MagazineMAIN

Ju kanë zbuluar! Sindroma e të shtirurit

A jeni ndier ndonjëherë sikur jeni të shtirur, që vetëm bëni “bllof”? Dakord, s’jeni vetëm. Edhe mendjet më brilante të botës kanë frikë se mos “zbulohen”. Po cili është shkaku i sindromës së të shtirurit (Impostor Syndrome)? Dhe a mund të kalohet?

A jeni ndier ndonjëherë sikur shtireni? Kur keni marrë një punë të re ose një promovim, a keni menduar se s’jeni mjaftueshëm të mirë dhe se, me siguri, dikush do t’ju demaskonte? Nëse po, ka shumë gjasa të përjetoni sindromën e të shtirurit. Dhe, sigurisht, s’jeni të vetmit. Disa studime tregojnë se 70–80% e popullsisë botërore e ka përjetuar këtë gjendje në një moment të jetës… përfshirë disa nga njerëzit më inteligjentë në histori. Pak para se të vdiste, Albert Ajnshtajni i tha një miku se lavdet për studimet e tij e bënin të ndihej si një mashtrues i pavetëdijshëm.

Duke parë këto të dhëna, është befasuese se si “fenomeni i të shtirurit”, siç quhej fillimisht – “një përvojë e brendshme e falsitetit intelektual” – me kalimin e viteve është bërë shumë më kompleks. Valerie Young, eksperte e sindromës së të shtirurit dhe bashkëthemeluese e Impostor Syndrome Institute, e përkufizon si: “bindja, e vetëdijshme ose e pavetëdijshme, se nuk jemi aq inteligjentë, të aftë, të sigurt në vete e të talentuar sa na shohin të tjerët; një bindje që vazhdon pavarësisht provave konkrete të suksesit apo aftësive, dhe që na shtyn të kemi frikë se mos zbulohemi”.

Përveç punës së Young dhe ekspertëve të tjerë, edhe shumë personazhe publikë e kanë sjellë këtë gjendje në vëmendje: nga Michelle Obama te Natalie Portman, nga Kamala Harris te Tom Hanks, janë gjithnjë e më shumë ata që rrëfejnë se ndihen “të papërshtatshëm” për rolin e tyre. Megjithë këtë vëmendje, vazhdojnë të qarkullojnë bindje të gabuara ose sipërfaqësore. Së pari: për të qenë të saktë, nuk është as “sindromë”. “Nuk është një gjendje e diagnostikueshme mjekësisht apo psikologjikisht”, thekson Young.

Më shumë sesa çrregullim, është një përvojë ose model përvojash ku njerëzit mund ta gjejnë veten: pamundësia për të marrë meritat e sukseseve, prirja për perfeksionizëm të paarritshëm, mohim i aftësive vetjake dhe një frikë e thellë nga dështimi (atiksofobi) ose edhe nga suksesi (nikefobi), që mund t’i bëjë të tjerët të presin më shumë prej nesh.

Ka gjasa që të mos ekzistojë as një tip i vetëm i sindromës. Psikologë në Universitetin Goethe të Frankfurtit dallojnë dy tipe kryesore: të shtirur të vërtetë dhe të shtirur strategjikë. Të parët e përjetojnë realisht; të dytët luajnë rol: edhe pse e dinë mirë vlerën e tyre, paraqiten më pak të aftë për të menaxhuar pritshmëritë dhe për t’u dukur më të afërt. Me fjalë të tjera, me qëllime të mira, shtiren.

Në përgjithësi, sindroma është shumë më komplekse nga sa mendohej fillimisht. Duke studiuar shkaqet dhe zgjidhjet, kanë dalë në pah shumë informacione të dobishme (dhe shumë dezinformim).

Pse shfaqet

Edhe pse mund të duket se buron vetëm nga mungesa e sigurisë, rrënjët e saj janë të ngatërruara. Shkaqet e sakta janë të vështira për t’u veçuar sepse është rast klasik i biologjisë kundër shoqërisë. Ka gjasa që gjenetika të luajë rol, por disa individë janë më të prirur ta zhvillojnë për shkak të kontekstit shoqëror ku jetojnë.

