Bota

Kasaphana e Nicës / Shkon në 84 numri i të vrarëve në Nice, sulmuesi tunizian me nënshtetësi

Screen Shot 2016-07-15 at 08.55.06Thellohet bilanci tragjik i viktimave nga sulmi terrorist mbrëmjes e së enjtes në Nice të Francës.

Të dhënat e fundit nga autoritetet zyrtare franceze flasin për 84 të vrarë dhe mbi 150 të tjerë të plagosur, 18 prej të cilëve në gjendje të rëndë për jetën. Mes viktimave ka dhe fëmijë.

Akti barbar u regjistrua të enjten vonë në bulevardin buzë detit “Promenade des Anglais”, pikërisht në momentin kur po realizohej një shfaqje me fishekzjarre e organizuar nga bashkia me rastin e Ditës së Bastijës.

Një kamion hyri përmes turmës.Prefekti i zonës, Sebastien Humbert, tha për televizionin shtetëror francez se shoferi i kamionit u ekzekutua nga policia pas shkëmbimit të të shtënave me armë zjarri.

Sulmuesi është identifikuar si një shtetas franco-tunizian 31 vjeç.Një burim i policisë franceze thotë se brenda kamionit ishte gjetur një kartë identiteti dhe se personi ishte banor i Nicës.

Disa dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se kishin dëgjuar të shtëna, ndërsa kamioni i bardhë hynte mes turmës së njerëzve, duke devijuar majtas e djathtas për t’i goditur ata.

Presidenti Hollande deklaroi se ky është një sulm terrorist dhe se po kërkojnë bashkëpunëtorët e autorit të kasaphanes.

Presidenti Barack Obama publikoi një deklaratë me shkrim të enjten mbrëma, në të cilën dënonte “atë që me sa duket është një sulm i neveritshëm terrorist,” siç shprehej ai. “Në këtë Ditë të Bastijës, – shkruante Presidenti Obama, – ne kujtojmë forcën e jashtëzakonshme dhe vlerat demokratike që e kanë bërë Francën një frymëzim për të gjithë botën.” Presidenti tha se kishte udhëzuar zyrtarët amerikanë për t’u ofruar autoriteteve franceze të gjithë ndihmën e mundshme.

Edhe dy kandidatët e pritshëm presidencialë, Hillary Clinton dhe Donald Trump e dënuan sulmin në komentet që bënë me telefon për rrjetet amerikane të lajmeve. Zoti Trump e shtyu shpalljen e kandidatit për nënpresident që kishte planifikuar për të premten.

Pothuajse tetë muaj më parë, më 13 nëntor, militantët e Shtetit Islamik vranë 130 njerëz në Paris, më i përgjakshmi mes një numri sulmesh në Francë dhe Belgjikë në dy vitet e fundit.

Të dielën, Franca mori frymë e lehtësuar pasi turneu i futbollit Euro 2016 përfundoi pa ndonjë incident, të cilit zyrtarët i trembeshin./Ora News

Leave a Reply

Back to top button