Analiza

“Je suis Dieudo”

Portret i komikut antisemit që ka futur në qark të shkurtër Francën dhe idenë e liberté. Fillimisht i përkëdhelur dhe tani i refuzuar nga e Majta

Screen Shot 2015-02-15 at 10.17.22

Provoni të shkoni tani nëpër banlieue, aty ku marche républicaine në kujtim të viktimave dhe për lirinë e shprehjes e pak ditëve më parë ka qenë një “marshim borgjezësh dhe të bardhësh”, atje ku “u ka ngrënë kurrizi vetë, nuk duhej ta preknin Profetin, i kishim paralajmëruar, do të duhej të ndaloheshin më parë”, atje ku “Allahu Akbar”, atje ku “nique la France” (pirdhu me gjithë Francën). Shkoni për shembull në Grigny, në lagjen Grande Borne, midis periferive më të varfra dhe më të kequshqyera të Francës, ku ka lindur dhe është rritur Amedy Coulibaly, atentatori i supermarketit kosher në Porte de Vincennes, dhe pyesni pak të rinjtë e vendit se çfarë idesh kanë krijuar për sulmet terroriste ndaj Charlie Hebdo dhe Hyper Cacher.

Do t’ju përgjigjen kështu: “Ka vdekur prej një infarkti në zemër, është e sigurtë, përndryshe do të kishim parë gjak. Është një vënie në skenë, një komplot për të na vënë njëri kundër tjetrit. Një mysliman nuk e sulmon një mysliman tjetër”, thotë për “Le Figaro” 17 vjeçarja Aminata, sipas së cilës Ahmed Merabet, polici me fe myslimane, nuk është vrarë nga një e shtënë AK-47. Dhe akoma: “Në Grigny, nuk jemi Charlie. Veç të tjerash, askush nuk ka shkuar në manifestim. Ka qenë një gjë e bërë kinse për borgjezët, për të bardhët. Keni parë të marshojnë shumë zezakë e arabë? Unë jo…”.

Të shqetësuar për reputacionin shumë të keq të qytetit të tyre, që tani është “la ville de Coulibaly”, dhe per “urrejtjen kundër myslimanëve që do të rritet” si pasojë e atentateve, të rinjtë kanë vetëm një siguri: bëhet fjalë për një komplot të organizuar nga qeveria e François Hollande. Dyshimet mbesin mbi fajtorin kryesor. Tri janë opsionet: Izrael, Shtetet e Bashkuara ose të dy. Dhe sido që të jetë, ato që manovrojnë ngjarjet, theksojnë në union, janë “mediat, të gjitha të korruptuara”, dhe sidomos “hebrenjtë”: “Janë të pasur, qeverisin botën. Janë ata që zotërojnë frerët. Kontrollojnë mediat, Shtetet e Bashkuara. Ka deri ministra hebrenj në qeveri”, shpërthen Fatou, asistent për fëmijët rreth të 20-ave, për të shpjeguar se “pse Coulibaly e kishte me hebrenjtë”. Po vëllezërit Kouachi? Janë vrarë në Siri, thonë të gjithë, përpara vënies në skenë të policëve e destinuar që të besohej për atentatin. Sjellin në vëmendje luftërat e zezakëve amerikanë për të drejtat civile, shprehin zëshëm më krenari antisemitizmin e tyre, krahasojnë sionizmin me nazizmin, marrin kallëp gjithçka që paraqitet në oqeanin e uebit si antisemite, magazinojnë në mendje teori konspirative me kilogramë dhe kanë të idhull këta të rinj të banlieue-ve: Dieudonné M’Bala M’Bala. Është në këtë klimë mërie antihebarike dhe komplotizmi delirant, që komikun metis më i famshëm i Francës (nënë bretone dhe baba kamerunas) hedh rrënjët e suksesit të tij, me atë “ik q…” ndaj sistemit që është e stërnjohura quenelle, krah i armatosur i ideologjisë së tij.

Atje, në periferitë e “haine”, të urrejtjes, ku République është në tërheqje prej kohësh, kori i “Je suis Charlie” nuk ka ngjitur. Gjatë këtyre ditëve në të cilat është dëgjuar të flitet në të gjitha aspektet lidhur me lirinë e shprehjes, me mitingjet volteriane të së dielës për të na shpjeguar në televizion dhe në gazeta se cilët janë limitet e saj, është një tjetër kor që bën jehonë nga cité në cité: “Je suis Dieudo”. Vendimi për ta vënë në gjendje ndalimi për ta dërguar më pas për gjykim me akuzën e “apologjisë së terrorizmit”, për shkak të shprehjes së keqe të botuar dhe më pas të tërhequr nga faqja e tij e Facebook të dielën e kaluar në mbrëmje, “Je suis Charlie Coulibaly”, nuk ka bërë gjë tjetër veçse e ka rritur popullaritetin e tij, duke e transformuar në një martir të lirisë së shprehjes.

