Bota

Katalonja, edhe kështu, edhe ashtu

“Çfarë është kjo që sapo ndodhi në Katalonjë?”, pyeste Lola García në të përditshmen e Barcelonës “La Vanguardia”. Të gjithë sytë ishin drejtuar tek udhëheqësi katalanas Carles Puigdemont, pas referendumit të pavarësisë së rajonit në fillim të këtij muaji, ku më shumë se 90 përqind e votave ishin hedhur në favor të shkëputjes nga Spanja, por një bojkot nga votuesit pro-spanjollë e la pjesëmarrjen të ulët, në nivelin 43 përqind. A do ta shpallë Puigdemonti pavarësinë dhe do të nxisë një krizë kushtetuese, apo do të kërkojë ndërmjetësim dhe do të zhgënjejë pasuesit e tij nacionalistë? Në fund, ai u përpoq t’i bënte të dyja, “në një deklaratë të shtrembëruar, të ndërlikuar që nuk kënaqi askënd”.

Puigdemont deklaroi këtë javë se rezultatet e referendumit kanë mandatuar që Katalonja autonome të bëhet një shtet i pavarur. Por në fjalinë tjetër, ai kërkoi nga Parlamenti Katalan “të pezullojë hyrjen në fuqi të shpalljes së pavarësisë, në mënyrë që, gjatë javëve të ardhshme, të kemi një dialog” me Madridin. Disa shaka në Uikipedia menjëherë e renditën Katalonjën si shtetin sovran më jetëshkurtër, me vetëm tetë sekonda.

“Udhëheqësi katalanas hapi e mbylli sytë,” shkruante The Times në një editorial. Në ditët pas një referendumi që ishte “më shumë maskaradë, sesa demokraci e vërtetë”, shumë prej firmave dhe bankave më të mëdha të Katalonjës njoftuan se po zhvendosen diku tjetër në Spanjë. Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar se një Katalonje të pavarur, nuk do t’i mundësohej anëtarësimi automatik në BE, dhe ato biznese donin të siguroheshin se do të qëndronin brenda tregut të përbashkët evropian. Sikur kjo të mos ishte mjaftueshëm e dhimbshme, Puigdemont e dinte gjithashtu se një shpallje e qartë e pavarësisë do të detyronte qeverinë federale të revokonte statusin autonom të Katalonjës, dhe ai ishte në kërkim të një formulimi për ta shmangur këtë. Tani ai po kërkon ndërmjetësim, dhe Madridi duhet t;ia ofrojë. Megjithatë, përgjigja fillestare e Kryeministrit Mariano Rajoy ishte një kërcënim për të vendosur sundimin e drejtpërdrejtë mbi Katalonjë. Nëse ai e bën këtë, do të jetë vazhdim i gabuar i strategjisë së tij tepër të ngurtë, e cila së paku pjesërisht, duhet fajësuar për krizën më të rëndë kushtetuese, në historinë e fundit të Spanjës”.

Na vjen keq, shkruante në një editorial e përditshmja e Madridit, “El Pais”, “por një deklaratë pavarësie është një deklaratë pavarësie”. Puigdemont mund të ketë përdorur fjalë të maskuara, por qëllimi i tij ishte i thjeshtë dhe Spanja nuk mund të jetë për një shpërbërje të kombit, pavarësisht nëse procesi është i “pezulluar” ose jo. Katalanasit nuk janë aspak të bashkuar, në dëshirën e tyre për t’u larguar: Qindra mijëra protestuan në Barcelonë kundër shkëputjes këtë javë, duke valëvitur flamurët spanjollë dhe duke kënduar “Viva España”. Zgjedhjet katalane 2015 mund të kenë prodhuar një qeveri rajonale pro pavarësisë, por partitë separatiste kanë mbështetjen e vetëm 48 përqind të votuesve. “Rajoy nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse të zbatojë ligjin me proporcionalitetin e ashpër ndaj rastit – i cili është i rëndë”.

Kjo po bëhet e rrezikshme, shkruante David Hesse në Tages-Anzeiger. Kur qytetarët kërkojnë më shumë autonomi, “shteti nuk mund të citojë thjesht kushtetutën dhe të dërgojë polici me shkopinj”.” Zvicra ka ofruar të ndërmjetësojë dhe Rajoy duhet të përpiqet, të paktën përpara se Spanja të shkojë drejt katastrofës. / Përgatiti: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button