnë rregullat, kanë studiuar ekonomi dhe financa.

Jetojnë në vendin e tyre: e dinë ku t’i gjejnë armët, ku të grumbullojnë trupat, si t’i pozicionojnë ato. Njohin teknikat e zbulimit, komunikimit dhe koordinimit.

I njoha ata në muajt që pasuan ardhjen e trupave amerikane në Bagdad, në vitin 2003. Sunitë krenarë për të kaluarën e tyre, kishin humbur punën, pagën dhe dinjitetin. E kishin pranuar humbjen, të poshtëruar edhe nga arratia e udhëheqësve të tyre. Kërkuan garanci për të ardhmen. Amerikanët morën kohë për t’u përgjigjur. Nuk u besonin sunitëve Baathistë. Tepër të lidhur me Sadamin.

Më mirë të mbështeteshin tek shiitët. Përfundimisht, i përjashtuan nga procesi i

rindërtimit të shtetit. I shihja, të mbërthyer në uniformën e tyre dinjitoze ushtarake, çantën e punës në dorë, ndërsa prisnin në rradhë, në të nxehtin përvëlues të verës, nëpër retë e pluhurit dhe rrotullat prej teli me gjemba, për të marrë 20 dollarëshin në formë kompensimi, sikurse e kishte vendosur asokohe guvernatori amerikan, Pol Bremer.

Për rrjedhojë, ata u tërhoqën në fshatrat e tyre dhe vendosën të presin. Ata thanë: “Ne kemi kërkuar garanci nga amerikanët. Duam të rifillojmë punë. Duam të kuptojmë, nëse do të kemi një vend këtu, në shtëpinë tonë…”. Më përdorën si një lajmëtar: “U bëni me dije se nëse pas 6 gjashtë muajsh nuk do të na kthejnë përgjigje, ne do të fillojmë rezistencën”. Përgjigje nuk pati dhe ata e mbajtën në fakt premtimin e tyre: nëse pati 3.000 të vdekur mes ushtarëve amerikanë, kjo është edhe për shkak të të njëjtëve ushtarakë irakianë, që tashmë ndodhen në krye të burrave të veshur me të zeza të Kalifatit.

Nëse Mosuli u pushtua brenda një jave, kjo nuk ndodhi vetëm për shkak të trajnimit të dobët të ushtrisë së re irakiane. Nëse përparimi drejt Tikritit ndaloi befas, kjo jo për të shmangur hakmarrjen

apo masakrimin e civilëve. Përkundrazi, është dëshmia se 30 mijë xhihadistët janë shumë më tepër sesa luftëtarët e thjeshtë të milicisë. Të zhdukësh Shtetin e ri Islamik, që ndodhet përgjatë gjysmëhënës pjellore, nuk do të jetë e lehtë.

Unë nuk e di nëse pas themelimit të ISIS-it ka një anëtarësim masiv në islamin radikal të udhëheqësve të vjetër ushtarake të Sadamit. As nëse një luzmë xhihadistësh, të dyndur nga e gjithë bota, janë përdorur vetëm si instrumenta për të rifituar pushtetin e vjetër. Por unë ndërkaq e di, se fitorja e qartë e së djathtës së Netanjahut në Izrael, do t’i mbyllë derën çfarëdolloj dialogu me Autoritetin Kombëtar Palestinez.

Dhe që ferri sirian, do të zgjerojë konfliktin edhe në Liban. Se shumica republikane në Kongresin Amerikan dhe fitorja e tyre e mundshme në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, do të largojë çdo mundësi për një marrëveshje mbi programin bërthamor të Iranit. Që megjithatë, Teherani herët a vonë, do të arrijë të ndërtojë armën bërthamore. Se Libia do të bëhet një pjesë e re e Kalifatit. Se Boko Harami, do të përparojë edhe më shumë drejt Çadit dhe Kamerunit.

Se i gjithë Magrebi, mund të përshkohet nga sulmet e xhihadistëve. Masakra e fundit në Tunizi është një provë për këtë. Daullet e luftës nuk bien vetëm në jug dhe lindje të Mesdheut. Një pjesë e mirë e Ukrainës, ndodhet në duart e rebelëve pro-rusë, Afrika zien sërish, Jemeni është i përçarë dhe i tronditur. Fjalë të tilla si ndërmjetësim, përpjekje, bisedime kanë humbur forcën dhe vlerën. Përkundrazi, mbizotërojnë veprimi, ndërhyrja, bllokimi, gërmadhat. Bota po mbyllet në vetvete, e përndjekur nga fantazmat dhe frika. Paqja është në krizë, e përshkuar nga një luftë që tashmë ka filluar./”Huffpost.it”/

www.bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button