Shendeti

Karuseli. Një mënyrë e re për gurët në veshka

screen-shot-2016-10-20-at-09-15-24

Një kërkim amerikan sinjalizon se ky lloj dëfrimi mund të ketë një ndikim pozitiv mbi gurët në veshka. Kalkulat renale ose gurët në veshka është një sëmundje e rëndomtë që vjen si pasojë e kristalizimit të kripërave dhe mineraleve prezente në urinë dhe që shkaktojnë shumë dhimbje. Dhimbje të tilla krahasohen me ato të lindjes. Gurët më të vegjël dalin nëpërmjet urinës, më të mëdhenjtë kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Studimi i publikuar në “The Journal of the American Osteopathic Association “ tregon se disa lloje karuselwsh mund të ndihmojnë në nxjerrjen e gurëve që nuk i kalojnë 5 mm. Kjo mënyrë e re e gjetur nga dy urologë amerikanë tregon se të tilla dëfrime mund të lehtësojnë eliminimin e gurëve renalë dhe metoda është më efikase nëse pasagjeri zë vendin e fundit në vagon. Pacientët e Dr. David Wartinger nga Universiteti shtetëror i Miçiganit, ishin ata dëshmi e këtij eksperimenti, pasi kishin hipur në Disney World në Orlando të Floridës. Njëri prej tyre rrëfen se kishte nxjerrë tre gurë pasi kishte hipur disa herë në “Big Thunder Mountain Railroad”, tren që përshkron me shpejtësi 56 km në orë një vend miniere dhe nuk është shumë modern, as më i larti i parkut dhe as që i kthen përmbys pasagjerët. Kjo bëri që Dr. Wartinger bashkë me kolegun Dr. Mark Mitchell të studionin rastin duke printuar në 3D një model artificial veshke silikoni dhe futën brenda saj 3 gurë renalë dhe udhëtuan deri në Orlando për ta vënë në provë. E futën në një çantë shpine dhe hipën në tre lloje të ndryshme karuselesh në Disney World. “Përdorëm 174 gurë veshkash të ndryshëm në forma dhe në përmasa. I vetmi nga karuselet që funksionoi ishte “Big Thunder Mountain Railroad”, ndërsa dështim ishin “Space Mountain dhe Rock n Roll Coaster Aerosmith” që janë më të dhunshmet, kthejnë përmbys pasagjerët dhe bëjnë që forca e rëndesës të jetë më e madhe”. Karuseli ideal është ai me xhiro dhe kthesa, por jo me kokën poshtë. U vu re se vendi i pasagjerit në vagon ndikonte në rezultatin pozitiv të këtij eksperimenti. Gurët nxirreshin në 64% të rasteve kur pasagjerët uleshin në rradhën e fundit dhe 16% kur uleshin në rradhët e para. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button