Kinema & TV

Joker-i i fundit. Një histori e mallkuar, me vdekje dhe aksidente

Screen Shot 2015-09-16 at 2.08.18 PM

Eshtë një lloj mallkimi ai që ka goditur të gjithë ata që kanë interpretuar kohët e fundit këtë personazh diabolik

Viktima e fundit ka qenë aktori i ri australian, Heath Ledger, i cili e ka interpretuar të keqin e famshëm, në filmin “Kalorësi i zi”. Një interpretim i paharrueshëm, për të cilin fitoi dhe Oscarin. Por, një çmim që e mori pas vdekjes.

Kalorësi i zi

Ai me regjisor Christopher Nolanin, sipas shumëkujt, është një film i mallkuar. Një seri ngjarjesh negative, pak a shumë të rënda, kanë shoqëruar filmimet. Një ekspert i efekteve speciale vdiq, i përplasur me makinë pas një peme, gjatë xhirimeve. Një kundërfigurë pësoi dëme të rëndë pas rënies nga një makinë xhirimesh. Aktori i famshëm Morgan Freeman u plagos në një aksident rrugor në të njëjtën periudhë kur punohej me filmin. Një kamion, jashtë kontrolli, shkatërroi një pjesë të vendxhirimeve. Pak kohë pas prezantimit të filmit në SHBA, aktori që interpretoi Batmanin, Christian Bale, u arrestua në Londër: dyshohej se kish rrahur motrën dhe nënën. U lirua shumë shpejt, por nuk u kuptua asnjëherë se çfarë e shkaktoi një shpërthim të tillë dhune.

Vdekje e papritur

Por ngjarja më dramatike ndodhi në pasditen e 22 janarit 2008 në Nju Jork, në lagjen Soho të Manhatanit: Heath Ledger u gjet i pajetë në apartamentin e tij. Ishte vetëm 28 vjeç. Sipas policisë, aktori australian mbeti viktimë e një mbidoze ilaçesh. Por menjëherë u ngrit një pyetje: çfarë e shtyu Ledgerin që të kishte nevojë për gjithë ata ilaçe, për të cilët kishte dhe rekomandim të ligjshëm mjekësor? Për ta kuptuar, duhet bërë një hap pas.

Aktrim me shpirt

Heath Ledgeri është një aktor shumë i mirë, i ri dhe i pashëm. Por ajo që e bën të denjë për të luajtur rolin e Joker-it, një prej superkriminelëve më të famshëm, është përgatitja prej maniaku që u bën roleve. Megjithatë, kllouni diabolik është i rrezikshëm. Eshtë një personazh skizofren, një vrasës i pamëshirshëm, me shtrembërime të theksuara mendore. Vetë Jack Nicholsoni që e ka luajtur disa vite më herët, e paralajmëron. Por Ledgeri nuk e dëgjon dhe e pranon gjithësesi rolin.

Për një muaj, para xhirimeve, mbyllet në një dhomë hoteli. Sheh me dhjetëra filma horror, studion pa pushim rolin, deri në fillimin e punës.

Filmi ka një ndikim të thellë. Në një intervistë të dhënë për Nju Jork Tajms dy muaj para vdekjes, Ledgeri shfaqet i stërlodhur. Thotë se ka fjetur vetëm dy orë gjatë netëve të xhirimeve dhe që ka marrë qetësues dhe hape gjumi, efektet e të cilave “zgjasnin pak”. Ka shtuar se nuk arrinte që të çlirohej nga marrëzia e Joker-it. Trupi ishte i stërmunduar, por mendja ecte me një mijë xhiro në sekondë. Një rreth vicioz vetëshkatërrues që e pati epilogun tragjik në 22 janar 2008.

Heath dhe mallkimi

Kalorësi i zi është një triumf. Fitohen miliona dollarë dhe Ledgeri fiton Oscarin pas vdekjes, si aktori më i mirë jo protagonist. Një çmim i merituar, por i paguar shtrenjtë: vdekjen në moshën 28 vjeç. A është e mundshme që një personazh kaq i lig të ish ndërfutur tek ai? Aktori po kalonte një moment të vështirë. Kish pak kohë që kish lënë drogën, ishte në depresion dhe martesa me gruan që kishte dashuruar, tashmë kish marrë fund. Ndoshta prej kësaj ishte mbyllur për më shumë se një muaj në një dhomë hoteli. Por a mundet që një personazh të ndërfutet në këtë mënyrë tek një aktor, deri sa ta shkatërrojë nga brenda? Joker-i ndoshta po./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button