Shkence

Jemi bij të yjeve

Screen Shot 2015-05-15 at 17.24.51

Molekula të ardhura në Tokë, mbi “kuaj” asteroidësh e kometash? Një herë e një kohë ishte një ide fantastiko-shkencore, sot është bërë një hipotezë solide kërkimesh

Teoria panspermia ngre si hipotezë, që të paktën “tullat” themelore të jetës janë bashkuar mbi planetin tonë nga jashtë.  Shkojmë pas në kohë, e kthehemi në rreth 3,8 miliardë vite më parë, kur Toka kishte vetëm 800 milionë vite jetë. Sistemi diellor ishte shumë i ndryshëm nga ai sot, ndodhej në shtegun e trupave shkëmbore me dimensioneve të konsiderueshme, që “bombardonin” planetët e sapo formuar. Asteroidë e kometa ishin pikërisht mbetje të lindjes së planetëve, mbi të cilët precipitonin në sasira të mëdha. Duke sjellë ndoshta me vete farërat e jetës.

NJË MBËSHTETËS GUXIMTAR
Ky fenomen, në shkallë shumë të zvogëluar, përsëritet edhe sot. Edhe pse nuk e kuptojmë, mbi Tokë arrijnë çdo vit dhjetëra tonelata pluhuri ndërplanetar, thërrmija të mëdha më pak se sa një e mijëta e milimetrit, që vijnë nga pjesa e jashtme e hapësisës. Por edhe meteorë të dimensioneve të ndryshme, që pjesërisht mbijetojnë nga fërkimi i gjeneruar përmes atmosferës. E që munden të sjellin me vete tipe të ndryshme molekulash organike, të formuara në hapësirë.
Ideja që jeta mund të shumohet në Univers falë trupave qiellore, e quajtur panspermia (e përkthyer nga greqishtja fjalë për fjalë, “farëra gjithandej”), daton që nga koha e filozofit grek Anassagora (Shekulli V, Para Krishtit), por ka qënë propozuar midis gjysmës së dytë të shekullit të XIX e fillimit të shekullit XX nga shkencëtarë të ndryshëm (midis të cilëve Lord Kelvin) e më pas, u formalizua falë punës së kimistit Svante Arrhenius.

Një nga mbështetësit më të zellshëm të kësaj teorie është sot astronomi britanik Chandra Wickramasinghe. Prova vendimtare që, sipas mendimit të tij, do të konfirmonte teorinë e panspermia-s, ka qenë gjetja e një meteori të të rënë në Sri Lanka, afër qytetit të Polonnaruwas, në fundin e vitit 2012. Në brendësi të tij, skuadra e udhëhequr nga Wickramasinghe, thotë se ka gjetur disa mbetje të fosilizuara të diatomea-s, një algë mikroskopike që është përbërëse e Fitoplanktonit. Sipas analizave të kryera, përveç të tjerash, meteori mendohet të ishte një copë e bërthamës së një komete, të rënë në Tokë duke sjellë “ngarkesën ”e saj të mikro-organizmave. Një situatë që të kujton atë të një meteori tjetër hapësinor të famshëm, madje të ardhur nga Marsi: ALH84001. “Diatomea hapësinore” ka ngritur shumë kritika në ambientet shkencore, jo aq shumë mbi identifikimin e algave (që duket e vërtetë), sesa mbi pika të tjera të ndryshme: nuk është e sigurtë që shkëmbi të jetë me të vërtetë një meteor (mund të jetë tokësor); nëse do të ishte, mund të ishte ndotur në Tokë dhe, në fund, diatomea, sipas disave nuk është aspak fosil, e kështu do të qe tokësore.

“PIKUAR” NGA QIELLI
Mbi besueshmërinë e panspermia-s, kemi dëgjuar Telmo Pievani-n, titullar i katedrës së parë Italiane të Filozofisë së Shkencave Biologjike në Universitetin e Padovës dhe drejtor i Pikaia (www.pikaia.eu), portal Italian i evolucionit: “Përshtypja ime – thotë ai – është që “panspermia” është kthyer sot në një fjalë me përmbajtje shumë të gjerë. Përfshin në një ekstrem, idenë tërheqëse, por guximtare që kanë rënë nga qielli, drejtpërsëdrejti, organizma aliene fillestare, në gjendje për të “fekonduar” Tokën.

