Një ditë një profesor hyri në klasën e filozofisë me disa sende që kishte marrë me vete.
Sapo studentët zunë vendet e tyre, ai vendosi në tryezë një kavanoz të madh bosh prej qelqi, të cilin e mbushi me disa topa golfi. Më pas, ai i pyeti studentët nëse kavanozi ishte plot.
Ata thanë “Po”.
Më pas profesori mori një kuti me guralecë dhe i derdhi në kavanoz. Ai e tundi kavanozin lehtë. Guralecët depërtuan në hapësirat boshe midis topave të golfit. Më pas i pyeti sërish studentët e tij nëse kavanozi ishte plot. Ata u përgjigjën sërish me “Po”. Ndërkohë profesori mori një kuti me rërë dhe e derdhi në kavanoz.
Siç mund të merret me mend, rëra e mbushi plotësisht gjithë hapësirën e mbetur brenda enës. Ai pyeti edhe një herë të rinjtë nëse kavanozi ishte plot. Studentët u përgjigjën me një “Po”unanime. Pastaj profesori nxori nga poshtë tavolinës 2 kanoçe birrë dhe i derdhi në kavanoz, duke mbushur hapësirën boshe midis rërës.
Studentët qeshën. “Tani” tha profesori, kur pushuan të qeshurat, “unë dua që ju të kuptoni se ky kavanoz qelqi përfaqëson në fakt jetën tuaj. Topat e golfit janë gjërat më të rëndësishme tuaja si familja, shëndeti, fëmijët tuaj, miqtë tuaj, pasionet e preferuara.
Pra gjëra që nëse gjithçka tjetër do të humbiste dhe do të mbeteshin vetëm ato, jeta juaj do të ishte ende plot. Guralecët janë gjërat e tjera që kanë rëndësi si puna, shtëpia, makina juaj.
Ndërkohë rëra është gjithçka tjetër, pra janë gjërat e vogla dhe pasuritë materiale në jetën tuaj. Nëse e vendosni të parën rërën në kavanoz, atëherë nuk do të ketë vend për guralecët apo topat e golfit. E njëjta gjë vlen edhe për jetën. Nëse e shpenzoni gjithë kohën dhe energjinë tuaj për gjëra të vogla, nuk do të keni kurrë vend për gjërat që janë më të rëndësishmet për ju.
Prandaj kushtojini vëmendje gjërave që janë jetike për lumturinë tuaj. Luani me fëmijët tuaj. Gjeni gjithnjë kohë për të bërë kontrolle mjekësore. Dilni me partnerin/en tuaj për darkë. Pra kujdesuni fillimisht për “topat e golfit”, për gjërat që kanë vërtet rëndësi. Vendosni cilat janëprioritetet tuaja. Pjesa tjetër është vetëm rërë”.
Një nga studentët ngriti dorën dhe pyeti se çfarë përfaqësonte birra në kavanoz. Profesori buzëqeshi. ”Më vjen mirë që më pyete. Ajo thjesht tregon se sado e mbushur që mund të duket jeta jote, ka gjithmonë vend për disa birra, të cilat mund t’i pini vetëm apo me miqtë tuaj”. / bota.al