Analiza

A ka barbarizmi logjikë ?

Nga Charles Krauthammer

Turqia është vetëpërjashtuar nga koalicioni. Po përse nuk ra dakord Obama? A nuk ka thënë ai se Asadi duhet të largohej nga pushteti? Arsyeja është se Obama nuk guxon të mërzisë klientët e Asadit, mullahët iranianë, me të cilët presidenti amerikan ëndërron të çelë një epokë të re marrëdhëniesh, që prej revolucionit të vitit 1979. Për Obamën, kjo është bileta e tij drejt zotit Rushmore. Pra, në ndjekje të fantazisë së Niksonit për Kinën dhe Iranin, Obama shmang Turqinë, aleatin tonë më të shkëlqyer të mundshëm, si kundër Shtetit Islamik, ashtu edhe Asadit

Screen Shot 2015-02-06 at 23.15.56Pse e bëjnë këtë? Çfarë mendon Shteti Islamik, se mund të përfitojë duke djegur të gjallë një pilot jordanez të kapur rob? Unë nuk do të nënvlerësoja mungesën e logjikës, emocionet absolutisht të shprishura të një kulti triumfues, që nxjerr në pah barbarizmin e tij. Por nga ana tjetër, as do ta mbivlerësoja atë.
Ju nuk mund të kuptoni shumëçka nga ajo që po ndodh në Siri dhe Irak, pa vënë në jetë një arsyetim të mprehtë mbi taktikat dhe strategjitë. Pra, cili është objektivi? Të destabilizohet Jordania, duke e tërhequr atë në luftë. Në pamje të parë, kjo duket sikur nuk ka asnjë kuptim. Pasi ekzekutimi makabër i ish-pilotit të burgosur ka mobilizuar mbarë Jordaninë kundër ISIS-it, përmes një solidariteti maksimal.
Kjo po ndodh tani për tani. Por a do të jetë kështu pas 6 muajsh? Solidariteti dhe qëllimet zbehen shpejt. Mendoni pak se ku shkoi entuziasmi fillestar amerikan, pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001, përgjatë viteve të konfliktve të lëna përgjysmë dhe aspak bindëse për motivimin e tyre, duke u katandisur sot në një lodhje të hapur ndaj luftës. Ose sesi prerja e kokës së gazetarëve amerikanë, që elektrizoi gjithë vendin kundër Shtetit Islamik, por që më pak se 5 muaj më vonë natyra frustruese e kësaj lufte po krijon sërish përçarje në SHBA.
Jordania është një objektiv më i prekshëm, sepse ndryshe nga SHBA ajo mund të destabilizohet. Për gati një shekull, Jordania ka qenë një mrekulli e stabilitetit, një krijim gjeografik artificial, udhëhequr nga një monarki e ndërvarur nga britanikët. Ajo ka gëzuar një paqe relative të brendshme dhe tranzicione të suksesshme politike me vetëm 4 sundues në mbi 4 breza.
Krahasuar me Libanin, Sirinë dhe Irakun, të krijuar në mënyrë të ngjashme, Jordania përbën një çudi. Por gjithësesi një rast të brishtë. Trupat e saj të vijës së parë të frontit dhe forcat speciale janë kryesisht beduinët. Këta të fundit, janë shtylla kurrizore e monarkisë Hashemite, por ata mbeten një pakicë në vend. Shumica e popullsisë është me origjinë palestineze, të cilës aktualisht i janë shtuar 1.3 milionë refugjatë sirianë, duke krijuar kësisoj presione të mëdha sociale dhe ekonomike.
Megjithatë, më e rëndësishme është “Vëllazëria Myslimane” me kontigjentin e saj të fortë jordanez, si dhe elementë më radikalë xhihadistë, disa prej të cilëve në favor të Shtetit Islamik. Rreth 1500 jordanezë i janë bashkuar tashmë ISIS-it në Irak dhe Siri. Të tjerët kanë mbetur në shtëpi, por të gatshëm të ngenë krye kur të vijë koha. Dhe ora nuk ka ardhur ende. Zemërata e jordanezëve është ende e freskët.