Në ekstremin e kundërt, ripohon faktin që tani duket shkencërisht i vërtetuar, se disa përbërës themelorë për formimin e të parit organizëm të gjallë njëqelizor mbi planetin tonë, mund të kenë patur një preardhje të jashtme, në veçanti përmes kometave”. Teoria origjinale e Arrheniusit parashikonte që mikro-organizmat, të përfshira në thërrmija pluhuri ndëryjor, ndoshta ishin shtyrë aty-këtu në hapësirë, nga presioni i

rrezatimit të yjeve (sot thuhet “radio- panspermia”).
Por janë shtuar variante si “litopanspermia” (në të cilën organizmat e gjallë janë bujtur në shkëmbenj të ardhur nga një tjetër planet) dhe hipotezat e ndryshme të panspermia-ve të “udhëhequra” (ose drejtuar), në të cilat organizmat e parë të gjalla do të ishin ishin drejtuar mbi planetin tonë, prej alienëve inteligjentë. Versioni më i “butë” i kësaj bashkësie hipotezash është “pseudopanspermia”, që parashikon që mbi Tokë nuk kanë rënë organizma gati të formuar, por që, për një periudhë të gjatë në epokën e shfaqjes së gjallesave të para, kanë arritur nga hapësira molekulat e vetme që përbëjnë “blloqet e nisjes” për formimin e tyre. “Në këtë rast – vazhdon Pievani – “tullat” janë një pjesë kozmike, por dinamika e vetë-organizimit që sjell në qelizën e parë është e gjitha e brendshme, dhe ka të bëjë me kushtet e veçanta fizike që kanë sjellë krijimin mbi Tokë rreth 3,8 miliardë vite të shkuara. Në mes, disa hipoteza të ndërmjetme: për shembull, që përbërësit biokimikë të jashtëm të kishin arritur një kompleksitet të veçantë, para se të precipitonin mbi planetin tonë”.

PROVA NË FAVOR
Kundërshtuesit e panspermia-s kanë kritikuar shpesh mundësinë që organizmat e gjalla, të rezistojnë ndaj kushteve të vështira ambientale të hapësirës së jashtme (temperaturave ekstremisht të ulëta dhe një fushe aktive rrezatimi). Por, pavarësisht nga zbulimi i mikro-organizmave, të quajtura estremofili, që mbi Tokë jetojnë në kushte ambientale një herë e që një kohë konsideroheshin të pamundura.

Është parë, falë eksperimeteve në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar, që 80% e sporeve të Bacillus Subtilis (një bakter shumë i zakonshëm mbi Tokë, në gjendjen e tij të “zhvillimit të pezulluar”) është në gjëndje të mbijetojë në kushte të hapësirës së jashtme për gjashtë vjet.

Dhe edhe disa likene (të llojit Stichococcus e Acarospora) dhe cianobakteret e llojit Gleocapsa, të ekspozuar për më shumë sesa një vit e gjysëm në kushtet e hapësirës, mbijetojnë pa problem. Përveç kësaj, një copë nga “Surveyor 3” i risjellë në Tokë nga astronautët e “Apollo 12” (anija kozmike kishte arritur Hënën dy vjet e gjysëm më parë) rezultoi i ndotur nga Streptococcus mitis “tokësor”. Bakteri kishte mbijetuar mbi sipërfaqen Hënore. Janë realizuar pastaj eksperimente për të studiuar mundësinë që, disa baktere mund të rezistojnë ndaj kërkesave të tmerrshme të provokuara nga ndikimi midis dy objekteve qiellore (si një planet e një asteroid) dhe në hyrjen e tyre në atmosferën tokësore, edhe këtu me rezultat pozitiv.

PARAARDHËS TË TË GJITHËVE
Por nëse Universi i tërë do të ishte ndoshta i përshkuar nga jeta siç e njohim, do të rridhte që të gjithë organizmat (jo vetëm e pranishme mbi planetin tonë, por edhe ato mbi planetet e tjera) do të kishin paraardhës të përbashkët. “Panspermia – thotë sërish Pievani – ka fituar tashmë një rezultat të rëndësishëm filozofik. Një herë e një kohë konsiderohej fantashkencë e pastër, ose vrulli i ndonjë shkencëtari jo ortodoks me dell provokimi. Sot, në një nga versionet më të moderuara, është përkundrazi një hipotezë shkencërisht e fuqishme. Sugjeron që jeta mbi Tokë mund t’i përkasë “fiziologjisë” më të përgjithshme të universit e nuk është një përjashtim absolut, apo misterioz në izolimin e vet. Është një mundësi konkrete”. Dhe në fakt, deri tani hipotezat mbi format e jetës të bazuara mbi parime krejt të ndryshme nga ato që njohim mbeten, saktësisht, hipoteza të pastra. “Ideja ime – konkludon Pievani – është që parimet e kufizimet biokimike themelore janë të zakonshme. Por më pas situata evolutive e historike mbi cilindo planet mund të çojë në rezultate të ndryshme, dhe për ne fare të papritur. Duke braktisur kështu idenë e përdorimit të Homo Sapiensit si kriter për të vlerësuar të tjerët, mendojmë për një ndryshueshmëri të harlisur formash biologjike, të bashkuara nga uniteti i ligjeve fiziko-kimike që mbajnë së bashku të gjithë universin”.
Focus/Bota.al

 

Screen Shot 2015-05-15 at 17.25.01 Screen Shot 2015-05-15 at 17.25.07

Leave a Reply

Back to top button