Katër mësime nga Budapesti

Budapesti

Eric Jozsef

Hungaria po kthehet nga Perëndimi, ose të paktën në drejtim të Bashkimit Europian. Në prag të votimit më të shumëpritur, Péter Magyar, lideri i Tisza-s (Partia e Respektit dhe Lirisë), kishte deklaruar qartë se zgjedhjet parlamentare të 12 prillit përfaqësonin për vendin e tij një zgjedhje mes “Lindjes dhe Perëndimit”. Të dielën, bashkëqytetarët e tij iu përgjigjën masivisht “jo” largimit nga Brukseli dhe refuzuan afrimin gjithnjë e më të dukshëm të Viktor Orbánit me Moskën.

Natyrisht, ndër arsyet e humbjes së liderit iliberal janë edhe konsumimi i pushtetit, inflacioni i lartë dhe pakënaqësia në rritje e opinionit publik ndaj korrupsionit të përhapur. Megjithatë, gjatë një fushate zgjedhore shumë të ashpër, kundërshtarët e atij kryeministri që dukej i pathyeshëm ringjallën sloganin e vjetër të revoltës antisovjetike të Budapestit të vitit 1956: “Ruszkik haza”, rusët në shtëpi. 

Këtë herë është Viktor Orbán ai që kthehet në shtëpi, pas gjashtëmbëdhjetë vitesh pushtet të pandërprerë. Për liderët e Bashkimit Europian ky është një lehtësim. Por duhet të jetë edhe një mësim më i gjerë, me rëndësi parësore për të gjithë qytetarët e BE-së.

Mësimi i parë që duhet nxjerrë është se zgjerimi i vitit 2004 – ai në të cilin u pranuan dhjetë vende të reja, përfshirë Hungarinë, Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë dhe tre shtetet balltike – ka qenë largpamës. Pavarësisht kritikave të ligjshme dhe shkeljeve të papranueshme të shtetit të së drejtës nga disa qeveri populiste në këto shtete të reja anëtare, integrimi ka shmangur pa dyshim më të keqen. Pa këtë ankorim në BE, Hungaria sot ndoshta do të ishte një shtet autoritar i ngjashëm me Bjellorusinë nën Alexander Lukashenkon, dhe tanket ruse mund të ishin shumë më pranë ish-perdes së hekurt.

Prania e Budapestit në Bashkimin Europian, pra, i ka mundësuar të mbajë gjallë, edhe pse në mënyrë të brishtë, një opozitë demokratike dhe proeuropiane – pikërisht atë që dje triumfoi, ashtu siç fituan në Poloni në qershor 2025 liberalët e Donald Tusk.

Mesazhi i dytë është se sanksionet e vendosura – edhe pse me vonesë – kanë rezultuar efektive. Pasi në vitin 2022 fondet europiane për Hungarinë (18 miliardë euro, rreth 7% e PBB-së) u ngrinë për shkelje të shtetit të së drejtës, u bë shumë më e vështirë për liderin e Fidesz-it të blinte konsensus social.

Mësimi i tretë është se Europa liberale dhe demokratike duhet t’u jetë mirënjohëse ushtarëve të Volodymyr Zelensky-t. Për një kohë të gjatë, Viktor Orbán lëvizi me kujdes mes Brukselit dhe Moskës. Nën qeverisjen e tij, pa rënë në një rusofili të hapur, Hungaria – një vend i vogël i Europës Qendrore me rreth 10 milionë banorë dhe vetëm 1% të PBB-së së BE-së – mendoi se mund të maksimizonte përfitimin duke marrë sa më shumë nga të dyja anët. Ky lojë funksionoi deri kur Rusia e Vladimir Putinit pushtoi Ukrainën në shkurt 2022 dhe u përball me rezistencën e papritur të ukrainasve. Kjo e detyroi Viktor Orbánin të dalë hapur dhe të pozicionohet, duke zgjedhur në fund të mbështesë Kremlinin. Rezultati ishte një izolim gjithnjë e më i madh nga Brukseli dhe një refuzim në rritje nga shumë hungarezë që, edhe pse jo domosdoshmërisht pro-ukrainas, e panë Moskën si një kërcënim më të madh se Kievin.

Së fundi, ky votim tregon se, edhe pse asnjë palë zgjedhje në Hungari nuk kishin tërhequr më parë një vëmendje kaq të thellë nga kaq shumë europianë, atëherë koha ka ardhur për të parë përpara: ekziston tashmë një hapësirë politike e përbashkët dhe qytetarët e kontinentit të vjetër e kuptojnë mirë se fati i tyre është i lidhur me atë të fqinjëve.

Këtë e kanë kuptuar si mbështetësit nacionalistë të Viktor Orbánit (nga Marine Le Pen te Giorgia Meloni dhe Matteo Salvini, si dhe Alice Weidel e Santiago Abascal), ashtu edhe europianistët që shohin në rezultatin e djeshëm një mundësi për të dhënë një mesazh rezistence ndaj valës reaksionare ndërkombëtare.

Sepse Orbáni nuk ishte thjesht lideri i një demokracie të vogël iliberale. Ai ishte themelues në Parlamentin Europian në Strasburg i grupit të tretë politik, “Patriotët për Europën”, dhe një figurë qendrore e një mendësie anti-iluministe që frymëzon edhe lëvizjen Maga. Humbja e tij – pavarësisht mbështetjes së administratës amerikane, e cila dërgoi zëvendëspresidentin JD Vance për të provuar të shpëtonte “ushtarin Orbán”, si dhe mirëkuptimit të Kremlinit dhe Kinës së Xi Jinping – tregon se modeli i Bashkimit Europian, i bazuar në demokraci, shtet të së drejtës dhe ekuilibër pushtetesh, është në gjendje t’u rezistojë atyre që duan ta shkatërrojnë.

Megjithatë, rreziku më i madh për BE-në sot do të ishte të mendonte se rreziku është zhdukur dhe vala reaksionare është shuar. Pa “kalin e Trojës” të Moskës në Bruksel, padyshim do të jetë më e lehtë të miratohet paketa e njëzetë e sanksioneve kundër Rusisë dhe të zhbllokohet kredia prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën. Por mbetet absolutisht e domosdoshme të bëhen hapa të tjerë drejt autonomisë strategjike të BE-së. Që nga mbrëmja e djeshme, liderët europianë nuk mund të fshihen më pas pretekstit të vetos hungareze për të justifikuar pasivitetin e tyre. / la stampa – bota.al

Back to top button