Edhe gjinia mund të jetë faktor, por jo aq sa mendohej. Studimet e para u përqendruan te studente ekselente që dyshonin se s’do kalonin provimet, ndaj sindroma u konsiderua problem vetëm femëror. Është e vërtetë se, sipas një meta-analize të 100 studimeve, gratë kanë më shumë gjasa të nënvlerësojnë aftësitë e veta. Megjithatë, diferenca mes burrave dhe grave është zakonisht “e lehtë deri mesatare”.

“Arsyet janë ende objekt debati,” thotë Jessamy Hibberd, psikologe klinike dhe autore e The Imposter Cure. Sipas saj, këto arsye janë kryesisht sistemike dhe lidhen me faktin që gratë hynë më vonë në tregun e punës. “Të gjithë kemi ende paragjykime të brendshme për rolin e grave në punë, dhe kjo ndikon në bindjet tona,” shton ajo.

Në të njëjtën mënyrë, edhe etnia mund të jetë përcaktuese. Kevin Cokley, profesor i psikologjisë në Universitetin e Miçiganit, thotë: “Siç mund të merret me mend, diskriminimi ndaj disa pakicave mund ta amplifikojë bindjen te anëtarët e tyre se nuk e meritojnë atë që kanë arritur”.

Edhe mjedisi i punës bën diferencë. Sipas Young, nëse punoni në sektorë me dendësi të lartë informacioni, ku kërkohet njohuri e pagabueshme në tema që ndryshojnë vazhdimisht, rreziku për të zhvilluar këtë gjendje rritet. Prandaj është mjaft e zakonshme te mjekësia, STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë) dhe akademia, sidomos te studentët.

Një studim te të diplomuarit e Universitetit të Vjenës gjeti se gati 8 në 10 pjesëmarrës e përjetonin sindromën shpesh ose në mënyrë mesatare, ndërsa 12,6% e përjetonin në mënyrë intensive.

Edhe mjedisi familjar ka rëndësi. Siç tregon kërkimi origjinal për sindromën e të shtirurit: nëse jeni rritur në një familje ku nuk ju komplimentonin për inteligjencën, por për gjëra të tjera (pamjen, aftësitë shoqërore), mund të zhvilloni ndjenja të shtiruri pikërisht ndaj inteligjencës suaj. Nga ana tjetër, nëse gjithmonë ju lavdëronin si “të zgjuar”, mund të vuani për t’u treguar në lartësinë e atyre pritshmërive.

Nëse asgjë nga këto s’e shpjegon plotësisht përvojën tuaj, mund t’ju tërheqë perspektiva evolucionare. Psikologë në Universitetin e Athinës kanë hamendësuar se nënvlerësimi i aftësive mund të ketë shërbyer si mekanizëm shtytës për t’u përpjekur më shumë. Por ndërsa kjo mund të ketë ndihmuar mijëra vjet më parë, sot është shumë më pak e dobishme për punën e përditshme në zyrë.

Zgjidhja: faktet, jo ndjenjat

Le ta pranojmë: sindroma s’ka shumë kuptim. Të ndierit të papërshtatshëm është, në fund, produkt i këndvështrimit tonë dhe shpesh bazohet në arsyetime kontradiktore. “Shumë njerëz ndjekin dy rregulla bazë,” shpjegon Hibberd: “Nëse gjithçka shkon mirë, suksesin ia atribuojnë faktorëve të jashtëm; nëse shkon keq, faji është personal”.

Dalja nga ky mendim nënkupton të përqendroheni te faktet, jo te ndjenjat. Si? Young, Hibberd dhe Cokley pajtohen: duhet gjetur një sistem për të regjistruar sukseset reale. Kjo është strategjia nr. 1, sipas Cokley: “Njerëzit që e përjetojnë këtë gjendje nuk u kushtojnë vëmendje momenteve të suksesit. Duhet të merrni kohë për t’i njohur sukseset. Unë këshilloj t’i shkruani rregullisht dhe ta rishikoni listën herë pas here.”