“Akuzat e apologjisë së terrorizmit janë qesharake”, ka thënë me zë të lartë Jacques Verdier, avokati i Dieudonné. “Autoritetet gabojnë objektiv, në këtë moment kanë gjë tjetër se çfarë të bëjnë në luftën kundër terrorizmit. Sipas Kodit Penal, ka shtuar juristi, është e ndaluar të bësh drejtpërsëdrejti apologji të akteve terroriste dhe t’i provokosh këto akte. Tani, vërtet besoni se Dieudonné është në pozicionin që të provokojë akte terroriste?

Jemi sërish në persekutimin e këtij artisti”. Në mbështetje të tij është vënë edhe gazetari amerikan Glenn Greenwald, i njohur pse ka bërë të shpërthejë skandali Datagate, që ka botuar në Twitter një pamje me shkrimin e tij #JeSuisDieudonné dhe një ftesë: “Pres që të gjithë mbrojtësit e lirisë së shprehjes në Perëndim ta postojnë këtë pamje në shenjë solidariteti”.

Fansat e Dieudo – janë 930000 në Facebook, pothuajse dyfishi i atyre të Presidentit Hollande dhe 300000 mijë më shumë se ata të lideres së FN-së, Marine Le Pen – kanë lojë të lehtë në amplifikimin e koincidencës sa kurioze, aq edhe emblematike që ka përcaktuar zhvillimin e seancës të vendosur për 4 shkurt (po këtë ditë, në 1794, Franca revolucionare abrogoi skllavërinë në kolonitë e saj), dhe në denoncimin e dypeshësisë së sistemit politiko – mediatik: “Sulmohet Charlie Hebdo dhe të gjithë flasin për lirinë e shprehjes. Dieudonné tallet me hebrenjtë dhe shtypet nga proceset gjyqësore”, akuzon tek “Libération” një djalë nga një lagje popullore Perpignan. Deri nëntorin e kaluar, “dieudosfera” mblidhej dhe informohej pothuajse ekskluzivisht në uebsajtin e shoqatës politike “Egalité et Réconciliation”, e krijuar nga pamfletisti antisionist Alain Soral – kohët e fundit i dënuar për shpifje nga Dhoma e 17-të e Trbunalit Korrektues të Parisit pse ka kualifikuar Zëvendëspresidentin e FN-së, Louis Aliot, “suceur de sionistes” dhe “partizan të linjës antisioniste të Front National”. Tani dieudonistët takohen në Quenel+, i paraqitur nga komiku antisemit si “platforma e riinformacionit” e “lëvizjes së Quenelle” kundër “perandorisë së shpifur sioniste”, “gjithmonë në drejtimin e demistifikimit” dhe mbi të gjitha “në kundërshtim total me mediat e mëdha kryesore të mbështetura e të financuara nga sistemi i dominimit që të gjithë ne e pësojmë dhe që na pengon të mendojmë përtej zonave të paracaktuara prej tij”. Pse Quenel+? Sepse rrjeti privat francez është për Dieudo djepi i “sistemit sionist” dhe, për pasojë, i të gjitha të këqijave të botës. Dhe pse 1 dhjetori si datë e themelimit? Sepse ashtu si në 1955 “Rosa Parks refuzonte që të të ngrihej për ta lënë vendin në autobus, me qëllim që të mbizotëronte drejtësia”, në 2014 “Quenel + ngrihet për të mbizotëruar drejtësia përpara rendit të përcaktuar nga mediat e mëdha që kontrollojnë shpirtrat”. Obsesioni konspirativ kundër “sistemit sionist” e arrin kulmin e tij në seksionin e sajtit “Documentaires”.

