Analiza

Jepini një shans diplomacisë me Rusinë

Jack F. Mattlock Jr.*
Thomas R. Pickering*
James F. Collins*

Obama Putin

Si tre ish ambasadorë të SHBA që kanë shërbyer në Moskë, ne besojmë se është koha e duhur që udhëheqja amerikane, në një përpjekje serioze diplomatike, të arrijë këta objektiva. Secili prej nesh e ka parë çmimin e lartë që paguhet kur ndërpritet dialogu mes Moskës dhe Uashingtonit, si përshembull në përpjekjen për të parandaluar pavarësinë e shteteve balltike në fundin e epokës sovjetike, krizën e Kosovës apo kryengritjen në Ceçeni.
Sa herë që marrëdhëniet janë ndërprerë, kostoja ka qenë shumë e lartë për kauzën e paqes dhe sigurisë

Kriza e Ukrainës e ka ngrirë komunikimin mes SHBA dhe Rusisë. Reagimi rus ndaj rebelimit politik në Kiev – aneksimi i Krimesë dhe ndërhyrja e armatosur në Ukrainën lindore – dhe reagimi amerikan ndaj këtyre veprimeve ka sjellë një ndërprerje të dialogut normal dhe të rregullt mes Uashingtonit dhe Moskës. Marrëdhëniet mes dy palëve, kanë rënë në thjeshtë përpjekje të gjithësecilës për t’i bërë presion tjetrës, deklarata të ftohta propagandistike, si dhe rënia e vazhdueshme e angazhimit mes dy qeverive dhe shoqërive.
Lajmet nga samiti i NATO-s i Njuportit, në Uells, që sapo ëprfundoi, lënë të mendosh se SHBA dhe aleatët e vet do t’i përgjigjen ndërhyrjes dhe dhunës së Rusisë në Ukrainë me një përshkallëzim të tyrin – duke përfshirë edhe sanksione të mëtejshëm, rritje të pranisë ushtarake në shtetet që ndodhen në “vijën e frontit”, dhe ndoshta një mbështetje më e madhe për forcat e armatosura të Ukrainës. Me pak fjalë, e njëjta histori, dhe shumë pak (nëse ka) garanci për rezultate më të mirë.
Ajo që i mungon strategjisë së Perëndimit është një qasje energjike diplomatike për t’i dhënë fund këtij konflikti. Përpjekjet diplomatike duhet të synojnë që t’i ofrojnë Ukrainës dhe fqinjëve të saj një të ardhme që mund të ruajë paqen dhe sigurinë për vendet e rajonit; rikthimin e respektit për parimet e rendit politik europian; dhe hapjen e rrugës për një marrëdhënie më produktive ruso-amerikane.
Si tre ish ambasadorë të SHBA që kanë shërbyer në Moskë, ne besojmë se është koha e duhur që udhëheqja amerikane, në një përpjekje serioze diplomatike, të arrijë këta objektiva. Secili prej nesh e ka parë çmimin e lartë që paguhet kur ndërpritet dialogu mes Moskës dhe Uashingtonit, si përshembull në përpjekjen për të parandaluar pavarësinë e shteteve balltike në fundin e epokës sovjetike, krizën e Kosovës apo kryengritjen në Ceçeni.
Sa herë që marrëdhëniet janë ndërprerë, kostoja ka qenë shumë e lartë për kauzën e paqes dhe sigurisë, për SHBA dhe për Rusinë, ashtu sikurse edhe për aleatët e tyre. Përvoja jonë na bind se diplomacie krijuese, e disiplinuar dhe serioze – përmes kanaleve zyrtarë dhe jozyrtarë – ofron rrugëdaljen nga krizat shkatërrimtare dhe dhuna e konfrontimi. I ashtuquajtur Dialogu Track 2 mes aktorëve joshtetërorë – ekspertë dhe grupe individësh nga të dy palët – mund të luajë gjithashtu një rol të dobishëm.
Për momentin, fatmirësisht duket se marrëveshja e armëpushimit që u vendos të premten mes presidentit ukrainas, Poroshenko dhe atij rus, Putin, po qëndron në fuqi. Eshtë gjithashtu inkurajuese që palët kanë nisur diskutimet se si të zgjasin ndalimin e luftimeve dhe të adresojnë çështjet politike që do të duhet të zgjidhen, për të arritur në një marrëveshje jetëgjatë.
