Bota

Kaos në Francë. A i bën dot ballë këtyre stuhive, François Hollande?

Screen Shot 2016-06-10 at 14.26.48

Përgatitjet e Francës për kampionatin europian që fillon sot, u lanë disi në hije javën e kaluar, për shkak të furtunave dhe përmbytjeve në pjesën më të madhe të vendit, si dhe kërcënimeve për më shumë greva e protesta nga sindikatat, që janë kundër reformave të propozuara të punës. Pas disa javë protestash, sindigata gjigande CGT që përfaqëson punëtorët në një sërë industrish, bëri thirrje për një Ditë Kombëtare Veprimi në 14 qershor, katër ditë pas nisjes së turneut. Por Kryeministri Manuel Valls këmbënguli se mund të gjehet një kompromis. Një “organizatë pakicë”, tha ai, nuk mund të lejohet që të pengojë reformat.

Autoritetet paralajmëruan gjithashtu për sulme të mundshme terroriste nga ISIS, gjatë ndeshjeve të futbollit në Francë. Gjendja e jashtëzakonshme është tashmë në fuqi, dhe një personel sigurie prej pothuaj 100 mijë personash do të jetë në terren. Presidenti Hollande pranoi në një intervistë në radio se siguria totale nuk mund të garantohet.

Çfarë thanë editorialët

“Trenat që vonohen, fluturimet që anulohen dhe radhët në stacionet e karburantit. Eshtë një skenë e njohur”, shkruante Financial Times. Presidenti Hollande po ndesh në të njëjtën rezistencë të organizuar, si edhe çdo udhëheqës tjetër francez që është përpjekur – dhe ka dështuar – për të ribërë tërësisht “ligjet kundërproduktive të punës” në vend. Por këtë radhë as nuk bëhet fjalë për përkulje, shkruante The Economist. Ligji i ri do të lejojë punëdhënësit që të kenë më shumë liri për negociata direkte me stafin e tyre, dhe rregullat shumë strikte të marrjes në punë dhe largimit nga puna do të lehtësohen. Në një vend ku papunësia është mbi 10%, ndryshime të tilla paraqesin një “hap thelbësor drejt krijimit të vendeve të punës dhe rritjes ekonomike”.

Lajmi i mirë është se sindikata më e madhe në vend, CFDT, me 875 mijë anëtarë, po i mbështet reformat, shkruante e përditshmja franceze, Liberation. Po a është socialisti Hollande vërtetë i përgatitur për një përplasje finale me të majtën ekstreme? Përqindja e mbështetjes për të në sondazhe është edhe kështu e dobët – deri 90 % e votuesve francezë nuk e pëlqejnë performancën e tij – dhe ai ende mund të zgjedhë të gjejë një kompromis.

Çfarë thanë komentatorët?

“Ky duhej të kish qenë shansi i madh i Francës për t’u dukur”, shkruante Kim Uillsher në The Observer. rreth 8 milionë tifozë pritet të shkojnë atje për Europianin, dhe sytë e botës do të jenë nga Parisi, që tani po kërkon edhe organizimin e Olimpiadës 2024. Por gjasat për trazira industriale dhe kaos në transport mund ta bëjnë të pamundur për vizitorët që edhe të shkojnë të shohin ndeshjet, në qytete si Bordoja apo Nica.

“Gjëja që të mërzit më shumë është egoizmi i grevistëve”, shkruante Guillaume Perrault në Le Figaro. Javën e kaluar, punëtorët e hekurudhës injoruan thirrjet për të pezulluar veprimet e tyre gjatë përmbytjeve. Ashtu si aristokratët e ancien regime, sindikatat tona e shohin veten si një elitë, detyra e parë e të cilës është të ruajë privilegjet e veta, duke përfshirë edhe një sasi të jashtëzakonshme shpërblimeve që u jepen punëtorëve me rogë. Sipas sistemit sklerotik të punësimit në Francë, cilido që ka një të ashtuquajtur CDI (kontratë të përjetshme) është pak a shumë is igurtë të ketë një punë për gjithë jetën, ndërkohë që shumë prej të rinjve duhet të bëjnë si të bëjnë me kontrata kohëshkurtëra, që nuk u ofrojnë asnjë siguri. Shumë keq për lëvizshmërinë sociale dhe “të gjithë francezët të cilëve u duhet të paguajnë faturën”.

“Nuk ka nevojë për të qenë kaq pesimistë”, shkruante Laigh Thomas në Business Insider. Mund të duket sikur Franca u është rikthyer hileve të vjetra, por në t ëvërtetë reformat e mëparshme “po e ndryshojnë ngadalë panoramën në Francë”.

Numri i grevave është përgjysmuar që nga viti 2005, dhe anëtarësimi në sindikata po bie: ka rënë në vetëm 7.7% të forcës punëtore, mes shifrave më të ulëta në botën e zhvilluar. Dhe kur kemi parë një qeveri të majtë franceze, që të përplaset me të majtën ekstreme, pyeste John Lichfield tek The Independent. Për më tepër, mbështetja për grevistët, ndonëse ende shumë e lartë po bie: sondazhet tregojnë se ra me 16 pikë në 54%, brenda vetëm pak ditësh javën e kaluar. Por fatkeqësisht, çdo fitore do të ishte si e Pirros. Një e majtë franceze e përçarë, është një gëj që në fund do ta ndëshkojë. Ngushëllimi i tij i vetëm do të jetë që të kujtohet si “njeriu që bëri reforma modeste, por vetëvrasëse nga pikëpamja elektorale, të cilat në fund gjithësesi do i shërbejnë vendit të tij”.

The Week – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button