Disa tituj: “Pushtim 101: dëmet e sionizmit në Palestinë”, “Bashkëpunëtorët e Izraelit”, “Kontrata e transferimit: Hitleri, bashkëthemelues i shtetit të Izraelit”, “Roméo de Rothschild dhe Juliette Rockefeller në historinë sagës së sionizmit”, “Si ndodhi që Izraeli ka vjedhur bombën atomike?”, “Terrorizmi sionist në Amerikën e Jugut”. Akoma në fazë projektimi është në fakt “Ananassurance” (në referimit të këngës së famshme të tij, “Shoahnanas”, që ironizon për holokaustin dhe që Dieudo ia këndon saktësisht publikut adhurues që merr pjesë në spektaklet e tij) shoqëria e sigurimit për kë dëshiron “qëe t’i kundërvihet ballazi sistemit” – “më duhet të rrëfej”, shkruan Dieudo në sajtin që e prezanton, “se ideja për t’i dërguar në djall shoqëritë e sigurimit që aktualisht më sigurojnë më sjell një gëzim dhe një kënaqësi të parrëfyeshme” – dhe “banque de la quenelle”. Ndërkaq, në pritje të zyrtarizimit, komiku që dënon publikisht shahun duke e bërë antisemitizmin rrezikshmërisht të ngrënshëm, vazhdon që të korrë konsensus në mënyrë transversale, duke përfituar edhe nga mefshtësia dhe vetëdemaskimi i asaj të Majte që është sot në qeveri dhe hesht, por që dikur e adhuronte.

Dhe e adhuronte që çke me atë punë antifashistin zezak e propalestinez të lindur Fontenay-aux-Roses, në banlieue parisiane. Kur me Elie Semoun, në fillimet e viteve Nëntëdhjetë, sillte në skenë problemet sociale e periferive franceze si racizmi, integrimi, bashkëjetesën komplekse midis feve dhe etnive të ndryshme, jotolerancën dhe pabarazitë e përditshmërisë përtej “périph” që rrethon kryeqytetin, beau monde parisiane kalonte në delir në Théâtre du Splendid ku mbahej pjesa më e madhe e spektakleve të tyre. Hebreo – marokeni i brishtë Elie dhe Dieudonné, djaloshi me origjinë afrikane, nuk qenë vetëm një dyshe komike e suksesshme që bënte të qeshje duke luajtur me aftësi dhe me hidhësi të mençur me stereotipet raciale e përhapura, por edhe simbolin e antiracizmit, të diversité, të multikulturalizmit, të multietnicitetit. Me pak fjalë, prej të gjithë atyre gjërave që e Majta botëroriste ka adhuruar gjithmonë dhe i ka ngritur në dogma. Më pas, në 1997, dyshja është prishur. Dieudo ka kuptuar se dinte të bënte të shëmtuarin në skenë, se Elie Semoun, në thelb, ishte vetëm një shpatull, se humorizmi i tij që çante gjithçka mund të bëhej i hidhur edhe në planin politik dhe të shkonte të grumbullonte në atë banlieue ku kishte lindur dhe ishte rritur shumë më tepër se duartrokitje të zjarrta, me goditje denoncimesh, shprehje ironishë therëse, diskriminimin të zezakëve dhe të arabëve. I shtyrë edhe nga zemërimi prej vdekjes në Marseille të Ibrahim Ali, i ri francez me origjinë nga Ujëdhesa e Komoreve i vrarë nga një militant i Front National, e perceptuar në një optikë përplasjeje bashkëkohore midis vendaliut dhe emigrantit, vendos që të kandodojë në zgjedhjet parlamentare të 1997, në Komunën Dreux, pikërisht kundër partisë së Jean-Marie Le Pen, pa logo, por me një shpresë: “Atë që të shikoj një ditë një shoqëri të metisizuar, hibride, ku të gjitha fetë dhe të gjitha kulturat të mund të jetojnë në harmoni”. Që është pastaj utopia aktuale e një France blackblanc- beur përreth së cilës me mikun e tij – dhe të obsesionuarin tjetër ngë Kapitali i Madh Sionis – Alain Soral ka krijuar një formacion politik të ri të tijin, Réconciliation Nationale. Një parti që quhet “antisemite” dhe që, sipas anonimeve të tyre, do të luftojë kundër Marine Le Pen, “e cila ka tradhtuar idetë patriotike e babait të saj”, dhe Zemmour- ëve të ndryshëm që “përgatiten për një luftë civile antimyslimane”, megjithëse “çështja e islamit radikal është një krijim i manipulimeve amerikano – sioniste”. 7.7 përqindëshi i votave të siguruara në Dreux, aty ku 30 vjet më parë u verifikua “coup de tonnerre” i famshëm që zhdoganoi Front National në nivel kombëtar, rezulton vendimtar për humbjen e kandidates frontiste, Marie-France Stirbois. Gauche është në agjitacion, shtypi progresist shikon tek one-man-shoë (“Dieudonné tout seul”) i tij një “komicitet intéllo”, “Dépêche du Midi” do të flasë e para për “fenomenin Dieudonné” dhe për komikun metis si dikush në gjendje që të dëfrejë, por në të njëjtën kohë të shqetësojë me atë “mënyrë tejkalimi të limiteve që do të kujtojë Charlie Hebdo e ditëve të para”.

