Bota

“Jam një fuçi baruti”. Letra e vrasësit të gazetarëve në Virginia

Screen Shot 2015-08-27 at 8.48.39 AM

Personi që qëlloi dhe vrau dy gazetarë gjatë një transmetimi live në shtetin amerikan të Virginias, ka dërguar një faks të mbushur me zemërim në redaksinë e televizionit amerikan ABC News, ku e përshkruan veten si një “fuçi baruti”, pak çaste pas sulmit. Vester Flanagan, i cili ishte pushuar nga puna në të njëjtin stacion, WDBJ7, vrau veten pas ndjekjes nga policia.

Në faksin e dërguar, Flanagan përshkruan vuajtjen prej diskriminimit dhe talljeve për shkak se ishte homoseksual dhe zezak.

Shtëpia e Bardhë, në një deklaratë bëri të ditur se sulmi i të mërkurës tregoi edhe një herë nevojën për kontroll më të mirë të armëve.

Dy të vrarët ishin gazetarja e WDBJ7, Alison Parker, dhe një kameraman Adam Ward. Drejtori i stacionit televiziv, Jeff Marks tha: “Nuk jua përshkruaj dot se sa shumë të mirë ishin”. Më tej, ai tha se Flanagan ishte një njeri “jo i lumtur” i cili ishte shoqëruar jashtë ndërtesës së WDBJ, pasi ishte pushuar nga puna në vitin 2013.

Parker po realizonte një intervistë në lidhje me turizmin të mërkurën në mëngjes, në qytetin e Monetas, kur ndodhi vrasja. Krejt papritur, u dëgjuan të shtëna, dhe shikuesit panë kamerën të bjerë përtokë. Mund të dëgjoheshin ulërima, ndërkohë që nga filmimet u pa për një sekondë edhe atentatori.

Disa orë më vonë, vrasësi postoi një filmim në Internet, ku tregon veten e tij që hap zjarr nga shumë afër.

E intervistuara, Vicki Gardner ndodhet në gjendje të qëndrueshme në spital, pas operacionit.

ABC News bëri të ditur se ka marrë një faks me 23 faqe, i dërguar me sa duket nga vetë Flanagan, nën emrin e tij të profesionit, Bryce Williams, në të cilin ai shkruan se zemërimi i tij ishte “ndërtuar në mënyrë të vazhdueshme dhe tashmë ishte shndërruar në një fuçi baruti që pritej të plaste!!!”

Autori thotë se ka vuajtur prej racizmit dhe homofobisë në punë, dhe shpreh admirimin për adoleshentët që vranë 13 vetë në Shkollën e Colmbine në Colorado, në vitin 1999.

Ai thotë në faks, se sulmi në Charleston të Karolinës së Jugut, ku u vranë nëntë zezakë që shkonin në kishë, ishte ai që “e derdhi kupën”./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button