Bota

Japonia dhe dënimi me vdekje

Në mars të 2016 Japonia ekzekutoi dy të burgosur nga korridori i vdekjes dhe në korrik 2018 Shoko Asaharan si dhe 6 anëtarë të sektit “Aum Shinrikyo”, përgjegjës për sulmet me gaz sarin në metronë e Tokios në vitin 1995. Në Japoni edhe pse shumë njerëz nuk e dinë ekziston dënimi me vdekje.

Në Japoni gjithmonë ka patur dënime me vdekje, edhe pse nga ndikimet budiste në periudhën Nara dhe mbi të gjitha në periudhën Heian përgjatë 300 viteve nuk pati asnjë lloj dënimi me vdekje. Megjithatë Japonia moderne i konsideron disa krime si vrasjet e rënda dhe tradhtia tepër të ndjeshme që detyrimisht çojnë drejt dënimit me vdekje. Sistemi japonez përcakton se dënimi duhet të kryhet 6 muaj pas mohimit të apelimit të të dënuarit dhe duhet të firmoset nga ministri i drejtësisë. Koha që një i dënuar kalon në jetë nuk llogaritet; koha e të dënuarit në korridorin e vdekjes është 5-7 vjet. Ka patur edhe raste ekstreme si ai i Hirasawa Sadamichi-it,që vdiq në moshën 95 vjeçare në burg nga vdekje natyrore, pasi kishte 32 vjet që priste ekzekutimin. Në rastin e Shoko Asaharës, edhe pse shumë njerëz thonë se është vonuar me 23 vite, në të vërtetë u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje në vitin 2004. Gjithsesi 14 vite pritje justifikohen për shkak të apelimeve të shumta të avokatëve të tij dhe e fundit u krye në vitin 2016. Japonia i ekzekuton të dënuarit me varje, pa përjashtim dhe forma japoneze e ekzekutimit na duket tmerrësisht mizore.

Të dënuarit me vdekje kanë më pak të drejta sesa të burgosurit e tjerë. Mbeten të izoluar përgjatë gjithë kohës kur ndodhen në korridorin e vdekjes. I dënuari e merr vesh ekzekutimin e tij pak orë më parë, kur në mëngjes të ditës së caktuar njoftohet se do t’i ofrojnë vaktin e fundit. Për më tepër familjarët dhe avokatët e të dënuarit nuk njoftohen deri pasi ka ndodhur ekzekutimi. Ata mund të kalojnë vite në korridorin e vdekjes pa e ditur se dita e nesërme do të jetë e fundit si dhe gjenden në kushte të vështira që krijon një problem të rëndë mendor për të burgosurit.

Amnisty International publikoi në 2009 një dokument interesant me titull “Hanging by thread; Mental health and the death penalty in Japan”. Është një fakt i rëndë që të ekzistojë një dënim me vdekje në Japoni, që dënon me 99%  njerëzit që shkojnë në gjygj, sidomos kur ekzistojnë dyshime për rrëfime të forcuara. Duhet të kemi parasysh se në Japoni kur të arreston policia të fut në një qeli për 23 ditë pa të drejtën e një avokati dhe që nuk regjistrohen marrjet në pyetje. Ka patur raste që janë liruar njerëz pasi kanë kaluar vite në burg, të cilëve askush nuk u ka kërkuar ndjesë.

E rëndë është se në Japoni nuk ekziston një debat i gjallë mbi dënimin me vdekje. Sipas komenteve shumë japonezë nuk e kanë të ngulitur idenë se një i dënuar ka të drejta dhe konkretisht vrasjet dhe dënimet shihen si diçka e largët që shoqëria nuk i kushton shumë vëmendje. Është diçka që i ndodh të tjerëve dhe për këtë arsye nuk ka një zë popullor që të kërkojë shfuqizimin e këtij ligji. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button