Ka arsye të shumta për ta trajtuar me maturi këtë hapje. Por kjo mundësi potenciale nuk duhet lejuar të rrëshkasë. Ky është një moment kur lidershipi amerikan do të jetë thelbësor. Kushtet e çdo armëpushimi jetëgjatë, sigurisht që duhet të parashikojnë një numër të mjaftueshëm vëzhguesish ndërkombëtarë, mundësisht nga OSCE, për të garantuar që asnjëra palë nuk do ta shfrytëzojë ndalimin e luftimeve.
Cdo marrëveshje e qëndrueshme do të duhet gjithashtu të ngrihet mbi procesin e brishtë politik që nisi gjatë fundjavës. Ky proces duhet të përfshijë kërkimin për një marrëveshje për trajtim të drejtë dhe të barabartë, dhe përfaqësim të përshtatshëm të të gjithë ukrainasve; si dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar për të rindërtuar ekonominë e Ukrainës.
Mbështetja e fortë dhe e palëkundur nga SHBA për këta parime do të jetë kritike për suksesin e negociatave. Rifillimi i dialogut të rregullt mes Moskës dhe Uashingtonit do të jetë thelbësor për rivendosjen e marrëdhënieve.
Fatmirësisht, mbërritja në Moskë e ambasadorit të ri të SHBA, John F. Tefft ofron një hapje për të rritur komunikimin dhe dialogun. Një diplomat i sprovuar karriere me përvojë të mëhershme në Lituani, Gjeorgji dhe Ukrainë, si edhe në Rusi, Tefft sjell në Moskë kapacitetin për të shprehur pikëvështrimin dhe pozicionin amerikan në mënrë sa më të qartë, si dhe për t’i shpjeguar Uashingtonit mënyrën e të menduarit të rusëve. Mbërritja e tij u ofron të dy qeverive një shans për të rindërtuar marrëdhëniet, dhe për t’iu larguar rrugës aktuale të konfrontimit.
Rigjallërimi i diplomacisë amerikano-ruse do të jetë sfidues. Efektet negativë të krizës së Ukrainës janë pjesë e një përkeqësimi më të gjerë të marrëdhënieve gjatë viteve të fundit. Përshkallëzimi i dhunës në Ukrainë, dhe shtimi i thirrjeve nga ana e europianëve dhe amerikanëve për veprime më të fuqishëm dhe sanksione më të ashpër për t’iu kundërvënë veprimtarisë ushtarake të Rusisë, kanë rritur shanset për një përshkallëzim të mëtejshëm dhe një përkeqësim edhe më të madh të marrëdhënieve dypalëshe.
Ndonëse zëdhënësit dhe udhëheqësit në Uashington kanë lënë të kuptohet se Rusia e ka një ide për rrugëdalje nga situata aktuale dhe SHBA është gati të bashkëunojë në këtë drejtim, kjo rrugë “malore” është e mbushur me pengesa. Shtimi i sanksioneve, rritja e trysnisë ushtarake dhe përshkallëzimi në fushëbetejë nuk do të ndihmojnë për të ecur përpara.
Vetëm përdorimi i diplomacisë mund të ndihmojë Poroshenkon që të shfrytëzojë hapjet e reja për të përcaktuar marrëdhëniet e vendit të tij me fqinjët, për të rikthyer sovranitetin ukrainas dhe  për t’i dhënë fund një herë e mirë gjakderdhjes. Sanksionet dhe përpjekjet e mëtejshme për të përshkallëzuar trysninë politike dhe ushtarake, dhe mbështetja tek veprimet njëpalëshe  pa i shoqëruar me diplomaci, do të garantojnë vetëm rritje të vuajtjeve për popullin e Ukrainës.
Eshtë koha që SHBA të përdorë asetet e saj diplomatike, duke përfshirë edhe ambasadorin e ri në Moskë, për të marrë udhëheqjen efektive të përpjekjeve diplomatike për të zgjidhur krizën në Ukrainë dhe për të futur marrëdhëniet e Amerikës me Rusinë, në një kurs të ri, më produktiv. /NYT/
* Jack F. Mattlock Jr. ka qenë ambasador i SHBA në Bashkimin Sovjetik, nga viti 1987 deri në vitin 1991
* Thomas R. Pickering ka qenë ambasador i SHBA në Rusi, nga viti 1993 deri në vitin 1996
* James F. Collins ka qenë ambasador i SHBA në Rusi, nga viti 1997 deri në vitin 2001

PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button