Dieudo shumëfishon iniciativat mediatike në mbështetje të rregullarizimit të “sans- papiers” dhe të së drejtës për të votuar të emigrantëve, tregohet shumë aktiv në frontin e të drejtave civile dhe në luftën kundër diskriminimeve, militon përkrah Sos Racisme për të drejtën e shtëpisë, megjithëse duke i kritikuar afërsinë e madhe me Partinë Socialiste, dhe shfaqet si testimonial në “Marshimin për të drejtat e zezakëve”. Por me mijëvjeçarin e ri, vjen edhe Dieudonné i ri dhe diskutimi i tij ngjyroset me urrejtje antisemite, duke u kthyer brenda pak kohësh në delir komplotist. Jemi në 2000, kur humoristi afrohet me mjedisin e disa lëvizje radikale zezake, midis të cilave “Nation of Islam”. Në krahun francez të tij, hap dyert e selisë qendrore parisiane, Théâtre de la Main d’Or, për një miting në të cilin merr pjesë 18 vjeçari i atëhershëm Kémi Séba, panafrikanist i njohur për pozicionet antisemite të tij. Më pas, me 21 mars të 2000, në një intervistë të dhënë për “France Soir”, thotë se “zezakët nuk janë gjë tjetër veçse dëmijë të mëdhenj, kllounë për skllavëruesit e bardhë (…) nuk ka shumë diferenca midis drejtuesve të TF1 dhe të bardhëve që zotëronin plantacione në Karaibe”. Në 2002 e në 2003 dy dérapage që kanë shënuar pikën e moskthimit: financimi i munguar për një film lidhur me trajtimin e zezakëve nga ana e Centre National du Cinéma (CNC), që e akuzon se është “në duart e sionistëve”, dhe skeçi i famshëm i transmetuar nga France 3, në të cilin, i veshur si kolon hebre, me kapuç ortodoks dhe një kallashnikov në dorë, ulëret “Isra- Heil”, duke imituar përshëndetjen naziste. Nga aty e prapa, një kaskadë episodesh dhe deklarimesh që nuk mund të rrëfehen. Bin Laden? “Do të mbesë në histori. Fama e tij është ndërkombëtare dhe e padiskutueshme. Është personazhi më i rëndësishëm i historisë bashkëkohore”. Ahmadinejad? Një humanist dhe Irani një shembull demokracie. Pastaj rreshtohet hapur me “rezistentët” Khaddafi e Bashar el Assad, manifeston në mbrojtje të Al-Manar, kanalit televiziv të islamistëve të Hizballahut, fton në skenë që të duartrokitet revizionisti i holokaustit, Robert Faurisson, dhe përderisa askush nuk është më i pa frekuentueshëm, vendos bile që t’i kërkojë Jean-Marie Le Pen t’i bëhet kumbara e vajzës Plume. Ngjall frikë Dieudonné prapa asaj talljeje të idhët dhe përçmuese, asaj të qeshure të zhurmshme dhe të papritur në të cilët pasqyrohet një humanitet laraman, të papunësh dhe të rinjsh të zemëruar, të përjashtuarish dhe të zhgënjyerish, zezakësh e të bardhësh, laikësh e myslimanësh, që dëshiron të ndjehet “antisistem” dhe pjesë e një “kundërshoqërie”. “Një gjeneratë, shkruan uebsajti Jewpop.com, e zhytur në një konfuzion mendor ekstrem, për të cilën e drejta e talljes me të gjithë, me një humor të shtirur, mundëson që të shfryhet antisemitizmi më i shpifur, duke bartur si emërues të përbashkët ndjenjën reale e një “dominimi hebraik në nivel politik, social e financiar” të padrejtë. Uebsajti Slate.fr flet për “dieudonnizim të shpirtrave”. E Majta, në panik absolut, po bën gjithçka që ta frenojë këtë fenomen. Ndërkohë, në Quenel+, duke modifikuar sloganin e fushatës presidenciale të Hollande, Dieudonné i nxit kështu idhtarët e tij: “La censure c’est maintenant”.

Përgatiti: ARMIN TIRANA

Leave a Reply

Back to top button