Zbuloni “sekretin”

Nuk jeni vetëm. Po, tingëllon e thjeshtë dhe klishe, por mund t’ju ndihmojë të ndryshoni ndjenjën e pamjaftueshmërisë. Siç thotë Young: nëse ka kaq shumë njerëz që e përjetojnë, ka gjasa që problemi të jetë mjedisi, jo individët. Ajo sjell shembullin e një takimi me studentë mjekësie në një ambient konkurrues: të kuptuarit dhe pranimi se punonin në një kontekst që ushqen lehtësisht ndjenjat e të shtirurit u bë mekanizëm mbrojtës. “Kjo vetëdije i lejoi të internalizojnë më pak dhe të kontekstualizojnë më shumë,” thotë Young.

Po ashtu, këto ndjenja shpesh shoqërohen nga fshehtësi dhe turp. Nëse s’ndihemi mjaftueshëm të mirë, nuk do ta themi vërdallë – sidomos para atyre që duken shumë të suksesshëm. Por ky sekret na izolon, duke i përforcuar bindjet. “Shpesh njerëzit vuajnë në heshtje, sidomos në mjedise konkurruese,” thotë Cokley. “S’jemi të gatshëm t’u tregojmë të tjerëve dobësitë tona, që të mos u japim përparësi. Por ka gjasa që, nëse po vuani ju, po vuajnë edhe kolegët. Të flisni me dikë në vendin e punës mund t’ju ndihmojë të normalizoni emocionet.”

Angazhohuni të “dështoni”

Një nga mënyrat më të mira për ta kapërcyer këtë gjendje është… të mos bëni perfeksionistin. Madje, të gabosh me qëllim mund të ndihmojë. Sipas Hibberd, sindroma ju shtyn të punoni tepër ose të zvarrisni realizimin e detyrave. Sepse prireni të vendosni standarde shumë të larta: “E ngremë vazhdimisht stekën; duam diçka dhe, sapo e arrijmë, kalojmë te hapi tjetër”, thotë ajo. Nëse e shihni veten kështu, e keni të vështirë të shihni objektivisht sukseset – ose t’i pranoni. Kjo çon ose në punë të tepërt (që gjithçka të jetë perfekte), ose në zvarritje (nga frika se s’do dalë mjaftueshëm mirë).

Për ta kundërshtuar, Hibberd sugjeron të provoni të lini diçka të papërkryer dhe të shihni a e zbut kjo ndjesinë e “të shtirurit”: “Në vend që ta përfundoni një projekt në perfeksion ose të mos e dorëzoni fare, dërgoni një punë jo perfekte dhe vëreni nëse dikush e vë re.”

Ndalo së menduari sikur shtiresh

Ju ka ndodhur të mos jeni më elokuenti në një takim? Jo më i forti në palestër? Të jeni i dobët në një lojë shoqërore? Sipas Young, është ok. Një keqkuptim i madh është se ekzistojnë vetëm dy tipe njerëzish: ata që ndihen të shtirur dhe ata me vetëbesim të pakufishëm që kurrë s’e ndiejnë veten si mashtrues. Kjo mënyrë mendimi përjashton mesataren.

Young propozon një opsion të tretë: realizëm i përulur. Nëse s’doni të ndiheni të shtirur, mos hyni në çdo situatë duke menduar se gjithçka do të shkojë në mënyrë të përsosur. Realistët e përulur e dinë se s’mund të shkëlqejnë gjithmonë e në çdo gjë – dhe nuk e kanë problem këtë. Ata njohin si pikat e forta, ashtu edhe të dobëta – dhe i pranojnë.

Sipas Young, vetëm duke e riformuluar sindromën në këtë pikëvështrim, mund të ndaloni së provuari disa nga këto ndjenja. Ky qasje ju ndihmon të ulni ndjeshëm kohën që kaloni duke u ndier të papërshtatshëm. Siç thotë ajo: “Mund të jesh i shtirur për një ditë, por jo për gjithë jetën.”

Elizabeth Bennett / BBC Science – Bota.al

Back to top button