Motivuese

“Ji i pandalshëm”, fjalimi më i bukur mbi suksesin që mund të keni lexuar ndonjëherë nga një vajzë e diplomuar

Pronari më tha: “Kemi vendosur ta mbyllim këtë vend pune dhe më vjen keq të të them, por që nga muaji tjetër nuk do të punosh më me ne”. Unë punoja në sektorin e burimeve njerëzore dhe bëja një punë që më pëlqente. Mendoja se po ecja mirë në jetë, edhe pse kisha thjesht një diplomë gjimnazi. Shumë shpejt kuptova se kishte ardhur momenti që unë të hidhja një hap të rëndësishëm, të vazhdoja shkollën e lartë. Dua të ndaj me ju tre hapat që ju duhen për të arritur një karrierë të rëndësishme.

Hapi i parë është: Kërko mbështetje. Për të arritur sukses, neve na duhet mbështetje. Mbaj mend që në vit të dytë isha duke ndjekur kursin e statistikës, një nga lëndët më të vështira që mund të kem bërë. Bashkëshorti im ishte prekur nga kanceri në zorrën e trashë dhe ishte në stadin e katërt. Isha e stresuar në maksimum. Isha në një dilemë të madhe me veten, të vazhdoja shkollën, apo ta lija gjithçka me aq. E mora vendimin tim dhe telefonova miqtë e mi, duke i thënë se po hiqja dorë nga shkolla. Ata refuzuan të më lejonin ta bëja këtë gjë. Ashtu siç thuhet se puna në grup të bën të arrish punën e ëndrrave, ashtu dhe ata më ndihmuan t’ia dilja mbanë në një nga kohërat e mia më të vështira dhe ja ku jam sot. Duke u diplomuar.

Hapi i dytë është: Vazhdo të rritesh dhe të mësosh. Arsyeja kryesore se pse unë ndenja 25 vite pa e vazhduar shkollën, është se e kisha bindur veten se nuk mund t’ia dilja dot me matematikën. Nuk doja ta shihja me sy algjebrën, apo çdo pjesë tjetër të matematikës. Ajo që di ta them sot me siguri, është se edhe matematika mund të bëhet, nëse e studiojmë vazhdimisht dhe pa e lënë pas dore.

Hapi i tretë drejt suksesit është: Kurrë, kurrë mos hiq dorë. Ne nuk hoqëm dorë dhe për këtë gjë duhet të jemi të gjithë krenarë. Mos lejoni asgjë, apo askënd, sidomos veten tonë, të na ndalë nga të qenurit çdo gjë që ne duam të jemi. Duhet të shohim përherë drejt mundësive të reja të suksesit tonë vetjak. Ji rehat duke mos qenë rehat. Nëse ka diçka që do ta mësosh, vazhdo. Nëse po mendon të nisësh një biznës, nise. Por mos i lër gjërat për “një herë tjetër”, sepse do të të dalin përherë arsye që do të ndalojnë për të ecur përpara. Duhet të jemi të pandalshëm. Mos e merr një përgjigje “Jo” si një përgjigje negative. Nëse dikush të thotë “Jo”, thuaji vetes tënde “Vazhdo” dhe ec përpara. Vazhdo të hedhësh hapa të tjerë përpara.

Leave a Reply

Back to top button