Por rreziku është se sulmet e jordanezëve, sot nga ajri dhe ndoshta nesër në terren, rrezikojnë një angazhim të tillë, që mund të dobësojë dhe kalbë regjimin, i cili është një nga bastionet më të mëdhenj kundër radikalizmit në të gjithë rajonin.
Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm mbi atë se çfarë dëshirojmë të ndodhë. Amerikanët po punojnë për të kultivuar multilateralizmin. Strategjia e presidentit Obama kundër Shtetit Islamik është krijimi i një koalicion të gjerë, me një pararojë arabo-kurde me SHBA-në nga pas, që mbështet operacionet përmes sulmeve të saj nga ajri.
Thuhet se koalicioni është 60 herë më i fortë se ISIS-i. Mirë, po për çfarë po shërben kjo? Pavarësisht krenimit të administratës Obama, përfshirja në frontin e luftës së sauditëve, jordanezëve, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ka qenë minimale dhe simbolike. Në fakt, ne vetëm tani e mësuam se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndaluar fluturimet ajrore që në fund të vitit të kaluar.
Politika e Obamës, nuk është paraqitur tmerrësisht mirë. Qëkur kjo politikë filloi të vihet në zbatim, Shteti Islamik gati ka 2-fishuar territoret e pushtuara në Siri. Është e vështirë që një forcë e përbashkët jordaneze-saudite mund t’ia dalë aty ku milicitë shiite të Irakut, ushtria zyrtare e Irakut, kurdët dhe SHBA përmes sulmeve ajrore, deri tani kanë dështuar.
Natyrisht që ajo çfarë mungon, janë operacionet serioze ushtarake në terren, të tilla si ato që dikur ndërmorrën rebelët sirianë jo-xhihadistë, të cilët Obama me përçmim i braktisi në fatin e vet duke u shpërbërë. Dhe kurdët, që janë të gatshëm dhe në gjendje për të luftuar, mbeten ende të armatosur në mënyrë qesharake nga kjo administratë. Mbi të gjitha, ajo që mungon në skenë është Turqia.
Vetëm kjo e fundit ka madhësinë dhe fuqinë për t’u përballur me Shtetin Islamik. Por duke vepruar kështu do të forconte, madje shpëtonte, armikun kryesor të sajin: regjimin e Bashar Al-Asadit në Damask, të mbështetur nga iranianët. Çmimi i Turqisë për hyrjen në luftë do të ishte angazhimi konkret amerikan, për të ndihmuar në rrëzimin e Asadit. Obama nuk pranoi këtë kusht. Ndaj Turqia është vetëpërjashtuar nga koalicioni.
Po përse nuk ra dakord Obama? A nuk ka thënë ai se Asadi duhet të largohej nga pushteti? Arsyeja është se Obama nuk guxon të mërzisë klientët e Asadit, mullahët iranianë, me të cilët presidenti amerikan ëndërron të çelë një epokë të re marrëdhëniesh, që prej revolucionit të vitit 1979. Për Obamën, kjo është bileta e tij drejt zotit Rushmore. Pra, në ndjekje të fantazisë së Niksonit për Kinën dhe Iranin, Obama shmang Turqinë, aleatin tonë më të shkëlqyer të mundshëm, si kundër Shtetit Islamik, ashtu edhe Asadit.
Çfarë lë tjetër pas Obama? Në frontin e luftës mbeten shtetet e brishta arabe sikurse Jordania. Por edhe këta të fundit, janë të frikësuar nga ndjekja e verbër nga Obama e politikës së uljes së tensioneve me Teheranin, çka do t’i bënte mullahët hegjemonë mbi gjithë Lindjen e Mesme Arabe.
Prandaj arabët, sauditët në veçanti, i qëndrojnë larg një bashkëpunimi më të madh ushtarak me ne. Jordania, dora e së cilës tani është ngritur, e detyruar nga vrasja e pilotit të saj, mundet trimërisht që të zhvillojë një betejë vetjake kundër ISIS-it. Por me një rrezik të madh dhe me pak shanse për një sukses përfundimtar. /The Washington Post/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button