Kërcënime, info, përballja me Vance. Dita e Donald Trump me orën në dorë

Manjati i fiksuar në Shtëpinë e Bardhë, mes Fox dhe klipeve në rrjetet sociale

Donald Trump

Programi i ditës, i shpërndarë dje nga Shtëpia e Bardhë për ditën e ultimatumit, parashikonte në mëngjes “executive time” (takime, telefonata, ndoshta edhe një sy gjumë: teknikisht do të thotë se nuk publikohen detaje). Gjatë kësaj “executive time”, Trump foli me JD Vance, i dërguar në Budapest përpara votimit që e sheh mikun e tij Viktor Orbán në vështirësi.

Më pas, drekë; në orën 16:00 (22:00 në Itali), një “policy meeting” i mbyllur për shtypin, ku u mor vendimi përfundimtar se si do të veprohej në skadimin e ultimatumit. Vendimi u mor pak më shumë se një orë para afatit: një armëpushim dyjavor, i shpallur si zakonisht përmes Truth Social. Në orën 19:00 në Washington (01:00 në Shqipëri), darkë me ambasadorin amerikan në Indi, një besnik i tij, Sergio Gor (i lindur në Uzbekistan me emrin Sergey Gorokhovsky).

Dita e pritjes u karakterizua nga tensioni dhe nga ripërsëritjet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe televizion të dialogëve të Trumpit me fëmijët gjatë festës së Pashkës në Shtëpinë e Bardhë. Dialogë që, siç Trump e dinte shumë mirë, duke qenë se kishte kërcënuar Iranin në transmetim global përkrah një personi të veshur si lepur gjigant, pushtuan jo vetëm televizionet, por edhe rrjetet sociale, sidomos TikTok.

Interpretimet ishin të ndara politikisht: nga e majta, si prova e “çmendurisë” së një presidenti-monark; nga e djathta, si dëshmi e simpatinë së “gjyshit Donald” përballë brezit të ri (më saktë, fëmijëve).

«Mund t’ju firmos autografe, fëmijë. Dhe pastaj sonte mund ta shisni për 25 mijë dollarë në eBay!… Mbesa ime Caroline është e vetmja që nuk e do autografin tim… duket se Caroline ka zero interes për autografin tim. Do ta firmos vizatimin tënd dhe do them se e kam bërë unë. Shikoni, e kam bërë unë! Shikoni të gjithë çfarë kam bërë. Biden kishte një stilolaps automatik që e ndiqte, ai nuk firmoste asgjë vetë, nuk ishte në gjendje të firmoste… kështu që e ndiqnin me një makinë shumë të madhe. E dini si quhej? Autopen! Jo shumë bukur, apo jo? Po Kamala Harris? Kishte një koeficient të ulët inteligjence!».

Përtej politikës, bie në sy që një 77-vjeçar me 11 nipër e mbesa u drejtohet fëmijëve të vegjël sikur të ishin të rritur.

24 orët e fundit përpara armëpushimit, presidenti i kaloi në Shtëpinë e Bardhë, ku televizorët janë gjithmonë të sintonizuar në Fox News, kanal që Trump e ndjek vazhdimisht dhe nga i cili shpesh ripublikon klipet e preferuara në rrjetet sociale.

Ai nuk mund të mos ketë vlerësuar transmetimin e mëngjesit ku ish-avokati i tij personal, Todd Blanche, debutoi si ministër i përkohshëm i Drejtësisë në një konferencë për shtyp të transmetuar live. Ai sulmoi mediat («Për katër vite, pa thënë asgjë, lejuat që ky departament të kthehej në armë kundër Donald Trump») dhe më pas njoftoi hetime të reja mbi mashtrimet e dyshuara në programet e mirëqenies sociale, veçanërisht për kujdesin ndaj fëmijëve (hetime që aktualisht prekin kryesisht shtete me shumicë demokrate).

Pragu i kësaj dite ishte një lloj “numërimi mbrapsht”-i tipik i spektaklit, një element që Trump , ish-yll i “The Apprentice”, e njeh shumë mirë. Dita nisi me një postim apokaliptik në rrjetin e tij social, ku kërcënonte zhdukjen e qytetërimit iranian.

Tensioni para një sulmi të mundshëm është një element thelbësor i spektaklit që Trump e njeh mirë: ai i wrestling-ut, me fyerjet, armiqësinë mes kundërshtarëve që shahen dhe përballen me njëri-tjetrin. Është një element që gjendet edhe në kulturën rap, një botë që e ndjek Trump me interes (mjafton të përmenden Snoop Dogg dhe 50 Cent), dhe që e njeh si të vetën përdorimin e nofkave fyese për kundërshtarët dhe mburrjen me përballjet e tij ligjore. / Corriere della Sera – Bota.al

Back to top button