Bota

Kathimerini: Shqipëria, “fati” i Greqisë. Pse Edi Rama nuk do ta zbatojë dot, vendimin për ndalimin e refugjatëve

Screen Shot 2016-03-03 at 08.57.51

Dr Evangelos Venetis*

Në një artikull të mëparshëm, “Ballkani dhe prirjet e migrantëve”, i hodhëm një vështrim politikës austriake të ngritjes së mureve dhe riskut të akumulimit të refugjatëve në territorin e Greqisë, dhe sidomos në Ballkan, me pasoja për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Teksa kufiri mes Greqisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë është mbyllur, Greqia duket se është izoluar nga fqinjësia e saj, si dhe nga pjesa tjetër e Europës. Ndërkohë që problemet shtohen, qeveria e Kryeministrit Alexis Tsipras përpiqet të improvizojë një zgjidhje dhe Brukseli vazhdon të kërkojë, Greqia duket e favorizuar prej gjeografisë.

Nga kufijtë e Greqisë me fqinjët ballkanikë, vetëm kufiri greko-shqiptar nuk mund të kontrollohet, sepse është malor dhe me një numër të madh shtigjesh të kalueshëm. Kështu që, qeveria e Edi Ramës mund të shprehë verbalisht kundërshtimin e saj ndaj mundësisë së prurjes së migrantëve përmes Shqipërisë, por ajo e ka të pamundur ta zbatojë një vendim të tillë. Arsyet janë të qarta. Askush nuk mund ta ndalë vendosmërinë paqësore të popujve për të lëvizur. Duke parë politikën e kufijve të mbyllur të Shkupit dhe gatishmërinë e imigrantëve për të lëvizur më në veri, si dhe dështimin e secilit shtet tranzit për t’u ofruar kushtet bazë për qëndrim të përkohshëm, duhet parë si e sigurtë që në ditët dhe javët e ardhshme, me mbërritjen e pranverës, migrantët që tashmë kanë ngecur në Greqi, do të drejtohen për nga kufiri me Shqipërinë. Cfarë do të ndodhë atëherë?

Shqipëria do të përpiqet të ndalë këtë prurje në stacionet kufitare greke të Kristalopigit, Mertzianit dhe Kakavijës – por më kot. Në terrene jo të sheshtë nuk mund të ngrihen mure. Shtigjet paralele nuk patrullohen, sepse janë të shumtë dhe anomalë. Kështu që, autoritetet shqiptare nuk do të jenë në gjendje të ndalin paqësisht prurjet e refugjatëve. Shqiptarët e dinë këtë dhe ndonëse Kryeministri ka shprehur kundërshtinë e tij, ai ka urdhëruar tashmë ndërtimin e dy qendrave të prirjes për një total prej 10 mijë imigrantësh, në Korçë dhe Gjirokastër.

Një zhvillim i tillë, në thelb do të thotë anulim i politikës së refugjatëve të Austrisë në Ballkan, sepse imigrantësh do të mund të hynin në territorin e FYROM dhe Kosovës përmes Shqipërisë, e më pas të lëviznin drejt Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjes.

Më tej, problemi do të ndërkombëtarizohej edhe një herë dhe do të vinte më shumë nën presion Brukselin, për të gjetur një zgjidhje të efektshme. Austria pritet të ngrejë një mur të ri në veri, por më kot, sepse problemi do të jetë jo vetëm i Greqisë, por i gjithë Ballkanit.

Korridori shqiptar mund t’i japë Greqisë një shans për të fituar pak kohë në përballimin e fluksit të refugjatëve nga Turqia, për të lehtësuar kufirin Greqi-FYROM dhe për t’i dhënë BE-së një shans të fundit për të vërtetuar se është një Union miqsh dhe jo armiqsh. /Dr Evangelos Venetis është specialist në studimet e refugjatëve dhe migrimit

“Kathimerini” – Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button